Kadri Veseli, menjëherë pasi ishte zgjedhur Kryetar i PDK-së, kishte nisur reformat në parti dhe betejën kundër korrupsionit dhe nepotizmit në Kosovë.
Në vitin 2016, Veseli pat iniciuar një aksion të madh të lirimit të pronave publike nga uzurpatorët dhe ky vendim i tij pat bërë bujë të madhe.
Në atë kohë, në një aksion të gjerë të policisë, ishin liruar mbi 200 prona të uzurpuara.
Duke folur mbrëmë në Klan Kosova, Veseli ka rikujtuar këtë moment, duke thënë se edhe atëherë njerëzit kishin dyshime nëse pronat publike do të liroheshin nga uzurpatorët, por realiteti sot tregon se një gjë e tillë kishte ndodhur.
“Kur kam filluar iniciativën për largimin e uzurpatorëve nga pronat publike, të cilët kishin 16 vjet që abuzonin me pronat publike në Kosovë, kishte dyshime nëse do t’ia dilnim. Ata që ishin uzurpatorë, ju bindën forcës së ligjit, sepse ata u bindën se iniciativa nuk ishte selektive, por ishte kundër të gjithëve. Ligji është mbi të gjithë”, ka thënë Veseli.
Ish Kryeparlamentari Kadri Veseli kishte pohuar se edhe tash, kur ka nisur luftën kundër korrupsionit e nepotizmit, dikush mund të ketë dyshime, por ka shtuar se nuk ka rrugë tjetër përveç se të veprohet dhe qytetarët do të shohin hapa tjerë konkretë.
“Unë jam i vendosur t’i shkoj deri në fund. Kam vizionin tim të qartë”, kishte thënë Veseli.
Në agjendën e tij të nisur kundër korrupsionit dhe nepotizmit, Kryeparlamentari Veseli, po ashtu, ka ndërmarrë një iniciativë për krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar që do të hetojë dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve.
“Ky Komision, me punën e tij, do të sigurojë që Buxheti i Republikës së Kosovës nuk do të dëmtohet me dhjetëra miliona euro. Këto janë para të qytetarëve të Kosovës, të cilat nuk duhet të shpenzohen për mashtrues”, ka thënë Veseli.