Epilogu

Akuza e radhës e Aida Dërgutit: Kurti dhe Vetëvendosja i instrumentalizojnë njerëzit

Deputetja e VV-së, Aida Dërguti, pak para nisjes së mbledhjes së VV-së ku pritet të diskutohet fjala e saj “m…” që ia drejtoi Albin Kurtit, ka dhënë dorëheqje, me gjasë për të mos ia dhënë kënaqësinë kryesisë së VV-së për ta shkarkuar. Por, në qëndrimin e saj më të ri rreth përplasjeve brenda VV-së ajo ka bërë një akuzë të re: Kurti dhe Vetëvendosja i përdorin njerëzit si instrumente të tyre.

Aida Dërguti është kujdesur që ta sinkronizojë deklaratën e saj për largim nga pozitat në Vetëvendosje, pikërisht në kohën kur ky subjekt ka filluar të mblidhet për ta shqyrtuar rastin e saj – sharjen që i ka bërë Albin Kurtit para krejt zyrtarëve të VV-së.

Paraprakisht, Qendra në Vushtrri e VV-së ka thënë se Dërguti është shkarkuar me arsyetimin “se nuk i thuhet shefit m…”. Por, Dërguti ka thënë se po largohet edhe nga Qendra në Vushtrri.

Sido që të jetë, në postimin e dytë që ajo bëri në Facebook, që prej se plasi sherri në Vetëvendosje, Dërguti ka thënë fjalë të rënda për këtë subjekt politik dhe Albin Kurtin. Sipas saj, njerëzit që janë aty shndërrohen në instrumente. Po ashtu, Dërguti vazhdon duke thënë se Vetëvendosja përdor metoda me të cilat ajo nuk pajtohet, siç janë sulmet e organizuara për të linçuar njerëz.

“Ta zëmë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin. Unë besoj se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve të Lëvizjes është diskutimi i hapur e me argumente, në vend të instalimit të frikës. Por, gatishmëri për zgjidhjen e problemeve unë ende nuk po shoh. E vetmja rruga është demokracia, Vetëvendosja vetëm demokratike mund të jetë”, ka shkruar ajo.

Më pas Dërguti ka elaboruar duke thënë se metodat që i ndjek VV-ja janë të papranueshme.

“Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme te qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin”.

Ajo, po ashtu, ka përmendur edhe një fushatë që, sipas saj, ka nisur para një viti duke mos treguar më shumë.

“Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gjithsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve, që kanë ndodhur tash 1 vit”, ka shkruar ajo.

Exit mobile version