Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se Serbia do të mbështesë Gjykatën Speciale në hetimet që po zhvillohen ndaj ish-liderëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas tij në seancën e ardhshme Parlamentare, pjesë e axhendës së diskutimeve do të jetë Kosova. Ivica Daçiç tha se Gjykata Speciale nuk është e njëjtë me atë të vitit 2000, ku u hetuan dhe gjykuan krimet e serbëve në Kosovë.
“Shteti me siguri do të ndihmojë qasjen tonë të organizuar ndaj kësaj Gjykate të re, sepse kjo nuk është e njëjta Gjykatë që ishte në Hagë, kjo është Gjykatë për krimet e UÇK-së dhe situata është pak më ndryshe nga sa ishte herën e fundit”, tha Daçiç.
Kreu i Kuvendit serb tha se mbetet detyrim përgatitja e dokumenteve dhe mbrojtja e dëshmitarëve, që do të ndihmojnë në vendosjen e drejtësisë për viktimat serbe.