Epilogu

Albin Kurti: Do të ulem në tavolinë me serbët, edhe pa na kërkuar falje

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka ngecur prej kur Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj asokohe, vuri tarifë ndaj mallrave serbe.

Kurti ka thënë se si shef i ekzekutivit të vendit, do ta udhëheqë palën kosovare në bisedimet me palën serbe, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për paqe.

Ai është shprehur i gatshëm të bisedojë me zyrtarët serbë, pavarësisht nëse Beogradi zyrtar kërkon apo jo falje për gjenocidin në Kosovë.

“Do të ulem në tavolinë me serbët, edhe pa na kërkuar falje”, ka deklaruar Kurti në KTV, të mërkurën.

Kurti po ashtu ka thënë se ka mundur të takohet në të kaluarën me zyrtarët e lartë serbë, por takimet nuk kanë ndodhur, për shkak se “ata nuk kanë ardhur”.

Ai ka kujtuar se në një tryezë të organizuar nga Instituti Lindje-Perëndim, e mbajtur në fillim të muajit dhjetor, është dashur të jetë në panel me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, por ajo nuk shkoi të merrte pjesë.

Kurti ka treguar se edhe një përballje me Aleksandar Vuçiqin ka dështuar, për shkak të presidentit serb.

“Është dashur të jemi në darkë pune me zyrtarë të lartë amerikanë e gjermanë, në Berlin… por presidenti serb nuk erdhi. Ishte në Moskë”, ka thënë Kurti.

“Unë kam shprehur moti gatishmëri (për takim), janë ata që s’kanë ardhur”, ka deklaruar kryeministri kosovar.

Exit mobile version