Ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright dhe ish-gjenerali i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Wesley Clark, ishin dy hebrenjtë që ndihmuan Kosovën të çlirohej nga Milosevici
Madeleine Albright ishte tej mase e angazhuar në luftën për liri të Kosovës dhe në ndërtimin e paqes.
Ajo madje në disa paraqitje publike ka thënë se ‘E arritura ime më e madhe është ndihma për Kosovën’.
Mirëpo a e dini se si është historia e jetës së saj rreth përkatësisë fetare?
Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje
Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.
Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj, transmeton Metro. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.
Albright konsiderohet mike e vendit tonë nga momentet vendimtare, gjatë luftës në Kosovë, kur i ka kushtuar kohë dhe ndihmë për ta mbrojtur nga gjenocidi serb dhe për çlirim.
Ajo ishte në pozitën e Sekretares së Shtetit në kohën e luftës në Kosovë dhe kishte një rol vendimtar në organizimin dhe zhvillimin e Konferencës së Rambujesë, që rezultoi me ndërhyrje të NATO-s në Kosovë dhe ndërprerjen e dëbimit dhe vrasjeve të popullit të Kosovës, dhe me lirinë e saj, transmeton Metro.
Wesley Clark, ish-gjenerali i forcave të armatosura të SHBA’ve, u bë i njohur në qarqet e gjëra shqiptare pas emërimit të tij komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO’s për Evropën më 11 korrik 1997.
Wesley Clark ka thënë për luftën në Kosovë se: “Këto ishin bombardime politike ndaj Serbisë, sepse si gjeneral ushtarak, ju garantoj, se ndryshe, lufta në Kosovë do të kishte mbaruar për katër ditë”
Si i ri mbeti pa babë dhe u adoptua nga bashkëshorti i ardhshëm i nënës së tij, Victor Clark. Këtë gjë si dhe origjinën e tij, Wesley e mësoi shumë vonë, pas moshës 20 vjeçare. Është i lindur me 23 dhjetor të vitit 1944. Babai i tij biologjik ishte Benjamin Jacob Kanne që kishte origjinë hebreje, i ardhur në Amerikë nga Rusia në fund të shek. XIX.