Për avokatin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, zyrtarët amerikan si Richard Holbrooke e Madeleine Albright, po të ishin gjallë do të dëshmonin në favor të klientit të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas avokatit të Thaçit përveç diplomatit amerikan e sekretares së shtetit në favor të Thaçit në Speciale do të dëshmonte edhe ish-senatori i ndjerë amerikan, Bob Dole.
“Të paktën tre dëshmitarë do të dëshmonin shumë pozitivisht për klientin tim. Të gjithë kanë pasur konsideratë pozitiv për Thaçin dhe do të dëshmonin nëse do të kishin mundësi”, ka deklaruar Kehoe.
Deklarata e tij ka ardhur pasi që Gjykata Speciale ka propozuar që para fillimit të gjykimit ndaj Thaçit të dëgjohen nëntë dëshmitarë ndërkombëtarë të mbrojtjes, të cilët janë të moshuar ose të sëmurë, e të cilët kanë qenë në Kosovë apo Shqipëri gjatë periudhës 1998 – 1999.
Mbrojtja e Thaçit listën e këtyre dëshmitarëve do t’ia dorëzojë gjykatës deri të premten e 7 tetorit.
Sipas avokatit të tij, Thaçi do të mbrohet edhe me alibi në gjykimin e ardhshëm.
“Ne do të mbrohemi me një alibi sepse Thaçi, për shembull, që nga konferenca e Rambujesë në shkurt 1999, ka qenë në Evropë gjatë gjithë pranverës dhe është takuar me liderë ndërkombëtarë në Oslo, Vjenë, Paris, Londër”, ka shtuar ai.
Me alibi do të mbrohen të akuzuarit e tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Avokati i Thaçit ka bërë të ditur se alibia nuk do të mund të paraqitet në detaje derisa të zbardhen pjesët e shumta të redaktuara të aktakuzës se ku dhe kur janë kryer krimet.
“Tani nga aktakuza nuk mund të shohim se kur kanë ndodhur ngjarjet dhe as ku. Kur të hiqen pjesët e redaktuara nga aktakuza dhe kur të kemi vendin dhe datat e ngjarjeve, do të mund të paraqesim mbrojtjen e alibisë”.
Seanca e radhës në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në Speciale duhet të mbahet në fund të tetorit.
Nuk dihet ende se kur do të fillojë procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë.
Çështja është ende në duart e gjyqtarit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, që do të thotë se përgatitjet për gjykimin nuk kanë përfunduar.
Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.
Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. /Albanianpost.com