Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë më së shumti përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.
Gjatë marrëveshjes së Rambujesë, ajo krijoi raporte të afërta me liderin e delegacionit kosovar, Hashim Thaçin. Në libra, dokumentarë e prononcime publike, Albright fliste vazhdimisht me konsideratë të lartë për Thaçin.
Në momentet më të vështira të Hashim Thaçit, ku fati i Kosovës ishte mbi supet e tij e presioni mbi të ishte i jashtëzakonshëm, Albright gjatë takimeve në Rambuje u doli në disa momente kundër liderëve të ndryshëm të shteteve të BE-së, duke u bërë kështu krah i fuqishëm i liderit të delegacionit kosovar.
Menjëherë pas luftës, televizioni prestigjioz britanik “BBC”, kishte bërë një dokumentar për zhvillimet në Ballkan, respektivisht për luftën e fundit të Kosovës. Eksponentët kryesorë të BE-së dhe SHBA-së treguan përvojën e tyre për zhvillimet dramatike të luftës së Kosovës.
Ish-sekretarja Madeleine Albright, duke treguar për prapaskenat e marrëveshjes së Rambujesë, lavdëroi shumë rolin e Hashim Thaçit në atë proces.
“Hashim Thaçi sillet si lider, duket si lider, duket i gjatë, i pashëm dhe me stil urban”, thoshte Albright në dokumentarin e BBC-së.
Po ashtu, gazetari i BBC-së duke komentuar zhvillimet në Rambuje tregoi se Madeleine Albright e kishte fokusuar mendjen te Hashim Thaçi si lider i delegacionit. /Demokracia.com/