Epilogu

Albulena Haxhiu: Ne kemi alarmuar me kohë presionet mbi Gjykatën Kushtetuese

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thënë se java e ardhshme do ta gjejë Kosovën me Qeveri të re.

Haxhiu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se deklarata e Gashit vërteton tendencat e LDK-së, për të ndërhyrë në Gjykatën Kushtetuese.

“Së pari, është absurde të dihet se kur mund të publikohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, përveç nëse këta kontrollojnë gjyqtarët të caktuar. Ne kemi alarmuar me kohë presionet mbi Gjykatën Kushtetuese prandaj kjo deklaratë vërteton tendencat e tyre për ndërhyrje në Gjykatë”, deklaroi ajo.

Më tej, Haxhiu pohoi se kanë kontestuar dekretin e Presidentit mbi bazën e argumenteve të fuqishme juridike.

“Secili pretendim e argumentim kushtetues i joni, rrëzon dekretin jokushtetues të Presidentit Thaçi. Gjykata Kushtetuese duhet të veproj në bazë të kompetencave kushtetuese dhe vetëm mbi norma kushtetuese në përputhje me argumentet kushtetuese të paraqitura nga palët”, u shpreh ajo për Telegrafin.

Në fund, ajo tha se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndikohet nga presionet.

“Gjykata Kushtetuese në asnjë variant nuk duhet të influencohet nga presionet e ndryshme që prodhohen nga pazaret e bëra të Presidentit Thaçi dhe LDK-së. Prandaj ne jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili vendim duhet ta mbroj rendin kushtetues, demokracinë dhe vullnetin e popullit të mishëruara në Kushtetutën tonë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, sot shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kanë diskutuar me mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti për programin qeverisës dhe planin e punës së Qeverisë Hoti. Gashi para mediave u shpreh i bindur se java e ardhshme e gjen Kosovën me qeveri të re.

Exit mobile version