Kreu i shqiptarëve të Maqedonisë, ka folur për Gazetën Demos, për rastin Kumanova, ku ka shpalosur disa detaje të pathëna më herët, se si ishte njohur me Grupin, si kishte provuar t’i ndalë e gjëra të tjera.
“Kjo çështje është keqpërdorur për qëllime të politikave ditore nga partitë politike, nga individë, unë ndërgjegjen e kam të pastër, dhe kjo është me rëndësi që nuk më terrorizon, sepse kam qenë shumë i sinqertë, shumë transparent, unë i kam njohur, unë i kam pasë bashkëluftëtarë, dhe nuk është e lehtë për mua si bashkëluftëtar. Nga 2001 e këtej përherë kemi pasë avari, jo grupe të pakënaqura, dhe i kemi menaxhuar me të gjithë, sepse është e natyrshme pas çdo lufte ka edhe të pakënaqur, sepse nuk arrin pushteti t’i përmbushë kërkesat e tyre, keqpërdoren prej njerëzve të ndryshëm për qëllime politike i fusin ushtarët për të realizu qëllimet e veta. Dhe ja kemi dalë me sukses. Me kontaktet, me menaxhimin që është bë. Këta njerëz nuk arritëm dot që t’i bindim, sepse u kanë ikur takimeve, takimet me njerëz përgjegjës, përshembull me mua, njerëzit e mi janë takuar, ata janë pajtuar, jo se nuk do të bëjmë asnjë veprimtari. Përsëri kemi vazhduar ta vëzhgojmë situatën, mbase mos bëhet ndonjë gabim“.
Më tutje Ali Ahmeti ka treguar se “në një rast, një shok i jem i pyet a keni fol me Abazin (pseudonimi i Ali Ahmetit), dhe përgjigjet jo s’kemi folë. Po pse? (i ka pyet shoku im), ata janë përgjigjur, po jo se si t’shkojmë te ai vllavin me ma pas vra duhet me ia falë. Se na bindë që ne të tërhiqemi, kështuqë te ai nuk shkojmë. Tani më vonë i marr vesh këto gjëra. Nuk e kam ditë fare që këta kanë hyrë në Maqedoni, nuk kam ditë fare ku janë strehuar, kush i ka strehuar, kush i ka drejtuar. Dhe këtu për mua mbetet akoma enigmë. Sepse ata që kanë qenë në krye të kësaj pune, ata nuk janë më. As Begu dhe as Mirsadi. Këta që janë në vuajtje të dënimit, nuk e dij sa dijnë që të thuhet e vërteta“.