Epilogu

Goschen është i pari diplomat i rangut më të lartë, që ishte për një shtet të shqiptarëve

NPG x96248; George Joachim Goschen, 1st Viscount Goschen

Britania e Madhe dhe anglezët kanë qenë mjaft larg Shqipërisë, prandaj shtrohet pyetja: për çfarë arsyesh britanikët do të interesoheshin për Shqipërinë dhe për gjuhën shqipe? Për të arritur te një vështrim historik deri në ditët e sotme, shtysat e interesimit të tyre mund të përmblidhen në disa grupe kryesore. Së pari vijnë udhëtimet, që dëshmohen prej vitit 1143 dhe dalin të shpeshta në shek. XIX me autorë që kanë botuar udhëpërshkrime. Kërkesat ushtarake dhe luftërat nisin qysh me epokën e Skënderbeut për të ardhur te Ali Pashë Tepelena e te luftërat ruso-turke, por sidomos gjatë Luftës II Botërore një numër jo i vogël oficerësh anglezë u hodh në Shqipëri dhe përvoja e tyre u la kujtime të paharruara.

Ambasadori George J. Goschen-i argumentoi padrejtësinë e vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe është i pari diplomat i rangut më të lartë, që është shprehur për një shtet të shqiptarëve. Diplomacia britanike kishte një rrjet të tërë me konsuj e nënkonsuj, prej raportimeve të të cilëve ka një pasuri të gjerë dokumentare në arkivat britanikë për shumë anë të gjendjes ekonomike, shoqërore e ushtarake në viset shqiptare. Pas Luftës I Botërore, kur Shqipëria mori trajtën e një shteti, hyri në marrëdhëniet e zakonshme ndërkombëtare dhe më 1922 u hap Konsullata Britanike në Durrës. Përpjekjet angleze për të depërtuar në tregun shqiptar dëshmohen mirë në shek. XIX nga raportet e konsujve.

Përkthimi dhe përhapja e Biblës në Shqipëri ka tërhequr plotësisht vëmendjen e Shoqërisë Biblike dhe jo vetëm pati arritje të shënuara me K. Kristoforidhin e vëllezërit Qiriazi, por edhe dokumentoi shqipen e shkruar dhe përpjekjet për arsimin shqip. Kërkimi shkencor ka qenë shtysa më e rëndësishme e interesimit të britanikëve për shqiptarët e gjuhën shqipe, duke përfshirë historianë, arkeologë, antropologë, gjuhëtarë e letrarë. Së fundi, pamjet nga Shqipëria dhe të shqiptarëve kanë gjetur vend në vepra të shënuara të arteve figurative me autorë britanikë.

Si përfundim mund të thuhet që, pavarësisht prej luhatjeve dhe kontradiktave të llojllojshme gjatë periudhave të ndryshme, qëndrimi i politikës britanike kundrejt shqiptarëve ka qenë pozitiv, ndërsa qëndrimi i britanikëve, domethënë i udhëtarëve, historianëve, studiuesve, letrarëve e artistëve, me disa përjashtime të pakta, ka qenë dashamirës e mbështetës.

Gjatë shekujve shqiptarët dhe paraardhësit e tyre kanë pasur marrëdhënie me fqinjët e tyre dhe, rrjedhimisht ata janë njohur me viset shqiptare, me shqiptarët dhe me gjuhën e tyre. Anasjelltas, prej këtyre kontakteve kanë mbetur në gjuhën shqipe edhe huazime nga greqishtja, latinishtja, sllavishtja, italishtja e turqishtja. Britania e Madhe dhe anglezët kanë qenë mjaft larg, kurse pavarësia e Shqipërisë u arrit vetëm më 1912. Natyrshëm shtrohet pyetja: për çfarë arsyesh britanikët do të interesoheshin për Shqipërinë dhe për gjuhën shqipe? Për të arritur te një vështrim historik deri në ditët e sotme jam përpjekur t’i përmbledh shtysat e interesimit të tyre në disa grupe kryesore.

***

Udhëtimet. Ngritja e perandorisë më të madhe në botë, e Perandorisë Britanike, natyrisht shpjegohet në radhë të parë me zhvillimin ekonomik në Britani dhe me përparimet në teknologji, e në veçanti të shkrirjes së hekurit. Megjithatë nuk përjashtohet, që ka pasur edhe një shtysë të veçantë të britanikëve për të ndërmarrë udhëtime nëpër gjithë rruzullin, nganjëherë në skutat më të largëta e të rrezikshme, dhe pastaj për të lënë shënime nga këto udhëtime.

Autori Richard Hakluyt ka botuar librin “Udhëtimet kryesore” më 1589 me disa raporte udhëtimesh, ndër të cilat është edhe “Udhëtimi i Robert Ketenensit në kohën e Mbretit Stefen për Dalmaci, Greqi dhe Azi” në vitin 1143. Ketenensin e shoqëronte Herman Dalmatinesi; kjo është përmendja për herë të parë me shkrim e Dalmacisë dhe më tej udhëtimin e kanë vijuar drejt Greqisë, domethënë pranë viseve të Arbërisë. Dy shekuj më vonë, po sipas Hakluyt-it, kanë ndodhur “Udhëtimet e Xhon Mandevilit” në vitin 1322, i cili gjatë udhëtimit për Konstantinopol ka shkelur edhe në Iliri e Greqi. Pas Dubrovnikut, siç shkruan ai, “30 milje nga qyteti mbaron Skllavonia dhe prej Budve fillon Albanye”. Më tej ai ka ndaluar edhe në portet e Durrësit e të Vlorës. Libri ishte botuar më 1499 në Westminster. Po në atë vit është edhe “Itinerari i Simon Semeonisit nga Hybernia me Hygonius Iluminatorin për në Tokat e Shenjta” Ai ka shkruar për Durrësin, duke e emërtuar Durachiam. Shënimet e tij janë botuar vetëm më 1778 në Kembrixh dhe ribotuar më vonë.

Në rast se në këto fillime interesimi lidhej me vajtjen në Vendet e Shenjta, pas pushtimit osman të Ballkanit udhëtimet do të lidhen me ngjarjet brenda suazës së Perandorisë Osmane. Pa asnjë diskutim vendin e parë do ta zinte epoka e Skënderbeut, për të cilën do të flas menjëherë në pjesën më poshtë. Udhëtarët shfaqen në fillim të shek. XIX, kur pa dyshim figura qendrore bëhet Ali Pashë Tepelena, që gjithashtu do të ceket më poshtë, ndërsa shkëlqejnë më 1809 Xhorxh Gordon Bajroni dhe Xhon Kam Hobhauzi e njëkohësisht U. Martin-Liku. Udhëtari më i rëndësishëm mund të quhet edhe kleriku Thomas Smart Hughes (1786-1847), i cili ka qenë bashkë me Kokerelin në Janinë më 1813-1814. Mblodhi lëndë për doket e shqiptarëve të jugut, ka përshkruar dasmën shqiptare dhe në Mesinë ka parë një regjiment shqiptarësh në shërbim të Anglisë. Ishte nën ndikimin e F. Pukëvilit me një qëndrim fetar negativ, ndërsa anonte nga Martin-Liku për prejardhjen ilire. Libri i tij titullohet “Udhëtime në Sicili, Greqi dhe Shqipëri”, dy vëllime 1820. Pranë Ali Pashës ka qenë inspektor sanitar Henry Holland, i cili ka bërë edhe një udhëtim të dytë më 1813 dhe botoi  dy vëllime më 1815: udhëpërshkrimin “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni etj. gjatë viteve 1812-1813”. Ai vizitoi edhe minierën e serës në Selenicë. Ishte i një mendjeje me Martin-Likun për prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre. Shqiptarët i ka quajtur me cilësi të larta luftarake dhe i ka bërë përshtypje fustanella. Për atë ilirishtja “është baza e gjuhës shqipe të sotme”.

Në Vlorë ka ardhur J. Galti, i cili botoi librin “Letra nga Levanti” më 1813. Më 1817 botoi “Kujtime lidhur me Turqinë Aziatike dhe Europiane” Robert Walpole (1781-1856), i cili flet për Shqipërinë në vëllimin e dytë (f. 21) më 1820. Sipas tij, “Shqiptarët flasin një gjuhë, e cila rrjedh prej trakishtes së lashtë, që duket se ka qenë e njëjtë me ilirishten”. Po në atë vit W. Turneri, i cili ka qenë edhe sekretar i ambasadës angleze në Stamboll, botoi “Ditarin e një udhëtimi në Levant” në tri vëllime; ai kishte vizituar më 1813 Jainën, Gjirokastrën dhe Tepelenën. Ch. MacFarlane ka botuar dy libra. Të parin më 1829 “Konstandinopoli dhe Turqia më 1828-1829”, në të cilin flet për atdhedashurinë e shqiptarëve, ndërsa të dytin më 1850 “Turqia dhe fati i saj: Rezultatet e një udhëtimi të bërë më 1847 e 1848 për të hetuar gjendjen e vendit” në dy vëllime. Po në ato vite dolën udhëpërshkrimet e G. Keppel-it “Rrëfim për një udhëtim përmes Ballkanit në vitet 1829-1830” në dy vëllime, 1832, dhe të Ch. Franklandit “Udhëtime në Stamboll në vitet 1827-1829”, dy vëllime më 1829. Njoftime më të pasura për Perandorinë Osmane ka dhënë David Urquhart-i (1805-1877) në dy vëllimet e botuara edhe në përkthimin frëngjisht në Paris më 1836. Ai ka qenë dhe deputet, e mbështeste Perandorinë Osmane, ndërsa ka udhëtuar dhe në Veri të Shqipërisë, diçka e rrallë në atë periudhë. Përshtypje gjuetie ka paraqitur më 1842 kapiteni James John Besti, i cili vizitoi Shqipërinë më 1838 dhe më 1839; ky ishte kundër rigjenerimit të Turqisë dhe i ka quajtur shqiptarët një popull trim, të zjarrtë e të pavarur. Poeti dhe udhëtari Edmund Spencer përgatiti dy vëllime “Udhëtime në Turqinë Europiane…” botuar më 1853. Ai bëri rrugën Ohër-Tiranë dhe Shkodër-Elbasan, i quajti shqiptarët atdhetarë fisnikë, që i këndojnë Skënderbeut dhe Ali Pashës, madje përshkruan edhe kryengritjen e Gjolekës, duke vënë në dukje se toskët “e flasin gjuhën në tërë pastërtinë e saj”. Të fundit në gjysmën e parë të shek. XIX janë G. S. Abercromby, i cili udhëtoi në Shqipëri më 1848 dhe ka lënë një ditar në Edinburg; James Henry Skeene (1812-1886), udhëtar dhe diplomat skoces botoi më 1848 “Shqiptarët”, kurse një ditar tjetër gjendet në Warwik nga C. Throckmortoni, i cili e vizitoi Shqipërinë më 1849.

Për shkak të shkëlqimit të kulturës së Greqisë së lashtë në mendimin europian, sigurisht viset e saj ishin tërheqëse, aq sa përmbyllja e studimeve shpesh bëhej me një udhëtim atje dhe me këtë rast kanë dalë të dhëna edhe për shqiptarët. Fynes Morisoni ka udhëtuar për Korfuz më 1596 dhe ka përmendur himariotët. Nëpër Adriatik dhe Detin Jon kaloi George Wheler-i më 1675-76 dhe ka folur për arvanitët (“Udhëtim në Dalmaci, Greqi e Levant, i pasuruar me pamje dhe figura”, 2 vëll. 1689). Edhe doktori në teologji, udhëtari Richard Chandler ka folur për zakonet e arvanitëve në Athinë e Tebë më 1776, për bujarinë dhe gratë shqiptare. (“Udhëtime në Greqi ose përshkrim i një udhëtimi të bërë me shpenzimet e Shoqërisë së Diletantëve”, Oksford). Veçan qëndron Henry Swinburne (1743-1803), i cili udhëtoi në Sicili te arbëreshët (“Udhëtime në dy Sicilitë në vitet 1777-1778, 1779 dhe 1780”, botuar në dy vëllime më 1783 e 1785). Ka vënë re se e folmja e tyre është e gjallë, ndërsa gratë “nuk kuptojnë tjetër gjuhë veç të tyren, të  cilën e shqiptojnë me ëmbëlsi të madhe theksimi”. Pa qenë gjuhëtar, ai ka vënë re se mjaft fjalë të shqipes kanë ngjashmëri me fjalë të anglishtes.

Pas rënies së Ali Pashës ka qenë kryengritja greke në qendër të vëmendjes europiane. Autorë të ndryshëm kanë botuar udhëpërshkrimet e tyre, në të cilat vetvetiu do të kishte të dhëna edhe për shqiptarët. Të tillë autorë janë J. Stanhope (1824), G. Waddington (1824), H. L. Bulwer (1826), konti J. Pecchio Emerson, A. Slade (1833), F. Herve (1837), E. Giffard (1837), R. Curzon (1849), G. F. Bowen (1852). Në kohën e kryengritjeve shqiptare lidhur me Tanzimatin i ka vizituar arbëreshët e Greqisë Ch. Wordsworth-i (“Greece: pictorial, descriptive and historical”, 1844). Vend të veçantë, siç do të dalë më poshtë, zënë udhëtimet e piktorëve.

Për këta udhëtarë në revistën “Diturija” gjatë një vargu numrash 1927-1928 M. Frashëri ka botuar të dhëna dhe pjesë të përkthyera prej veprave të tyre, ndërsa Sh. Mema më 1988 u ka kushtuar një libër të tërë, prandaj nuk po ndalem për hollësi të tjera. Më pas ditare udhëtimi në Shqipëri ka botuar A. P. Viviani më 1868. Pedagogu dhe autori Henry Fanshaw Tozer (1829-1916) në librin “Kërkime në Malësitë e Turqisë” (2 vëllime, 1869), pasi i ka quajtur shqiptarët një popull me lashtësi të madhe, ka pohuar se “një studimi i kujdesshëm i kësaj gjuhe mund të hedhë dritë jo të paktë mbi gjuhët klasike”. Korrespondenti i luftës dhe udhëtari Edward Frederick Knight ka qenë në Shqipëri  për herë të parë më 1880 dhe ka botuar tre libra (1880, 1909 dhe 1923). Ai drejtuesit e Lidhjes së Prizrenit, që i pa në Shkodër, i ka quajtur njerëz të vendosur. Libri i tij i parë “Shqipëria. Një rrëfim nga udhëtimet e kohëve të fundit” tashmë është përkthyer e botuar më 2022 në Prishtinë.

Ngjarjet e shekullit XX kanë gjetur vend në një varg veprash të gjera me karakter studimor dhe publicistik, prandaj këtu po përmend si udhëtarë vetëm dy autorë: John Foster Fraser-in me librin “Pamje nga Ballkani” (1906), i cili ka vënë në dukje, se “shqiptari kur nget qetë në arë për të lëruar tokën, mban gjithmonë armën me vet”, kurse Bernard Njumani (1897-1968) ka nxjerrë më 1936 “Porta e pasme e Shqipërisë’ dhe “Udhëtim nëpër Shqipëri” më 1938.

Nga veriu në viset tona kanë ardhur shumë më pak britanikë. Eduard Brauni (1644-1708), mjek dhe natyralist, në “Një paraqitje e shkurtër e disa udhëtimeve në pjesë të ndryshme të Europës” më 1685 tregon se ka qenë në Kumanovë, Shkup, Prishtinë, kurse shqiptarët “kënaqeshin duke kënduar ditë e natë gjatë kohës që udhëtonin me ne; gjuhëtarët tanë më të mirë, si turq dhe të krishterë, nuk e kuptonin fare atë”. Në mes të shekullit J. G. Wilkinson-i botoi dy vëllime “Dalmacia dhe Mali i Zi. Me një udhëtim deri në Mostar” (1848), kurse William F. Wingfield-i shkroi për “Një udhëtim në Dalmaci, Shqipëri dhe Mal të Zi” më 1859.

Është me interes të veçoj, që ka pasur edhe gra angleze, të cilat kanë bërë udhëtime nëpër viset tona. Letrat dhe shkrimet e Lady Mary Montagu Wortley janë botuar më 1861, ndonëse i përkisnin shek. XVIII. Ajo ka udhëtuar nëpër Perandorinë Osmane e shoqëruar nga shqiptarë, të cilët i ka quajtur ushtarët më të mirë të perandorisë dhe ka vënë re cektësinë e ndjenjës fetare tek ata. Nënkontesha Emily Anne Beaufort Smythe – Strangford ka udhëtuar më 1863 në Shqipëri e Mal të Zi dhe e botoi librin e saj më 1864, ndërsa tre kapitujt e fundit ia plotësoi i shoqi, Lordi Percy Strangfordi, i cili udhëtoi më 1863 në Shqipërinë e Veriut pikërisht për atë qëllim. Emilia udhëtoi me kalë në Shqipërinë e Jugut dhe ka pohuar, se shqiptarët janë një komb më vete; libri i saj mund të quhet edhe si një ndër gjeografitë e para të Shqipërisë. Pa dyshim, udhëtarja më e shquar ka qenë Edith Durhami. Më 1917 Agnes Ethel Conway botoi një libër (“A Ride Through the Balkans, on classic ground with a camera”) me dy krerë kushtuar Shkodrës dhe pushtimit të saj nga malazeztë. Dy autorë, John Alcock dhe Antonia Young kanë botuar më 1991 një libër për gratë udhëtare në Ballkan me titullin “Qengjat e zinj dhe skifterët e përhimë”.

Në shekullin e fundit nocioni i udhëtarit ka ndryshuar për hapësirën europiane, sidomos për shkak të përcaktimit të shteteve të pavarura, duke mos qenë më Ballkani zonë ekzotike, si dhe nga përhapja e mjeteve të komunikimit masiv. Në plan të parë dalin gazetarët dhe pjesëmarrësit në luftërat e ndryshme, ndërsa kërkimi shkencor mbulon të tjera fusha të specializuara. Një korrespondent i gazetës “The Times” ka qëndruar në Ballkan që më 1980 dhe ka nxjerrë librin “Orët e Ballkanit: Udhëtime në Europën tjetër” më 1991. Prandaj po e mbyll këtë pikë me gazetarin Greg Campbell, i cili udhëtoi më 1998 në Kosovë dhe botoi librin “Rruga për Kosovë: Një Ditar nga Ballkani”, 1999.

Kërkesat ushtarake dhe luftërat. Kontaktet e para të britanikëve me shqiptarët janë të hershme pikërisht për shkak të luftërave. Kur osmanët pushtuan Ballkanin dhe më pas u shtrinë deri te portat e Vjenës, sigurisht që do të ngjallej një shqetësim edhe në Ishujt Britanikë. Kështu më 1457 mori pjesë në një betejë kundër osmanëve ushtaraku John of New Port në krye të një toge harkëtarësh. Atij i përket shprehja, që nëse do të binte kështjella shqiptare, ishte i sigurt pushtimi i Europës. Pas botimit të librit të Marin Barletit për Skënderbeun, emri i tij dhe i luftërave të tij do të dalin në qindra botime në gjuhë të ndryshme. Nga britanikët dëshiroj të nxjerr në dukje autorin John Daye, i cili më 1560 ka botuar “Fjalët e Skënderbeut duke u kërkuar ndihmë princave të krishterë”. Richard Knolles-i (1550-1610) ka botuar një “Histori të përgjithshme të turqve”, në të cilën më 1603 flet edhe për Skënderbeun. Sir Arthur Baldwin-i e ka quajtur Skënderbeun ‘mbret të pakurorëzuar”. Nga autorët e sotëm e vlen të përmendet Harry Hodgkinson-i (1913-1994), gazetar dhe oficer zbulimi, i cili ka botuar një libër “Deti Adriatik” më 1956 dhe një tjetër për Skënderbeun më 1999.

Në kohët e reja ishin luftërat europiane që prekën edhe brigjet shqiptare në periudhën e Pashallëkut të Janinës. Britanikët e furnizuan Ali Pashën më 1804 me predha, madje ky i ka dërguar një letër anglisht mbretit anglez më 1808. Pranë Ali Pashës ishte konsull W. Martin-Leake-u, që më 1814 do të botonte librin “Researches in Greece” (për hollësitë e tjera shih LLOSHI, 2006). Ai vepronte që Ali Pasha të mos orientohej nga Franca gjatë luftërave napoleonike, ndërsa ka një njoftim se më 1804 Earl Camden-i, ministër i luftës, ka kërkuar rekrutimin e burrave në Shqipëri. Te Ali Pasha kanë qenë Bajroni dhe Hobhauzi më 1809; ka qenë edhe Lordi Frederick North-i më 1811. Gjithashtu në Janinë ka qenë më 1795 Hawkins-i dhe vizitën e dytë e ka bërë më 1789, madje ndryshe nga Fransua Pukëvili, e ka lëvduar Ali Pashën. Autori F. S. N. Douglas-i në librin e vet të vitit 1813 thotë se gjenia e Ali Pashës e ngriti popullin shqiptar në të njëjtin nivel me kombet më të mëdha të kontinentit. W. Davenporti i ka bërë një portretizim historik Ali Pashës, të mbiquajtur Luan, me një seri vizatimesh e pikturash më 1823. Personaliteti i Ali Pashës ka vijuar të tërheqë vëmendjen e historianëve dhe autorëve anglezë deri në ditët tona. Kështu, F. H. Marshalli ka mbajtur një ligjëratë më 1933, si dhe ka botuar katër letra të Aliut për Martin-Likun, kurse J. W. Bagally ka botuar më 1938 librin “Ali Pasha dhe Britania e Madhe”.

Lufta ruso-turke më 1877 ka qenë në qendër të shumë botimeve dhe natyrshëm do të cekej edhe çështja shqiptare. Një libër të veçant ka botuar më 1914 Richard Caton Woodville (1856-1927), i cili kishte qenë në Shkodër më 1877. Vitet e fundit të sundimit osman në Ballkan dhe në veçanti luftërat ballkanike kanë qenë tërheqëse jo vetëm për historianët, por edhe për autorë të tjerë. Është tepër i njohur libri i E. Durhamit “Lufta për Shkodrën”, që e kam përkthyer shqip. Roli negativ i Esat Toptanit në ato ngjarje është vënë në pah jo vetëm prej saj, por edhe nga autorë të tjerë. Tashti vonë, më 1965 ka dalë libri “Memoir of the Bobotes” i shkrimtarit Joyce Carry, i cili vajti në Mal të Zi më 1912 për të ndjekur Luftën I Ballkanike. Meriton mirënjohjen më të madhe publicisti i shquar Henry Charles Woods (1881-1939). Ai kishte qenë konsull anglez në Stamboll, pastaj si gazetar ka udhëtuar në Shqipëri. Ishte ai që ndërmjetësoi vizitën e Ismail Qemalit në Shoqërinë Biblike, kur ishte në Londër për çështjen shqiptare më 1913. Ka bërë një varg botimesh, disa i kam renditur në bibliografi, ndërsa nuk mund të mos citoj thënien e tij:  “Shqiptari është the first gentleman of the Balkans”.

Është e kuptueshme, që sytë e Britanisë u drejtuan edhe nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse nuk pati plane strategjike për të zbarkuar në brigjet shqiptare, pati një veprimtari të gjallë për të mbështetur luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazistë. U hodh një numër jo i vogël ushtarakësh dhe për ata kjo ishte një përvojë e paharrueshme, prandaj disa prej tyre i kanë botuar kujtimet me njoftime shumë të çmueshme, që i shërbejnë historisë sonë. Me interes të posaçëm është se qëndrimet politike të këtyre ushtarakëve kanë sjellë në përplasjen e rrëfimeve të tyre, një aspekt të cilit i ka kushtuar një analizë të hollësishme Reginald Alfred Hibbert-i në librin për Luftën Nacionale të Shqipërisë, me nëntitullin “Fitorja e hidhur”, 1991. Librin e kam përkthyer më 1991, ndërsa në ribotimin e vitit 2014 kam përfshirë letrën origjinale të Muharrem Bajraktarit, të cilën autori pati mirësinë të ma jepte. Hiberti, ushtarak, diplomat dhe historian, ishte hedhur në Shqipëri në dhjetor 1943 dhe u largua në mesin e tetorit 1944, duke e kaluar pjesën e parë të qëndrimit me nacionalistët dhe pjesën e dytë me partizanët. Vepra e tij shquhet jo vetëm sepse niset nga ditaret e mbajtura, por edhe nga përfshirja e një dokumentacioni të gjerë të atyre viteve të vështira. Ai e vizitoi Shqipërinë më 1992 dhe më pas; vajti edhe në Kosovë më 1999, si dhe botoi një libër për çështjen kosovare më 1999. Do të mjaftohem të shtoj se ai i ka quajtur shqiptarët një nga popujt më të vjetër të Europës dhe ka vërtetuar, se ata bënë një luftë të vërtetë kundër pushtuesve.

Ushtaraku me gradën luftarake më të lartë ka qenë E. F. Davies-i, gjeneral brigade, i cili u hodh në Shqipëri në mes të tetorit 1943, por u plagos në janar 1944 dhe u kap rob. Ai përkrahu mbështetjen e plotë për Luftën Nacionalçlirimtare dhe ka bërë një nga gabimet më të rënda në vlerësimin e rolit të tij Enver Hoxha si në atë kohë, edhe më pas në librin e tij, ndërsa ai gjeneral ishte ndihmesa më e rëndësishme e përkrahjes së Aleatëve për vendin tonë. Autori John Hallidey më 1986 ka botuar “The Memoirs of the Artful Albanian”, duke iu kundërvënë librit të E. Hoxhës. Nuk kam pasur mundësinë të njihem me përmbajtjen e një doracaku të Admiraliatit më 1944: “Albania. Admiralty Handbook”.

I pari ndër këta oficerë anglezë që botoi një libër, ka qenë John Anthony Quayle (vdiq më 1989) me “Tetë orë larg Anglisë” më 1945; ai ishte major dhe pas Lufte ka qenë edhe aktor. David Smiley ishte major; u hodh dy herë në Shqipëri dhe më 1945 dha për shtyp librin “Me detyrë në Shqipëri”, që është ribotuar më vonë. Alpinisti me emër botëror, Bill Tilmani (Harold William, 1898-1977) u hodh në malet e Korçës në gusht 1943 dhe u largua në maj 1944. Titulli i librit të tij ”Kur takohen njerëzit dhe malet” (1946) natyrisht lidhet me shprehjen tonë “Mali me malin nuk takohet, po njeriu me njeriun po”. Ai erdhi vullnetar në këtë vend, që njihej si malor. Ai e ka mbështetur pa rezerva Luftën Nacionalçlirimtare, pa i mohuar gabimet e saj, sepse ajo e ndihmoi luftën e Aleatëve. Julian Amery, baron, kapiten në kohën e Luftës dhe më pas politikan (1919-1996), u hodh në Shqipëri në prill 1944 bashkë me Maklinin dhe Smajlin. Nxori më 1948 librin “Bijtë e Shqipes: Një Studim mbi luftën guerilje”, ndërsa më 1973 “Marshi i afrimit”. Më 1991 erdhi për vizitë në Shqipëri me një grup anglezësh. Do të citoj prej tij vetëm këto fjalë: “Qëndrimin tim në atë vend do ta quaja si një nga universitetet më të mëdha”. Si oficer ndërlidhës u hodh në gusht 1943 Peter Kempi (1913-1993), gjithashtu major dhe eksplorues, i cili u largua në janar 1944; librin “Pa flamur dhe pa stemë” e botoi më 1958. Shqipen e ka quajtur një nga gjuhët më të lashta të Europës. Këta libra mjaft të ndryshëm nga këndvështrimet politike dhe ushtarake megjithatë na japin një paraqitje shumë interesante për ato vite vendimtare në historinë e vendit tonë. Majori Richard Riddell u hodh në shtator 1943 në Veri dhe më pas ishte pranë Divizonit I Partizan; u largua në shtator 1944. Veçan prej këtyre është Vandeleur Robinsoni (1902-1990), i cili kishte qenë në Shqipëri më 1939 dhe nga tetori 1944 deri në mars 1945 ishte atashe shtypi në misionin britanik, ndërkohë ka bërë edhe udhëtime në jug të vendit. Libri i tij “Rruga e Shqipërisë drejt lirisë” u botua më 1941.

Në shtator 1945 prej këtyre oficerëve britanikë u dekoruan 14 me “Yllin Partizan”, por ata kanë qenë më shumë në Shqipëri; po rendis emrat e tyre: T. Churchill, S. Eastwood, G. Field, A. Hands, A. Hare, J. Hibberdin, P. Keeler, J. Keffe, Ph. Leake, M. Lyon, B. McLean, I. Merret, A. Nicols, T. Neel, E. Northrop, D. Oakley, J. Olivery, A. Palmer, V. Robinson, G. Seymour, A. Simcox, V. Smith, J. Shaw, M. J. Thornton, N. Wheeler. Më 2008 autori Rodrick Bailey ka botuar një libër përmbledhës për veprimtarinë e Drejtorisë së Operacioneve të Posaçme “The Wildest Province: SOE in the Land of the Eagle” më 2008 dhe një tjetër më 2013 “SOE in Albania: Tales from the British Archives”. Autorja Elisabeth Barker ka nxjerrë më 1976 librin “Politika britanike në Euopën Jug-Lindore gjatë Luftës së Dytë”, ku paraqet përpjekjet për nxitjen e kryengritjes në Shqipëri.

Menjëherë pas Luftës ndodhi incidenti i Kanalit të Korfuzit. Atij i janë kushtuar dy libra: “Shqiponja i hap kthetrat”, 1966 nga L. Gardiner dhe “Incidenti i Korfuzit” 1974 nga E. Leggett. Tashmë është provuar se Shqipëria nuk i kishte aftësitë luftarake për të vendosur mina detare, ndërsa Anglia e shfrytëzoi këtë rast për të mbajtur të bllokuar arin shqiptar të grabitur nga gjermanët dhe kjo çështje tashmë është zgjidhur. Deputeti Steven Norris erdhi që më 1989 në Shqipëri për të biseduar për këtë çështje. Së fundi, është pritur me kundërshtime libri i Nicols Bethelit “The Great Betrayal” më 1984, i cili niset nga teoritë konspirative lidhur me skemat e destabilizimit të Shqipërisë nëpërmjet grupeve të armatosura, që dështuan. Lordi Bethel e vizitoi Shqipërinë më 1991 si deputet europian. Diçka e veçantë është përmbajtja e veprës së kolonelit britanik Mark D. Vickers, atashe ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri më 2005-2008, “Rrëfime nga Shqipëria”, 2021. Ai ka dalë në pension dhe është larguar nga Anglia si budist.

Pa dyshim, një kapitull të veçantë përbën lufta çlirimtare e Kosovës. Më 2000 kanë dalë tre libra: “Kosova – Përgatitja e një lufte” nga Stephen Schwartz,  “Kosova – Pas një viti” e Alex Standishit dhe “Qëndresa civile në Kosovë: synimet dhe tranzicioni” për vitet 1980-1999, si dhe më 2010 nga Tim Judah-u “Kosova – Lufta dhe hakmarrja”. Nuk është nevoja të çmoj librin e rëndësishëm historik të Noel Malcolm-it “Kosova – Një histori e shkurtër”. Luajti rol vendimtar mbështetja e Britanisë së Madhe për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, ndërsa në një nga fjalët e tij Tony Blair-i, atëherë kryeministër i Britanisë, tërthorazi e pranoi që në Konferencën e Londrës më 1913 ishte bërë një gabim që duhej ndrequr për cungimin e Shqipërisë.

Marrëdhëniet shtetërore dhe diplomacia. Deri në mesin e shek. XIX Shqipëria nuk dilte jashtë suazës së përgjithshme të politikës britanike kundrejt Perandorisë Osmane, madje gjatë Luftës së Krimesë më 1854-1856 një njësi mirditorësh mori pjesë në anën e Turqisë, që mbështetej nga Anglia. Por më pas, kur shpërbërja e Perandorisë Osmane po konkretizohej, u bë e qartë se prej kësaj do të përfitonin dy perandori të tjera: Austro-Hungareze dhe Ruse, ndërsa probleme të acaruara dhe shpërthyese do të dilnin nga synimet e shteteve ballkanike, të cilat që në fillimet e tyre kishin nisur veprimet grabitqare e shoviniste, të ushqyera me aspirata të perandorive të tyre të shkuara. Çfarë do të bëhej me shqiptarët, që nuk kishin pasur perandori të tilla dhe nuk ushqenin asnjë lloj qëllimesh grabitqare? Thyerja e Turqisë në Luftën e viteve 1877-1878 dhe më pas thirrja e Kongresit të Berlinit i ndërgjegjësoi rilindësit, se kishte ardhur dita për të kaluar te forma të organizuara shtetërore dhe te përgatitjet luftarake, që të mbroheshin trojet shqiptare në ato rrethana kërcënuese. Veprimtaria e saj pati jehonë ndërkombëtare dhe shkurt mund të thuhet, se në arenën europiane mori formë çështja shqiptare.

Henry Austen Layard-i (1817-1894) kishte qenë në Shqipëri më 1839 e 1844 dhe më 1879 u caktua ambasador i Britanisë në Stamboll; përkrahte pretendimet greke sepse i përkiste Partisë Konservatore me udhëheqës Lordin Beaconsfield (Benyamin Disraeli, 1894-1881), i cili ishte haptas kundër interesave të shqiptarëve. Por në maj 1880 qeveria e Bikonsfildit dhe e ministrit të tij të jashtëm, markezit Salisbury-t, u rrëzua dhe erdhën në fuqi Liberalët me kryeministër W. E. Gladstone-in (1809-1896). Në Stamboll u emërua ambasador George J. Goschen-i (1837-1907) deri më 1886. Ai argumentoi padrejtësinë e vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe është i pari diplomat i rangut më të lartë, që është shprehur për një shtet të shqiptarëve. Në një raport të korrikut 1880 ai ka shkruar: “Kombësia shqiptare është një element që nuk duhet lënë pa u përfillur në çfarëdo kombinimi politik në të ardhmen, Unë do të rekomandoja, që formimi i një province të bashkuar shqiptare të paktën të mbahej gjithnjë parasysh”.  Me këto qëndrime pajtohej edhe kryeministri Gladston dhe kështu qeveria angleze ishte për autonominë e Shqipërisë.

Në këtë atmosferë të politikës britanike u mblodh në Stamboll Komisioni i Rumelisë Lindore për të konkretizuar një nga nenet e përcaktuara në Kongresin e Berlinit. Përfaqësues britanik u dërgua Lordi Edmond Fitzmaurice-i (1841-1935). Ai e shqyrtoi me themel çështjen shqiptare, u njoh me hartat e ndryshme dhe përhapjen e etnisë shqiptare, dhe i kërkoi përfaqësuesit të Shoqëroisë Biblike të dhëna nga goja e vetë shqiptarëve. Ky i tregoi librat e K. Kristoforidhit dhe kështu më 16 korrik 1880 Lordi e mori në një intervistë, e cila është botuar si dokument zyrtar në “Blue Book”, vëll. I më 1881. Ficmorisi takoi edhe shqiptarë të tjerë, të cilët “punojnë për formimin e një Shqipërie të bashkuar”, kështu edhe ai vetë formoi bindjen për një vilajet të vetëm me katër sanxhakë. Pavarësisht se kërkesat e tij nuk u pranuan në vendimet përfundimtare, kështu ideja e shtetit shqiptar kishte marrë trajtë konkrete në arenën ndërkombëtare. K. J. Crampton-i në Konferencën për Lidhjen e Prizrenit më 1979 ka mbajtur një kumtesë me titullin “Anglia dhe Shqiptarët (1878-1881)”.

Ndonëse Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendime të qarta, vetëm dy vite më vonë përsëri në Londër u bë Traktati i Fshehtë, që parashikonte copëtimin  e Shqipërisë tashmë të cunguar dhe në të mori pjesë edhe Anglia. Përkundrazi, Konferenca e re e Ambasadorëve në Londër në nëtor 1921 i ripohoi kufijtë e Shqipërisë dhe u njoh qeveria shqiptare.

Diplomacia britanike kishte një rrjet të tërë me konsuj e nënkonsuj, prej raportimeve të të cilëve ka një pasuri të gjerë dokumentare në arkivat britanikë për shumë anë të gjendjes ekonomike, shoqërore e ushtarake në viset shqiptare. Dëshiroj të jap me emër disa prej tyre. Tashmë kam treguar për Martin-Likun pranë Ali Pashës; pas tij ishte konsull G. Foresti. Por i pari konsull i përgjithshëm britanik ishte caktuar më 1804 John P. Morieri për Morenë dhe Shqipërinë. Sipas tij, “Me emrin Shqipëri përfshihet vendi që shtrihet nga veriu i Gjirit të Artës e deri në lumin Bunë”. Më 1819 u hap konsullata britanike në Janinë, e cila mbulonte edhe gjithë Shqipërinë. Gjatë viteve 1845-1859 ishte Sidney S. Saundersi; gjatë viteve 1864-1872 ishte majori Robert Stuart, i cili  dërgoi në Londër punime argjendarie nga Vlora e  Çamëria për një ekspozitë. Më 1851 u hap zyra në Manastir nga John E. Blunt; zëvendëskonsull më 1854 ishte W. K. Holmes-i, pastaj J. W. Longworth-i dhe vendin e tij e mori Ch. J. Calvert-i më 1862 deri më 1868. Ky ka shkruar: “Gruaja shqiptare është luftëtare: gratë dinë më mirë të mbushin armët sesa të shkojnë perin në gjilpërë”. Më 1888 erdhi nga Selaniku nënkonsulli Howard Shipley, i cili ka njoftuar për një Bashkim Shqiptar në Korçë për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Po Blunt-i e hapi zyrën edhe në Selanik më 1851, më 1854 në Shkup. Konsullata  në Shkodër e nisi punën më 1860; më pas erdhi Richard Read, i cili qëndroi për 8 vjet deri më 1872 dhe ka shkruar se: “Qytetarët e Shkodrës asnjëherë nuk u janë nënshtruar sundimtarëve turq”; më 1876 erdhi Kirby W. Green-i (1836-1891), i cili ka raportuar për degën e Lidhjes së Prizrenit, por u detyrua të largohej më 1882, sepse shqiptarët e fajësuan për dorëzimin e Ulqinit. Në Prizren ka qenë Meyer-i, i cili ka dhënë njoftime për Zylyftar Podën, Çelo Picarin e Tafil Buzin, ndërsa në kohën e Lidhjes Shqiptare ishte C. St. John-i, i cili prandaj ka dhënë njoftime për Lidhjen, e ka quajtur Abdyl Frashërin udhëheqësin e partisë më revolucioanre në Shqipëri dhe ka përcjellë fjalët e Muhtar Pashës, se shqiptarët pëlqejnë më tepër të luftojnë sesa të bisedojnë. Nënkonsull në Prevezë ka qenë nga viti 1867 Charles F. Barkeri, i cili vdiq më 1873, dhe më 1883 ishte nënkonsull C. A. Blakeney.

Menjëherë me krijimin e qeverisë në Shqipërinë e pavarur, përfaqësues i Britanisë erdhi në Durrës më 1914 Henry H. Lamb. Pas Luftës I Botërore, kur Shqipëria merr trajtën e një shteti, që hyn në marrëdhëniet e zakonshme ndërkombëtare, më 1922 u hap Konsullata Britanike në Durrës, më 1926 u bë Legatë dhe u vendos në Tiranë. Njëkohësisht në Londër u hap Legata Shqiptare më 1922 me të parin ambasador vëllanë e Faik Konicës, kurse ky i dërguar ambasador në SHBA. Më 1923 qeveria shqiptare po kërkonte një oficer britanik për të riorganizuar Ministrinë e brendshme dhe u thirr koloneli W. Francis Sterling. Më 1925 ai solli një grup oficerësh për të organizuar xhandarmërinë shqiptare dhe qëndroi deri më 1931; është autor i librit “Siguria në radhë të fundit”, 1953. Inspektor i përgjithshëm i xhandarmërisë ka qenë Jocelyn Percy, ndërsa instruktor ishte për 8 vjet David Okley Hilli, që më 1940 u largua në Beograd. Dy diplomatë, Newton Wesley Rowell dhe juristi Robert Cecil kanë mbështetur dhe ndihmuar Shqipërinë për pranimin në Lidhjen e Kombeve.

Ndërkaq, pushtimi fashist nga Italia u kalua në heshtje dhe kryeministri N. Chamberlain deklaroi se “Britania nuk kishte interesa të veçanta në Shqipëri”. Ahmet Zogu nuk u prit si mbret i Shqipërisë më 1942 në Londër dhe gjatë Luftës politika angleze ishte nën ndikimin e qarqeve shoviniste greke. Megjithatë Anglia mori nismën për Deklaratën e tri Fuqive të Mëdha Aleate në dhjetor 1942, e cila e pranonte rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria shqiptare pas vitit 1945 nuk u njoh nga Britania e Madhe dhe marrëdhëniet diplomatike me Anglinë u ndërprenë. Vetëm pas ngjarjeve të njohura, më 29 maj 1991 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Dëshiroj të përmend deputetin Stephen Nash, i cili më 1990 organizoi një ekspozitë të pikturës shqiptare në Glasgou si kryeqytet i kulturës europiane dhe na ftoi një grup për ta paraqitur atë. E vlen të përpunohet lista e ambasadorëve britanikë në Shqipëri dhe në Kosovë në tre dhjetëvjeçarët e fundit.

Një traditë e mirë ka qenë krijimi i shoqatave të miqësisë. Vend të veçantë meriton këtu emri i deputetit Aubrey Herbert (1880-1923), i cili ka bërë disa udhëtime në Shqipëri më 1904-1917 dhe ka mbrojtur çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Më 1913 krijoi Komitetin Anglo-Shqiptar, që do të bëhej më pas Anglo-Albanian Association, ku sekretare ishte E. Durhami. Ai ka botuar më 1915 librin “Shqipëria në fushën e shahut të Ballkanit” dhe më 1924 ”Ben Kendim: A Record of Eastern Travel”.  Më 12 maj 1929 u inaugurua në Tiranë Biblioteka, dhuratë e Konteshës Carnarvon për nxënësit, në kujtim të djalit të saj, kolonelit A. Herbert. Mirëpo edhe në këtë fushë ka ndërhyrë politika me pasojë krijimin e organizatave të ndryshme. Kryetar i Shoqatës Angli-Shqipëri më 1985 ishte H. Hodgkinsoni. Shoqata Shqiptare do ta ndërronte emrin në Shoqata Shqiptare e Britanisë; kryetar i saj më 1988 ishte Martin Smithi; ka botuar revistën “Albanian Life”, ndërsa B. Blandi hoqi dorë si botues i saj dhe si sekretar i Shoqatës më 1991. Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Britanisë më 1992-1995 ishte ekonomnisti i njohur Michael Kaser, më 1996-2000 ka qenë R. Hiberti.

Interesat ekonomikë. Përpjekjet angleze për të depërtuar në tregun shqiptar dëshmohen mirë në shek. XIX nga raportet e konsujve. Në një dokument të Foreign Office-it (78, vëll. 529) për vitin 1843 nga Saundersi thuhet se po rritet përdorimi i manifakturës britanike në Shqipëri. Ka një raport për tregtinë në Shqipërinë jugore nga janari i vitit 1849, ku regjistrohen importi dhe eksportet e tregtisë britanike në Vlorë e në Berat, një tjetër të nënkonsullit për Durrësin dhe Korçën më 1859 për importet, që shkonin nga Korça edhe në rajone të tjera të Ballkanit, duke arritur deri mbi një milion paundë në vit, kurse R. Stuarti ka dërguar një varg raportesh për tregtinë në Shqipërinë e jugut në vitet 1864-1871 etj.

Në mars 1921 shoqëria Anglo-Persian Oil Company Ltd. kërkoi koncesionin e naftës në Shqipëri dhe e fitoi më 1925. Shfrytëzimin e vijoi deri më 1935, kur ua lëshoi italianëve. Për mallrat angleze ishte krijuar mendimi se ishin të cilësisë më të lartë, si për stofrat angleze dhe për makinën qepëse Singer më e shitura në Shqipëri. Por nga mesi i shek. XX e deri më sot prania e tregtisë me Shqipërinë ka qenë shumë e kufizuar, kurse edhe investimet angleze qoftë pas viteve 1990 janë të papërfillshme.

Përhapja e Biblës. Shoqëria Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS) u mor me përkthimin e Dhiatës së re shqip pas propozimit të filologut slloven Jeremi Kopitar (1780-1844). Këtë sipërmarrje e mbështeti një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të BFSB, Roberet Pinkertoni (1780-1859), i cili arriti të nënshkruante marrëveshjen për përkthimin më 1819 me Vangjel Meksin. Ndër të tjera, më 1816 ai ka shkruar: “Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikumit të lashtë dhe të Epirit, ndërsa flet një gjuhë, e cila siç duket, nuk ka asnjë afëri gramatikore me sllavishten, turqishten, greqishten ose latinishten”. Zbatimin e kreu me vendosmëri Isaac Lowndes-i (1791-1874), i cili siguroi bashkëpunimin si redaktor të Grigor Gjirokastritit, ndërsa me diskutimet edhe me T. P. Platt-in përpunoi alfabetin e shqipes për botimin e Dhiatës së re për herë të parë më 1827. Kësaj i kam kushtuar librin Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit më 2012.

Drejtuesi i Shoqërisë Biblike në Stamboll, Alexandër Thomson-i (1820-1899), pas një vizite të parë në Shqipëri më 1863, u interesua për ta sjellë K. Kristoforidhin në Stamboll më 1865 për të ndërmarrë përkthimet biblike dhe më pas e vijoi bashkëpunimin me dy vëllezërit Qiriazi deri në daljen në pension më 1896. Jo vetëm i kushtoi vëmendje të veçantë gjuhës shqipe, duke nisur me përcaktimin e alfabetit për botimet e Shoqërisë, por iu përkushtua sidomos librit shqip, nevojës për shkolla shqipe e veçan arsimimit të gruas shqiptare. E ka dëshmuar etjen e shqiptarëve për arsim dhe për shqipen e shkruar, ndërsa qysh më 1865 kishte shprehur dëshirën që në shkollat në Shqipëri të futej mësimi i anglishtes. Ai ka lënë me qindra dokumente me njoftime për periudhën dhe veprimtarët e Rilindjes Shqiptare; e ka bërë të njohur punën për shqipen në shtypin botëror. Bashkëpunëtor i tij ishte William Sellari në Stamboll nga 1854 deri më 1896.

Tomsoni hapi libraritë e para dhe organizoi një rrjet të librashitësve, të cilët kanë mbledhur të dhëna për gjendjen arsimore dhe librin shqip deri në fund të shek. XIX, të cilat nuk ndeshen në burime të tjera. Ndër këta librashitës, përveç shqiptarëve duke nisur me K. Kristoforidhin, kanë qenë: Alexander Davidsoni (1836-1874) nga viti 1865 në Janinë dhe ka ndërmarë udhëtime në Shqipërinë e Jugut; Hermann Riedel-i u caktua depozitar në Shkodër më 1864 bashkë me të shoqen, e cila bërë hapa për një shkollë shqipe me vajzat; vendin e tij e zuri Edward W. G. von Laer-i më 1866, i cili ia la vendin gjermanit Michael Treiber më 1870, po edhe ky u largua më 1872.  Pasardhësi i A. Tomsonit ka qenë T. R. Hoxhsoni (Hodgson), i cili e vijoi punën e tij deri në fund të Luftës I Botërore, kurse ka botuar një artikull për një udhëtim në Shqipëri më 1909. Më 1911 ai organizoi në Manastir një konsultë me gjithë librashitësit në Shqipëri. Për hollësitë interesante të kësaj fushe me rëndësi për historinë e gjuhës shqipe kam botuar më 2017 “Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike” dhe më 2012 “Udhëkryqet e Kristoforiut dhe aventura e librit shqip”.

Pas Luftës I Botërore, me zhvillimin e arsimit shqiptar, të letërsisë e të përkthimeve, me lëvrimin hap pas hapi të  shqipes letrare, përkthimi dhe përhapja e Biblës u shndërrua në një veprimtari të zakonshme fetare.

Kërkimi shkencor. Historianët anglezë për një kohë të gjatë do ta ceknin etninë shqiptare brenda kornizës së Perandorisë Osmane. Natyrisht, që në fillim do të shkëlqente figura e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit dhe më vonë figura e Ali Pashë Tepelenës. Historiani i njohur Edward Gibbon (1737-1794) zbriti në Adriatik dhe i pa malet shqiptare, duke u shprehur se “Shqipëria përballë Italisë është më pak e njohur se brendësia e Amerikës”. Në librin e tij në 7 vëllime e ka përmendur Skënderbeun, por është përpjekur ta ulë rëndësinë e tij. Shepherd Edward Creasy (1812-1878) në historinë e turqve osmanë (1854) ka shënuar se Skënderbeu ishte 18 vjeç, kur sulltani i dha një sanxhak, por e mbajti larg atdheut kur vdiq Gjoni dhe prandaj iu kundërvu më 1443; turqit i theu me aftësitë e larta të luftës guerilje. Pa dyshim të dhënat më të plota për kohën e vet janë te Martin-Liku, të cilin e kam cituar disa herë. Një Hawkins në fund të shek. XVIII vizitoi dy herë Janinëm dhe ka folur për arvanitët, duke e lëvduar Ali Pashën. Vepra me hark të gjerë kohor vijojnë të botohen, si për shembull “Perandoria Osmane dhe Trashëgimtarët e saj, 1801-1927” nga William Miller, ku në kreun XXII flitet për Republikën e Shqipërisë; me të njëjtin titull është edhe libri i Peter Mansfieldit më 1973. Gjithashtu David Kushneri ka botuar “Ngritja e nacionalizmit turk, 1876-1908”, Londër 1977. Është e pashmangshme tema shqiptare dhe figura e Ali Pashës në gjithë shkrimet për pavarësinë e Greqisë. Libri i gjeneralit dhe historianit anglez Thomas Gordonit (1788-1841) për historinë e kryengritjes greke hapet pikërisht me rebelimin e Ali Pashës, por ky autor i ka quajtur shqiptarët popullin më barbar të Europës, e megjithatë ka pranuar se rrjedhin nga ilirët dhe veshjen e tyre e kanë huazuar ushtarët grekë. Më 1861 George Finlay ka nxjerrë librin “Historia e kryengritjes greke”.

Për luftërat ballkanike libri më i gjerë është shkruar nga nënkoloneli dhe korrespondenti i luftës Sir Reginald Rankin, i cili më 1914 ka paraqitur luftën kundër Malit të Zi që kishte pushtuar Shkodrën, ndërsa e ka miratuar pavarësinë dhe punën e Ismail Qemalit. Për periudhën e Ahmet Zogollit ka nxjerrë dy libra Joseph Swire-i: “Shqipëria: Ngritja e një mbretërie” më 1929 dhe “Shqipëria e mbretit Zog” më 1937. Tashti vonë, më 2006 Oven Parsoni ka botuar “Shqipëria në shekullin e njëzetë. Një histori: Shqipëria dhe mbreti Zog 1908-39”.

Janë dy autorë që i janë kushtuar historisë shqiptare të kohëve të fundit: James Pettifer dhe Miranda Vickers. I pari kishte botuar “The Greeks” më 1993, duke u dhënë vend të gjerë lidhjeve të Shqipërisë me Greqinë, edhe në periudhën e Enver Hoxhës. Autori është shprehur: “Çfarëdo qeverie greke as që mendon të bëjë përpjekje për ta vënë në po atë nivel me greqishten në fushën e arsimit gjuhën shqipe, aq të bukur e komplekse, dhe po aq të lashtë, me prejardhje nga ilirishtja e vjetër”.Të dy kanë përgatitur katër libra: “Shqipëria nga anarkia te një identitet ballkanik” (1997), “Çështja shqiptare: Riformësimi i Ballkanit” 2006 dhe dy libra për çështjen çame më 2014 e 2016. Vikersi nxori më 1995 “Shqiptarët – Një histori e kohëve të reja”, si dhe “Ndërmjet serbëve e shqiptarëve – Një histori e Kosovës” më 1998. Edhe Petiferi i ka kushtuar një libër Kosovës: “Ekspresi i Kosovës” më 2006. Përveç Noel Malkolmit edhe një autor tjetër ka folur në prag të luftës: Michael Ignatieff, “Kosova dhe përtej”.

Mund të thuhet se mjaft punime të sotme për historinë kanë edhe natyrë publicistike për të arritur te një lexues më i gjerë, si dhe anasjelltas, shkrimet e publicistëve shpesh ndërthuren me lëndë historike. Përveç veprave të mësipërme të Petiferit dhe të Vikersit, mund të sjell edhe librin e W. E. Griffith-it “Shqipëria dhe krisja kino-sovjetike” më 1963, dhe  “Shqipëria – Kush e vret mendjen?” i Bill Hamiltonit më 1992 për gjendjen e trazuar në Shqipëri menjëherë pas përmbysjes së vitit 1991. Një varg punimesh serioze janë përmbledhur më 2013 në vëllimin “Albania and the Balkans”.

Përpara të dhënave gjeografike nga nënkontesha Strangford më 1864 mund të përmendet Roger Barlow (vdiq më 1554), i cili hartoi një përmbledhje të shkurtër gjeografie më 1541, botuar më 1932 në Londër. Ai kishte qenë tregtar; ndërmori përkthimin e një libri të Martin Fernandes de Enciso, kolonizator spanjoll, botuar në Sevilie më 1519, dhe e plotësoi atë. Aty lexojmë: “Pasi kalohet Dalmacia është porti i Durrësit. Në këtë kalim është Greqia. Ky vend i Greqisë kufizohet me Maqedoninë në Orient dhe në jug ka brigjet e Jonit te të cilat gjenden shumë provinca si Shqipëria, Thesalia dhe Boetia”.  Më 1860 është botuar vëllimi “Bibla e të gjitha vendeve”, në të cilin shqipja si gjuhë indo-europiane përfshihet në familjen trako-ilire, por përpara se të kalohet te versionet e përkthimeve, ka një paragraf me titullin Shtrirja gjeografike dhe të dhënat statistikore. Në botimin e parë më 1848 të dhënat ishin marrë prej librit “Rrëfim për misionin grek” të autorit S. S. Wilson, botuar në Londër më 1839. Ishte shprehur se arbëreshët e ishujve Hidra, Speca dhe Paros janë me prejardhje ilire dhe  përpikësonte se provinca nën sundimin osman qeverisej prej krerësh pothuaj të pavarur. Në botimin e dytë Shqipëria përcaktohet se shtrihet më shumë se 250 milje dhe popullsia vlerësohet rreth dy milionë banorë. Për botimin anglisht në revistën e Shoqatës Gjeografike Mbretërore të dorëshkrimit të Kontit Fedor Karaxhai më 1842 është përgtitur edhe një hartë e Shqipërisë nga hartografi më i njohur anglez i asaj kohe, John Arrowsmith (1790-1873). Një hartë tjetër anglisht është përgatitur nga John Rapkini dhe ilustruar nga H. Warren-i për “Atlasin e ilustruar dhe historinë e kohëve të reja” të John  Talisit, Londër 1851. Së fundi, Eward Stanfordi ka përgatitur një hartë më 1901 “Gadishulli i Ballkanit”. Botanisti John Sibthrop-i (1758-1796) ishte më 1795 e 1786 në More e në Prevezë dhe iu botua më 1806 libri “Flora Graeca”.

Për arkeologjinë vjen në radhë të parë arkeologu dhe historiani i madh Arthur Evans (1851-1941), i cili ka botuar Letrat ilire më 1878, ndër të cilat ishte edhe “Shqipëria çelësi lindor i Adriatikut”, si dhe rezultatet e gërmimeve në Ilirikum (1883-1885). Ai ka shkruar, se ”Historianët e Greqisë dhe të Romës theksonin më tepër anët pirateske dhe barbare të jetës së ilirëve”, ndërsa ai vetë “gjente tek ata institucione më të përparuara për kohën”. Një vepër të veçantë ka përgatitur J. Wilkes: “Ilirët” më 1992. Një arkeolog tjetër me rëndësi është interesuar për ilirët: N. Hammondi, i cili ka marrë pjesë në konferenca shkencore në Shqipëri, nërsa është shprehur se pikturat e Shpellës së Trenit i përkasin periudhës së Kryqëzatave dhe jo lashtësisë.

Deri në fund të shek. XIX Ballkani quhej Orienti i Afërt, prandaj dijetarët e degëve të ndryshme të antropologjisë janë interesuar për jetën e popujve, doket e zakonet e tyre, për kulturën popullore. Pasi qëndroi tre vjet në Stamboll, Ch. White ka përshkruar mënyrën turke të jetesës shtëpiake më 1844. Fanny Janet Blunt kishte qëndruar 20 vjet mes popujve të Ballkanit dhe vëzhgimet e veta i botoi më 1878, duke ua kushtuar shqiptarëve kreun e tretë. Folkloristi skocez John Stuart-Glenni ka bërë tri udhëtime në Shqipëri dhe prandaj ka tre krerë për Shqipërinë Veriore dhe Shkodrën në librin e tij të vitit 1879. Folkloristja Lucy M. J. Garnet (1849-1934) ka përgatitur disa libra: më 1885 për këngët folklorike, për gratë në Turqi dhe folklorin e tyre dhe aty pesë krerë janë për gruan shqiptare; për jetesën turke në qytet e në fshat me një krye për malësorët e Veriut dhe më 1917 “Jeta në shtëpi e Ballkanit”. Publicisti dhe historiani Edwin Pears (1835-1919) ka shkruar për Turqinë dhe popujt e saj më 1912 dhe kreun e pestë ua ka kushtuar shqiptarëve e ka thënë: “Ndër shqiptarët ndesh koka të bukura, që të kujtojnë ato të Greqisë klasike. Të gjithë flasin gjuhën shqipe, ndonëse me disa veçanti dialektore ndërmjet veriorëve dhe jugorëve. Në të dy trajtat, kjo është një gjuhë e këndshme në të dëgjuar”.

Pa asnjë dyshim, kreut e vendit në këtë fushë e zë Edith Durhami (1864-1943), anëtare e Institutit Mbretëror Antropologjik nga viti 1908, e cila jo vetëm hartoi disa vepra me vlera të padyshimta edhe për historinë e Shqipërisë, por edhe hyri thellë në fatet e vendit, aq sa u quajt mbretëresha e pakurorëzuar e malësorëve. Mjafton të citoj vetëm dy fjalë të saj: “Nuk ka shembull në histori përpjekja e shqiptarëve për të lëvruar gjuhën e tyre”. Për koleksionin e veshjeve dhe të qëndismave nga Shqipëria e Jugosllavia të Durhamit ka botuar një punim Laura E. Start më 1939. Një pasuese e saj si antropologe mund të quhet Margaret Masson Hardie Hasluck (1885-1948). Ajo bëri kërkime më 1919 në Shqipëri e në Maqedoni dhe më 1926 ndërtoi një shtëpi në Elbasan, ku qëndroi deri më 1939. Më 1954 ka dalë libri i saj “Ligji i pashkruar i Shqipërisë”, që është përkthyer shqip. Përbëjnë një kureshti të padyshimtë libri i Carlton Stevens Coon-it “Malet e gjigantëve: një studim etnik dhe kulturor i gegëve të maleve të Shqipërisë Veriore” (1950) dhe i Antonia Young-ut “Gratë që u bënë burra: virgjëreshat e betuara shqiptare” më 1989.

Më sipër sipas rastit kam cituar përshtypjet për gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm britanikë. Kreun e vendit në këtë rast e zë W. Martin-Liku, i cili përpara se të zhvillohej gjuhësia europiane si shkencë e mirëfilltë, ka shkruar për shqipen, duke i dhënë studimit të saj një drejtim shkencor. Ai e formuloi të qartë mendimin për prejardhjen nga ilirishtja duke u nisur nga përfytyrimi i përgjithshëm historik; dha një paraqitje të strukturës gramatikore dhe hartoi një fjalor që mund të quhet i pari shqip-anglisht. Puna e tij i shërbeu gjuhësisë krahasuese-historike të mëpastajme. Nga vepra e tij e vitit 1814 kam përkthyer më 2006 pjesët përkatëse për shqipen me titullin Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe. J. C. Hobhouse-i (1786-1869), që erdhi te Ali Pasha bashkë me Bajronin, kishte mbledhur disa fjalë nga fshatrat e Atikës, mirëpo pasi gjeti gramatikën e F. Maria da Lecce-s, vendosi ta botonte këtë dhe kështu ka humbur një fjalorth i parë shqip-anglisht.

Ndryshe nga gjuhëtarët gjermanë, që i kushtuan vëmendje të posaçme shqipes në kërkimet e tyre krahasuese-historike, nuk ndodhi e njëjta gjë me gjuhëtarët kryesorë anglezë. Shqipja do të dilte me ndonjë cekje të zakonshme, si për shembull te “Historia e gjuhëve të Europës” nga A. D. D. Murray më 1823. Prandaj është interesante, se nga i ka marrë të dhënat E. Spenceri, i cili më 1853 ka shkruar: “Shqipja ka për bazë sanskritishten. Çuditërisht kemi gjetur se shumë prej fjalëve tona, të cilat nuk e kanë prejardhjen prej sanskritishtes, ngjasojnë me të asaj”. Robert Ellisi në një punim për etnografinë (1858) ka një fjalorth anglisht-armenisht-shqip, domethënë janë thërrimet e para të një fjalori anglisht-shqip. Fjalori “The Treasury of Languages” (1873) jep këtë përcaktim: “Shqipja është gjuha vendëse e Shqipërisë së re, një provincë bregdetare e Turqisë Europiane, e cila i përgjigjet Epirit të Vjetër; banorët janë një racë e përzier, që përfshin shqiptarët, të cilët ka gjasa ta kenë prejardhjen nga ilirët e lashtë, grekët dhe turqit”. Deputeti Joseph Covain ka mbajtur një fjalë në Dhomën e Komuneve më 4 shtator 1880, gjatë së cilës ka thënë edhe: “Shqiptarët janë më i vjetri komb i Orientit, ishin atje më parë se grekët e vjetër. Shqiptarët kanë legjenda, gjuhë dhe karakteristika të veçanta”. Shkrimtari dhe publicisti Athol Mayhew te një shkrim botuar më 1881 ka vënë në dukje se shqiptarët “Në gjuhën e tyre, të cilën kërkimet e kohëve të fundit e kanë cilësuar si një degë të veçantë të familjes indo-europiane dhe sipas Humboldtit: “një dërrasë që noton nga një anije, e cila është mbytur në oqeanin e kohës dhe e humbur për shekuj”; ata e quajnë veten shqiptarë ose malësorë”. Për publicistin mbështetës të palëkundur të çështjes shqiptare, H. Ch Woods-in, “Gjuha shqipe, të cilën shumica e autoriteteve e quajnë se është me origjinë ariane, ndoshta ka qenë gjuha zanafillëse e gjithë njerëzve në Gadishullin e Ballkanit”.

Vetëm në shekullin XX një dijetar anglez iu kushtua gjerësisht shqipes. Ky ishte Stuart Manni (1942-1986). Qëndroi në Shqipëri më 1929-1931 dhe jepte anglishten në Shkollën Teknike Amerikane; e ka dhënë shqipen në Universitetin e Londrës më 1947-1972. Pasi botoi më 1932 një “Gramatikë të shkurtër të shqipes”, në të cilën ka edhe një fjalorth shqip-anglisht me rreth 800 fjalë, mbështetur në dialektin e mesëm. bëri një provë të pjesshme  më 1938 për një fjaloir të shqipes, më pas ai e zgjeroi punën dhe e botoi më 1948 si “Fjalor historik shqip-anglisht”, që mund të quhet fjalor i tipit të thesarit. Duke u mbështetur në këtë, autori ndërmori hartimin e një “Fjalori anglisht-shqip”, që u botua më 1957 dhe u ribotua më 1966 në Prishtinë, me rreth 28 mijë fjalë. Shqyrtimin leksikografik të këtyre dy veptave e kam paraqitur më 1970 në “Studime filologjike” dhe frëngjisht më 1971 në “Studia Albanica”. Më 1974 ka përgatitur edhe “Një gramatikë historike të shqipes”. Si shembull për qëndrimet e tij shkencore po citoj vetëm pak radhë nga Parathënia e Fjalorit 1948: “Shqipja është një pjesëtare e veçantë dhe e pavarur e familjes së gjuhëve indo-europiane. Si e tillë ajo është qartazi po aq e rëndësishme për studimin krahasues si edhe gjuhët motra të saj: latinishtja, greqishtja, sllavishtja, lituanishtja etj., me të cilat paraqet një shkallë pothuaj të njëjtë farefisnie”.

Edhe M. Hasluck-u ka botuar një vepër “Këndime englisht-shqip” më 1932, ku ka përfshirë përralla popullore të përkthyera, dy sprova gramatikore dhe dy fjalortha, Nga gjuhëtarët e sotëm mund të përmend Simeon Potter-in (1898-1976), pjesëmarrës në Rrethin Gjuhësor të Pragës dhe profesor universitar, për të cilin te “Gjuha në botën moderne” (1961) shqipja pa dyshim përbën një degë më vete ndër tetë degët e gjalla indo-europiane. Davis Crystal-i, gjuhëtar i shquar anglez, ka shkruar në Enciklopedinë e gjuhëve të Oksfordit (1987) për shqipen dhe, pasi ka përsëritur mendimin se përbën një degë të veçantë në familjen indo-europiane, ka shtuar se “Pas Luftës së Dytë Botërore gjuha zyrtare mbështetet në dialektin toskë”.

Është e natyrshme që Shqipëria dhe gjuha shqipe zënë vendin e tyre në enciklopeditë. Ndër to është më e njohura botërisht “Enciklopedia Britanike”; në botimin e saj të vitit 1970 bashkë me të dhënat e tjera të kuptueshme, është vënë në dukje: “Gjuha e përbashkët ka shërbyer si forcë bashkuese për zhvillimin e kombit shqiptar”. Ndërsa “Enciklopedia Ndërkombëtare e Gjuhësisë” e Oksfordit më 1992 ka sjellë një varg të gjatë të dhënash me shifra, prej të cilave po veçoj: “Arvanitishtja më 1977 ka pasur rreth 140000 folës në Greqi”. Së fundi, më 2006 kemi përkthyer “Enciklopedinë e përgjithshme” të Oksfordit në një vëllim (“Oxford Paperback Encyclopedia”, 1999), në të cilën përsëriten shkurt njohuritë e zakonshme, por ka gjetur vend të vërë në dukje se ka afëri me gjuhën e lashtë të folur në Daki, ndërsa për dialektet vëren se, me përjashtim të trajtave të skajshme, dialektet nuk janë ndërsjelltas të pakuptueshme.

Letërsia dhe artet. Tema shqiptare në letërsinë angleze është e rrallë, por ajo shfaqet te shkrimtarë të shquar. Edhe në këtë rast forca tërheqëse e figurës së Skënderbeut është në krye. Mendohet se ka humbur dorëshkrimi i dramës së Christopher Marlowe-ut (1564-1593) “Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit”. Një tragjedi për Skënderbeun i përket William Havard-it (1733). Soneti për Skënderbeun i poetit E. Spencer është botuar në një histori të Skënderbeut, që ishte përkthyer anglisht më 1596. Autori i katër dramave të tjera, George Lillo, ka krijuar një tragjedi për Skënderbeun më 1734. Më e njohur ka qenë tragjedia e Tomas Whinkop-it “Skënderbeu ose Dashuri dhe Liri” (1747), në të cilën në frymë neoklasiciste ngrihet lart heroi për çlirimin e atdheut. Poemën e Henry Longfellow-t prej librit të tij “Tregime të një hani afër udhës” (1873) e ka përkthyer me mjeshtëri Fan Noli. Mendohet se romanin e parë anglisht e ka shkruar Bentley, ndërsa është përkthyer shqip më 1967 romani i James Ludlow-t (1887) me titullin “Kostandini dhe Morsinia (Kapiteni i Jeniçerëve)”. Pa dyshim, zulmën më të madhe e ka pasur poema e Xh. Bajronit “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, 1812, përkthyer shqip nga S. Luarasi më 1955. Mendohet se Bajroni do të ketë lexuar librin e R. Knolles-it, nga ku ka marrë përfytyrimin e Skënderbeut, që luftonte me krahun e përveshur dhe i pëlciste gjaku nga buzët prej vrullit. Shqiptarët për Bajronin ishin trima dhe të besës e të nderit; “ç’armiq për vdekje, por sa miq besnikë”. Te shqiptarët i kishte bërë përshtypje ngjashmëria me malësorët e Skocisë, madje edhe e folura e tyre i vinte me një tingëllim kelt.

Veprave të artit nga piktorët e huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët u ka kushtuar disa botime të jashtëzakonshme me riprodhime Ferid Hudhri, prandaj këtu po rendis disa nga autorët anglezë pa komente për realizimet e tyre. Edward Dodwell, topograf, arkeolog dhe piktor, udhëtoi në Greqi dhe në Shqipërinë e Jugut më 1801-1806 dhe bëri një botim më 1819. Po ashtu arkeologu dhe piktori Charles Robert Cockerell udhëtoi edhe në Shqipëri më 1813 bashkë me Th. Hughes-in, në librin e të cilit më 1820 janë përfshirë punimet e tij. Piktori Joseph Cartwright (1789-1829) ka botuar dy libra, një më 1821 për Ishujt Jonianë dhe një më 1822 “Përzgjedhje e kostumeve të Shqipërisë dhe të Greqisë”. Udhëtari e piktori H. W. Williams (1773-1829) gjithashtu ka botuar dy libra, të parin më 1820 dhe të dytin më 1829 në dy vëllime me pamje të zgjedhura dhe ilustrime klasike. Tjetër udhëtar e piktor ka qenë William Gell (1777-1836), që ka rrëfyer për një udhëtim në More më 1823. Më i njohur ndër të gjithë është peizazhisti Edward Lear (1812-1888), i cili ka bërë më shumë vepra për Shqipërinë prej udhëtimeve të tij nga Jugu në Veri, madje ka përshkruar edhe kostume shkodrane të grave. F. Hudhri ka paraqitur me përpikëri edhe veprat e Henry Cook- ut (1853), Poer Beresfordit (1855), Gambier Parry-t (1889), Jerry Barret-it (1856), E. Caldwell-it. E vlen të veçohen edhe dy gra udhëtare e piktore: Mary Adelaide Walker, e cila ka shkruar për udhëtimin nga Maqedonia te liqenet e Shqipërisë (1864) dhe për vise të Ballkanit më 1897, kurse piktorja C. H. Brown ka akuarele dhe gravura nga “Një dimër në Shqipëri”, botuar më 1888. Edhe E. Durhami shpesh veprat e veta i shoqëronte me skica e vizatime. Në ditët tona gazetarja e fotografja Primrose Peacock ka qenë në Shqipëri më 1993 dhe ka nxjerrë librin “Një qiri për Shqipërinë” (1999). Më 1927 kanë dalë dy botime: me vizatime e akuarele nga Cora dhe John Gordon në “Dy vagabondë në Shqipëri”, si dhe nga udhëtari e grafisti Paul Edmond “Për në vendin e Shqiponjës”.

Për studimet rreth letërsisë shqipe ekziston një libër i vogël i S. Mann-it “Letërsia shqipe”, 1955, ndërsa janë të shumta shkrimet rreth veprave të Ismail Kadartesë, që janë përkthyer anglisht. Për muzikën kanë dalë dy punime të June Emersonit: “Shqipëria: Kërkimni për Këngën e Shqipes” më 1971 dhe “Muzika e Shqipërisë” më 1994.

Pas përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës turistike, Shqipëria është bërë një vend tërheqës edhe për britanikët. Më 1988 William B. Blandi kishte botuar një “Udhërrëfyes të shkurtër për në Shqipëri”, ndërsa Peter e Andrea Dawson dhe Linda White kanë botuar “Albania Guide and Illustrated Journal”. Pa dyshim udhërrëfyesi më i rëndësishëm, i ngjeshur me informacione dhe me të dhëna historike është ibri i J. Pettiferit (2001): Albania and Kosovo. Blue Guide, që e kam përkthyer  shqip: Shqipëria dhe Kosova. Tiranë, 2003.

*

*          *

Si përfundim mund të thuhet që, pavarësisht prej luhatjeve dhe kontradiktave të llojllojshme gjatë periudhave të ndryshme, qëndrimi i politikës britanike kundrejt shqiptarëve ka qenë pozitiv, ndërsa qëndrimi i britanikëve, domethënë i udhëtarëve, historianëve, studiuesve, letrarëve e artistëve, me disa përjashtime të pakta, ka qenë dashamirës. Në këto rrethana aq më pak ka kuptim të flitet për një rrezik anglo-amerikan kundër Shqipërisë; përkundrazi, me ngjarjet që nga Konferenca e Paqes në Paris dhe deri te ndërhyrja për pavarësinë e Kosovës, politika e SHBA dhe e Britanisë janë përvijuar si mbështetja më e fuqishme e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Exit mobile version