Asociacioni në përputhje me Kushtetutën 2015:
https://xk.usembassy.gov/sq/intervista-e-ambasadorit-delawie-per-gazeten-zeri-30-dhjetor-2015/?fbclid=IwAR2Zmkbhmjnf3jPwYRmxFvPt5xZRse4Wosqm7_Z2zG3xfPBzpHXJzi_UPs4 LINKU NGA AMBASADA AMERIKANE 2015:
Asociacioni në përputhje me Kushtetutën
Ambasasadori Greg Delawie thotë se sipas vendimit të Gjykatës, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për Zërin, numri një i Amerikës në Kosovë thotë se Gjykata i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si duhet hartuar Statuti, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Arbana Xharra: Ambasadori Delawie shpjegon se Gjykata i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si duhet hartuar Statuti i Asociacionit, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën. “Po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën, por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Këto janë komentet e ambasadorit amerikan në intervistën ekskluzive dhënë gazetës “Zëri”, i cili do të botohet në dy vazhdime. Në mes tjerash, ai foli edhe rreth zgjedhjeve të ardhshme në vend, të cilat sipas tij janë të parapara për tu mbajtur në vitin 2018. Gjatë intervistës, ai foli edhe për arrestimin e deputetëve të opozitës dhe këmbënguli se çdo zyrtar qeveritar, i akuzuar për korrupsion duhet të tërhiqet nga pozita, të paktën deri në fund të procesit juridik. Në pjesën e dytë të intervistës, e cila do të botohet pas numrit të Vitit të Ri, ambasadori amerikan flet për Gjykatën Speciale dhe kush do të mund të arrestohej nga kjo Gjykatë; për dialogun me Serbinë dhe për numrin e madh të kosovarëve që iu kanë bashkuar ISIS-it.
Zëri: Nëse mund t’ia fillojmë me bllokadën politike. Në një anë e kemi opozitën që thotë se nuk do ta pranojnë këtë marrëveshje, kurse në anën tjetër e kemi qeverinë. Cila mund të jetë zgjidhja?
Ambasadori Delawie: Mendoj se duhet t’ia fillojmë duke thënë se Kuvendi i tashëm është rezultat i zgjedhjeve të vitit 2014, të cilat gjerësisht janë vlerësuar si të lira dhe të drejta nga OSBE-ja, nga qeveria amerikane dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për mua kjo do të thotë që Kuvendi ka legjitimitet demokratik. Kur ishte këtu para 3-4 javëve, Sekretari Kerry e bëri shumë të qartë pikëpamjen tonë se kuvendet duhet të jenë vende të dialogut, vende të debatit, vende të mospajtimeve, por jo vende të dhunës. Prandaj, mendoj se është shumë me rëndësi që ata që e pengojnë rolin e Kuvendit duke përdorur dhunën duhet ta rimendojnë qëndrimin e tyre dhe të mendojnë se cili është interesi i Kosovës në afat të gjatë. Sipas mendimit tim, është me rëndësi që Kosova të ketë Kuvend funksional, i cili mund të përkujdeset për disa prej problemeve me të cilat përballet Kosova sot dhe ma merr mendja se të gjithë e pranojmë këtë. Shumë prej tyre mund të zgjidhen ose të paktën të përmirësohen duke vënë në jetë ligjet, të cilat mund t’i miratojë Kuvendi. E di se Presidentja është përpjekur që të ndërmjetësojë një diskutim ndërmjet qeverisë dhe opozitës. E di se koalicioni qeveritar ka bërë oferta për diskutim me opozitën dhe deri tash këto oferta janë refuzuar, që është për të ardhur keq. Mendoj se problemet e njëmendta të Kosovës mund të zgjidhen me debat e dialog në Kuvend.
Zëri: Opozita këto ditë po kërkon zgjedhje sepse nuk duan as të dëgjojnë për dialog; nuk duan të ulen me partitë në koalicion dhe të diskutojnë. Në këtë çast e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është plotësisht në përputhje me kushtetutën.
Ambasadori Delawie: E di se këtë e ka thënë opozita. Po ashtu e di se në një demokraci parlamentare, partitë që i kanë numrat në kuvend, ato që e kanë shumicën kanë të drejtë të vendosin rreth politikave qeveritare. Pra, qeveria e përfaqësuar nga shumica në Kuvend, ka vendosur të hyjë në këtë marrëveshje me Serbinë rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo është e drejtë e tyre. Ato e kanë shumicën në Kuvend dhe ato kanë të drejtë të vendosin rreth politikave të vendit. Nëse njerëzit nuk janë të kënaqur me politikat e Qeverisë, ata janë të lirë të bëjnë fushatë kundër tyre gjatë zgjedhjeve. Sa kam njohuri unë, zgjedhjet e ardhshme në Kosovë – me orar – janë të parapara në vitin 2018, pra ka mjaft kohë për përgatitje.
Sa i përket vendimit të Gjykatës: e kemi lexuar aktgjykimin me shumë vëmendje. Ishte i gjatë dhe ligjor dhe çka e kam kuptuar nga vendimi i Gjykatës është se të kesh Asociacion të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata i ka dhënë qeverisë udhëzime specifike se si mund të hartohet statuti për këtë Asociacion në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe aty po ashtu thuhet se duan ta shohin statutin kur të hartohet. Pra, po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën, por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Zëri: Ka thirrje për protestë të madhe më 9 janar 2016. Çka pritni? Opozita qartazi është e palëkundur në kërkesat e tyre dhe e shohim se as nuk duan ta pranojnë këtë marrëveshje. Pra, a është zgjidhje arrestimi i deputetëve të opozitës duke pasur parasysh se janë të gatshëm t’i thërrasin njerëzit për të dalë në rrugë?
Ambasadori Delawie: Në çdo vend demokratik protestat janë pjesë e rëndësishme e dialogut politik. Natyrisht që ka protesta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në vendet e tjera evropiane. Mendoj se e rëndësishme rreth protestave është që të jenë të qeta. Shenja, thirrje, pankarta e gjërat e tilla janë në rregull, por është më se e sigurtë që do t’i shkuraroja protestuesit nga përdorimi i koktejve të molotovit ose mënyrave të tjera të dhunës që janë negative për demokracinë e Kosovës. Sa i përket arrestimit të njerëzve të opozitës, të jem i sinqertë ajo që më shqetëson është kur njerëzit mendojnë se meqenëse janë deputetë ata janë mbi ligjin dhe që nuk duhet t’iu përmbahen rregullave të njëjta si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Nëse e shkel ligjin, pa marrë parasysh kush je, atëherë duhet t’i nënshtrohesh të njëjtit sundim të ligjit, të njëjtës drejtësi si çdo person tjetër.