Shkruan: Michael Rubin, Washington Examiner
15 vite më parë ishte thjesht një roman i shkruar me nacionalizëm të tepruar e me teori të çmendura komploti, por në Turqi u shit shumë shpejt.
Bëhet fjalë për librin e shkrimtarëve turq Orkun Ucar dhe Burak Turna, i titulluar “Stuhia e Metalit’, ku imagjinohej një luftë midis SHBA-ve dhe Turqisë. SHBA-të pushtonin Stambollin ndërsa një agjent turk hakmerrej duke vjedhur një predhë bërthamore e duke e lëshuar në Uashington. Rusia e Kina, si përfundim, i vinin Turqisë në ndihmë. Fantazitë në libër shkonin shumë larg, por analistët në atë kohë thoshin se mundësitë që Turqia dhe Amerika të futeshin në luftë ishin në fakt reale. Ka ardhur koha të pranojmë që kishin të drejtë.
Jo, SHBA-të s’do të ndërmarrin ndonjë sulm kundër Turqisë tani afër apo të futen ushtarakisht në territorin e vendit aleat në NATO-s, por udha në të cilën Presidenti Erdogan e ka futur Turqinë sugjeron se në vend të partneritetit dhe bashkëpunimit, në të ardhmen do të ketë armiqësi dhe konflikte. Ndoshta jo tani, por nuk është e pamendueshme që Turqia e Amerika të përballen ushtarakisht një ditë.
Shikoni rrugën që ka ndjekur Erdogani deri tani:
Erdogani është më i afërt me Rusinë dhe Iranin sesa më SHBA-të. Ka pasur disa zëra në Uashington që Amerika duhet të fajësojë veten për prishjen e marrëdhënieve, por nuk është aspak ashtu. Erdogani nuk i ktheu sytë nga Rusia sepse SHBA-të nuk po mbështesnin turqit. Në fund të fundit, Moska strehoi udhëheqësit e kurdëve të Sirisë, ndërsa Uashingtoni pranoi kërkesën e Ankarasë për t’i mbajtur kurdët të izoluar. Kur kurdët e Sirisë sulmuan forcat pushtuese turke, e bënë me Kallashnikovë dhe me granatë-hedhës të marra nga Rusia dhe nga klientët e tyre, jo nga SHBA-të. Turqia i ka kthyer sytë drejt Rusisë për shkak të frymës anti-amerikane që ekziston e rrënjosur thellë mes udhëheqësve të saj. Anti-amerikanë, anti-NATO, anti-perëndimorë… këto janë fjalët kyçe nëpër fjalimet e Erdoganit.
Ushtria turke, dikur fortesë e laikëve, është kthyer tashmë në lokomotivë të islamit. Çdo oficer, deri te togerë-kolonelët, kanë ardhur në karrierë gjatë kohës së Erdoganit. Për shkak manipulimit me emërimet, të gjithë oficerët me dy, tre e deri në katër yje gradash, sot janë njerëz të Erdoganit. Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke, Hulusi Akar, ka tradhtuar kolegët dhe betimin e tij për hir të ambicies personale. Fetih TV shfaqi javët e fundit pamje që tregonin se si mullahët islamikë (që njihen për qëndrime të ashpra) po vizitonin njësitë ushtarake turke. Dogu Perincek, udhëheqësi filozofik i ushtrisë turke, është një ish maoist me ide shumë të forta kundër NATO-s dhe pro Rusisë. Adnan Tanriverdi, këshilltari ushtarak i Erdoganit, është një islamik që themeloi agjencinë SADAT, që tani është bërthama e milicisë personale të Erdoganit, e ngjashme me Gardën Islamike Revolucionare të Iranit.
Mes ushtrisë turke ka mbetur shumë pak disiplinë. Erdogani ka shkarkuar shumicën e oficerëve profesionistë. Ata që kanë mbetur bëjnë video se si nderohen mafiozë si Sedat Peker apo Burak Doner. Ndonëse SHBA-të mund të mos duan luftë të hapur me Turqinë, nuk është a papërfytyrueshme që një islamik radikal brenda rangjeve të ushtrisë turke të ndërmarrë veprime që mund të imponojnë përgjigje.
Veç kësaj, ka akuza për sponsorizim terroristësh. Është thënë se Erdogani ka mbështetur dhe ka armatosur shumë udhëheqës të Hamasit. Shteti Islamik mund të mos kishte ekzistuar fare në Irak dhe në Siri sikur Turqia të mos i kishte hapur dyert për dhjetëra mijëra luftëtarë të huaj. Disa e-mail-e që thuhej se ishin të dhëndrit të Erdoganit, tregonin se si ai përfitonte të ardhura nga ekzistenca e Shtetit Islamik. Kur një gazetar turk akuzonte se kishte foto që tregonin se Erdogani po armatoste një grupim në Siri që kishte lidhje me Al Kaedën, ai gazetar u burgos. Perëndimi mund të duartrokasë princin saudit Muhamed Bin Selman për shtypjen që u kanë bërë ekstremizmit, edhe pse sauditët e kanë sponsorizuar vetë për dhjetëra vite, por punën e tyre tani po e vazhdon Turqia në Azi, në Afrikë dhe në Europë. Financimi i xhamive radikale nga Turqia tregon që tani ai shtet po indoktrinon, po financon dhe po stërvit një brez të ri ekstremistësh.
Kërcënimet turke kundër SHBA-ve dhe aleatëve të tyre po bëhen më të shpeshta. Kur kompania amerikane nga Hjustoni, “Noble Energy”, filloi në vitin 2011 të kërkojë naftë në ujërat territoriale të Qipros, Ministri turk Egemen Bagis e paralajmëroi personelin amerikan të mos futet në rajon, dhe tha: “Prandaj e kemi marinën. I kemi stërvitur për këtë punë. I kemi armatosur për këtë punë. Të gjitha mundësitë janë të hapura. Mund të bëjmë gjithçka.” Sugjerimet e fundit të Erdoganit për të krijuar një “ushtri islami” në mendjen e tij nuk janë thjesht retorikë.
Turqia ka qenë gjithnjë revanshiste, por teksa ekonomia e tyre po tkurret (monedha turke ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës gjatë udhëheqjes së tij), Erdogani i ka shtuar pretendimet për territoret e fqinjëve. Mendoni pak këtë: Turqia ka një të tretën e territorit në Qipro; kontrollon territor në Irak dhe në Siri kundër dëshirës së qeverive në të dy vendet. Muajt e fundit ka pasur mosmarrëveshje territoriale në Greqi dhe në Bullgari. Edhe një herë, kjo nuk është thjesht retorikë: incidentet midis Greqisë dhe Turqisë kanë arritur kulmin kohët e fundit.
Perëndimi ka një problem me Turqinë dhe është budallallëk të mendohet e kundërta. Po, Turqia është një vlerë e madhe strategjike, por ka humbur tashmë. Ka kaluar në anën e Rusisë, njësoj si Egjipti dhe Libia gjatë Luftës së Ftohtë. Ndryshimi në atë kohë ishte që Perëndimi e pranoi humbjen dhe mori masa për të kufizuar dëmet; nuk shtirej sikur vazhdonin të kishin një aleancë dhe t’i lejonin armiqtë të kishin lejekalim në sekretet e tyre të mbrojtjes, dhe as nuk ndante me ta informacione strategjike apo teknologjinë më të fundit të avionëve.
Diplomatët dhe analistët diskutojnë shpesh se Turqia e Erdoganit ka nevojë për një angazhim më të madh e më të kujdesshëm, në vend të shtrëngimeve të ashpra. Por historia ka treguar se masa të tilla japin shumë pak rezultat. Në fakt, armiqësia nga turqit është rritur shumë gjatë këtyre viteve, gjë që është mohuar nga NATO e nga presidentët amerikanë Bush e Obama. Përpjekjet për t’u angazhuar në mënyrë diplomatike me Erdoganin sot duken si përpjekjet e 30 viteve më parë për ta bërë Sadam Huseinin të kthehej në udhëheqës të moderuar. Më 15 Qershor të vitit 1990, i ndjeri Senator Arlen Specter, shpjegoi se pse po i kundërshtonte sanksionet kundër Irakut. “Ekziston një mundësi, ose MBASE ekziston një mundësi, që të vazhdojmë diskutimet me Irakun. Mendoj se nuk është koha e duhur për të vendosur sanksione”. Kur Spekteri foli në Senat, ideja se Amerika mund të futej në luftë me Irakun dukej çmenduri. Por vetëm një muaj më vonë veprimet e Sadamit e çuan SHBA-në drejt luftës. Ajo që dukej e paimagjinueshme pak kohë më parë tani ishte mundësi reale.
Teksa Erdogani zgjedh rrugën e tij, SHBA-të dhe Europa kanë detyrimin të pranojnë se ajo që dikur dukej e pamundur, tani është e mundshme. Ndonëse duhen marrë të gjitha masat për ta parandaluar një skenar të tillë, është koha që (më e pakta) të kufizohen dëmet në vend që të bëhet partneritet me Erdoganin. Ka ardhur koha të largohet gjithë personeli amerikan (dhe predhat e mbetura bërthamore) nga baza ajrore në Incirlik. Duhet t’u gjejmë një shtëpi tjetër, para se turmat nacionaliste rrotull Incirlikut të kthehen në shkëndija konflikti. SHBA e ka të domosdoshme për sigurinë e vet kombëtare që ta mbajë Turqinë larg informacionit dhe larg teknologjisë ushtarake, (edhe për “F-35 Joint Strike Fighter”), dhe të pranojë se për të parandaluar konfliktet e mundshme duhet të shtojnë përgatitjen ushtarake të vendeve si Greqia, Qiproja, Izraeli, Rumania, Kosova, Bullgaria, Iraku si dhe kurdët në Siri e Irak, duke i kthyer kështu përgjigje sfidës turke. Historianët le të debatojnë sa të duan se kush e ka fajin për largimin e Turqisë, por është e qartë që Turqia nuk është më vend mik apo aleat i perëndimit, por është kthyer në kundërshtar të mundshëm lufte. /TCh