Anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alim Rama, ka deklaruar se posedon mbi 1.2 milionë euro të gatshme.
Rama në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka bërë të ditur se ka 1,278,541 euro në banka të ndryshme, përfshirë edhe në Amerikë.
Në Prishtinë ai ka deklaruar se ka para të gatshme 720,252 euro, ndërsa pjesën tjetër e ka në një bankë të Amerikës, që kap shumën prej 558,289 euro.
Por, Rama ka edhe pasuri të paluajtshme, të luajtshme e letra me vlerë.
Si pasuri të paluajtshme ai ka 441,000 euro që përfshijnë toka, një shtëpi e dy banesa. Kurse, të luajtshme ka dy vetura: Një në pronësi të tij dhe një të bashkëshortes me vlerë në total prej 55,000 eurove.
Si letra me vlerë ai ka 200,000 euro në një bankë në Amerikë, ndërsa të hyrja vjetore nga puna e tij në UNDP ka marrë 89,173 euro e nga KQZ 13,821.71 euro.
Anëtari i KQZ-së nga LVV ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortes së tij që është 22,368 euro.
Rama po ashtu ka deklaruar se merr të hyra edhe nga interesi dhe certifikatë aksionesh dhe kursimet nga banka në Amerikë, UNFCU, në vlerë 5,016 euro.
Rama, ka sqaruar në fund të formularit të plotësuar se gjatë vitit 2019 ka punuar si staf ndërkombëtar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht për UNDP në Afganistan.
“Kombet e Bashkuara paguajnë kostot e riatdhesimit në proporcion me nivelin, gradat dhe kohën e shërbimit disa muaj pas përfundimit të kontratave në mënyrë që ata të riatdhesohen nëpër shtetet prej nga vijnë. Në periudhën e raportimit, unë kam pranuar pagesat e riatdhesimit nga UNDP në vlerën e cekur më lartë”, ka shkruar Rama.