Anëtarja e PDK-së, Arbana Xharra ka reaguar ndaj publicistit Veton Surroi, i cili ironikisht në Facebook ka propozuar që Opera dhe Teatri të ngriten në Skenderaj, pas debatit se ku të vendoset Stadiumi i Kryeqytetit.
“…dhe Teatri e Opera në Skenderaj”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Xharra ka reguar ashpër ndaj Surroi, duke quajtur ironinë e tij “mendësi me nuanca të shprehura të fashizmit të një ‘qytetari’ racist e primitiv”.
Sipas Xharrës, Surroi ka mllef ndaj Drenicës, duke thënë se Surroi nuk është i vetmi djalë i ambasadorit që e flet anglishten 18 vjet pas luftës.
“Veton Surroi paska ironizuar me stadiumin olimpik në Drenas, duke thënë se tash “teatri e opera në Skenderaj”. Mendësi me nuanca të shprehura të fashizmit, të një “qytetari” racist e primitiv. Më tepër se irritim, në qëndrimet e tij ndaj Drenicës, ka mllef. Kanë kaluar 18 vjet që nga mbarimi i luftës Veton dhe nuk je i vetmi djalë i ambasadorit që e flet anglishten. Tash të ka mbetur vetëm të shkruash statuse, sepse edhe “katundarët” kanë ecur përpara – madje edhe në opera po shkojnë. Je shuar për së gjalli dhe nuk je gjë tjetër, përveçse një “aristokrat” i harruar me ego të sëmur!”, ka shkruar Xharra në reagimin e saj.
Surroi nuk i është përgjigjur Xharrës në mënyrë të drejtpërdrejt, por ai ka reaguar sërish në Facebook.
“Dakord, e kuptova. Nëse Stadiumi olimpik duhet të ndërtohet në Drenas është e logjikshme që dhe Teatri dhe Opera të ndërtohen në Skenderaj. Dilema rreth këtyre përcaktimeve mund të jetë vetëm e armiqve të popullit”, ka shkruar sërish Surroi. /Periskopi/