Shkruan: Armend Zemaj
Lidershipi i LDK-së, në vazhdimësi po dëgjon me shumë kujdes e po ju qëndron shumë afër qytetarëve të vendit. Po ashtu, LDK po punon fuqishëm e po vepron në harmoni me interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Si opozitë, fokusin kryesor e kemi te zgjidhjet e problemeve, me theks të veçantë përballë krizave të cilat nga paaftësia e Qeverisë po thellohen edhe më tej. Edhe në politikën e jashtme, roli i LDK-së është tepër konstruktiv, ngase duke qenë anëtare e EPP-së, po bën përpjekje maksimale që të ndikoj e të përfitoj nga ky ndikim i partive simotra në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë dhe proceset tjera integruese. LDK, si themeluese e shtetit, natyrshëm që opozitë i bën pushtetit, mirëpo interesit të shtetit kurrsesi. Kjo është LDK-ja. Kjo është kultura jonë politike. Kështu do të jetë përherë; në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të shtetit.
LDK është në rrugë të mirë e të mbarë të rikthimit të saj në pozitën e saj origjinale; e para në vend, sepse aty është vendi i saj natyral. Një gjë e tillë u dëshmua në zgjedhjet e fundit lokale, ku LDK doli partia me përkrahjen më të madhe në vend.
Shtëpia e LDK-së është Republika e Kosovës, ndërsa LDK-ja është shtëpia e madhe politike e qytetarëve të vendit, ndaj dhe pandalshëm të gjithë po kthehen në shtëpinë e tyre.
LDK, është pasuri kombëtare. LDK është më e mira e vendit. LDK e ofron platformën më të mirë qeverisëse, të cilës do t’i prijë kryeministri i ardhshëm, Lumir Abdixhiku.
LDK është duke u angazhuar fuqishëm edhe në organizimin e brendshëm partiak, ku në të njëjtën kohë është duke u marrë me procesin e regjistrimit të anëtarësisë, zgjedhjet në Forum të Gruas dhe atë Rinor, si dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në 11 degë. Po ashtu, angazhim i jashtëzakonshëm është duke u bërë edhe me aktivitetet tona të shumta në mërgatë, ku i kemi dhënë vetës një detyrë dhe obligim të domosdoshëm: Lidhjen tonë me mërgatën, nga të hershme do ta bëjmë të përhershme, sepse këtë lidhje të shenjtë e ka ndërtuar i pari jonë e i shtetit tonë, Presidenti Rugova. Në të njëjtën frymë, kohë më parë, LDK ka mbajtur edhe konventën e saj programore “Lidhja për të ardhmen”, nga ku ka nxjerrë qëndrimet dhe orientimet e saj. Në këtë projekt madhor janë të angazhuara 28 grupe dhe qindra profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Në vazhdën e saj kemi nisur edhe ciklin e takimeve nëpër komuna, ku bashkë me qytetarë dhe strukturat tona po i ndërtojmë zgjidhjet konkrete të të gjitha problemeve, të cilat në kohë reale do të jenë të pasqyruara në programin qeverisës “Lidhja për të ardhmen”.
LDK po i dëgjon qytetarët. Lidhja jonë me qytetarët po forcohet për çdo ditë, ndaj “Lidhja për të ardhmen” është vetë zgjidhja adekuate për një Kosovë të zhvilluar e të sigurt.