Epilogu

Armët ilegale problem serioz, rritet numri i vrasjeve

Pak ditë më parë në qytetin e Pejës vdiq një grua, e cila u sulmua me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Një rast tjetër është edhe vrasja e të riut në Prishtinë gjatë javës së kaluar. E disa muaj më parë u vra edhe i mituri, Aulon Zeka, shkruan Indeksonline.

Raste të tilla, në Kosovë janë duke ndodhur mjaft shpesh, kurse njohësit e sigurisë këtë gjë e quajnë shumë shqetësuese, që duhet trajtuar në mënyrë shumë-dimensionale.

Burim Ramadani, njohës i sigurisë për Indeksonline ka thënë se armët ilegale në duart e qytetarëve është njëri prej problemeve më të mëdha të sigurisë publike në vend.

“Ekzistenca e armëve ilegale në duart e qytetarëve edhe më tutje është një prej problemeve të mëdha të sigurisë publike në Kosovë. Raportet publike flasin për një numër të madh të armëve ilegale, përkundër që ka pasur aksione të vazhdueshme për shkatërrimin e tyre.

Duhet një program gjithëpërfshirës kombëtar kundër armëve ilegale, duhet efikasitet më të madh të drejtësisë në rastet e tilla. Ndëshkueshmëria ligjore duhet të rritet, si dhe kampanja vetëdijësuese për qytetarët”, tha Ramadani.

Policia e Kosovës për Indeksonline ka thënë se deri në tetor të këtij viti kanë ndodhur 23 raste të vrasjeve, pa u përfshirë dy rastet e fundit. Prej këtyre rasteve, 17 prej tyre tashmë janë zbuluar nga Policia e Kosovës.

Exit mobile version