Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka arrestuar dhe ndaluar pronarët e kompanive “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Bëhet fjalë për tenderin 1.4 milionësh për “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.
Insajderi ka raportuar bazuar në të gjeturat e Avonet, lidhur me dyshimet se Komuna e Prizrenit vendos kritere për tenderë që t’i fitojnë kompanitë e afërta më ta.
Komuna e Prizrenit i ka dhënë kontrata të prokurimit publik kompanive të afërta me zyrtarët komunalë, thotë një raport i rrjetit të organizatave jo-qeveritare “AVONET”.
Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin lidhur me keqqeverisjen në Komunën e Prizrenit duke keq menaxhuar paranë publike dhe duke mos zbatuar ligjet e Republikës së Kosovës.
AVONET është duke monitoruar aktivitetet e prokurimit në Komunën e Prizrenit dhe gjatë monitorimit dhe hulumtimit AVONET ka identifikuar disa të gjetura dhe këto të gjetura janë në kundërshtim me ligjet dhe me standartin e qeverisjes së mirë.
Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka identifikuar se në tenderin me titull “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit” është ritenderuar një herë me arsyetimin që Komuna e Prizrenit konkretisht zyra e prokurimit ka bërë shkelje, ku institucioni i OSHP-së ka anuluar tenderin në fjalë për arsye se OE fitues nuk ka qenë i përgjegjshëm.
Ndërsa Komuna e Prizrenit rishpallë tenderin “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit” edhe pse OSHP-ja Komunës së Prizrenit ia rikthen për të anuluar procesin e parë të procesit të prokurimit për arsye të shkeljeve, andaj Komuna e Prizrenit ka favorizuar operatorin ekonomik duke vendosur në dosjen e tenderit kritere të favorshme për OE NAPS ShPK, si p.sh, në dokumentin përshkrimi teknik i produktit në dosjen e tenderit me numër 1.1 deri 8.17 këto produkte janë vetëm të një prodhuesi të cilat janë të dëshmuar me përshkrime dhe vizatime që figurojnë në dosjen e tenderit.