Pazaret politike për ndarjen e pushtetit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë përfunduar me sukses, kushtet nga dy partitë janë pranuar, shkruan Gazeta Metro.
Gazeta Metro ka mësuar se oferta e Lidhjes Demokratike të Kosovës është pranuar nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti ka pranuar që LDK’së t’i takon pozita e Kryetarit të Kuvendit, pozita e Presidentit dhe 5 ministri, kështu duke ofruar dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga pozita e Kryeparlamentarit.
Kurse, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbetur që pozita e Kryeministrit, zëvendëskryeministrit të parë dhe 5 ministri t’i marrin ata, shkruan Gazeta Metro.
Nuk dihet akoma nëse Kurti ka bindur Listën Serbe për ta votuar qeverinë e tij, po ashtu edhe nga komunitetet tjera pakicë ka disa mospakënaqësi, ku deputetja Dude Balje ka deklaruar se nuk do ta voton qeverinë Kurti.
Ndryshe, Kurti ka lëshuar udhë dhe ka pranuar ofertën e LDK’së vetëm për të formuar qeverinë e re të Kosovës, atë që e ka obligim pasi është mandatuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që me 3 shkurt të votohet në Kuvendin e Kosovës një qeveri e re.
Ky veprim nga Kurti për të pranuar ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe për të hequr dorë nga parime e tija të dikurshme, vjen pas kërkesave të shumta nga qytetarët për të parë atë si kryeministër të vendit, diçka që ishte kërkuar që një kohë të gjatë.
Kujtojmë se janë bërë 121 ditë qëkur qytetarët e Republikës së Kosovës i besuan programit të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku mbi 400 mijë qytetarë i dhanë votën këtyre dy subjekteve për të udhëhequr me shtetin e Kosovës.//gazetametro.net