Epilogu

Autorët britanikë: Ja si Sali Berisha vodhi muzetë në Shqipëri, MI6 angleze mbylli skandalin në Londër

Përpjekjet dhe veprimtaria e Sali Berishës, për të blerë mbështetjen e Perëndimit, gjatë sundimit të tij të parë 1992-1997, e bëjnë më të plotë mozaikun e veprimtarisë së tij kriminale dhe korruptive. Dy autorët britanikë, James Pettifer dhe Miranda Vicker, librin e tyre “The Albanian Question, Reshaping the Ballkan” (“Çështja shqiptare e rimodelimit të Ballkanit”), zbulojnë një nga skandalet më të rënda të konsumuara ndonjëherë nga Sali Berisha. Miranda Vickers, eksperte pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe James Pettifer gazetar, zbulojnë se Sali Berisha ka përvetësuar objekte me vlerë të pallogaritshme nga muzetë shqiptare, objekte të cilat ua ka bërë dhuratë liderëve të Perëndimit, me qëllim që ata të mbyllnin sytë apo të mbështesnin regjimin e tij. Konkretisht, Sali Berisha ka rrëmbyer objekte nga muzetë shqiptare, duke ia bërë dhuratë ish-kryeministrit britanik, Xhon Mejxher.

Ndërkaq, në libër shkruhet se skandali mori dhenë në Londër dhe Uashington, ndërsa është dashur ndërhyrja e shërbimit sekret britanik që afera të mbyllej. “Në Londër dhe Uashington u rikthye vëmendja ndaj marrëdhënieve të qeverisë së Xhon Mejxherit dhe regjimit të Berishës. Media britanike kishte thënë se vetë Mejxhër dhe ministri i Jashtëm, Duglas Hurd, dhe të tjerë anëtarë të qeverisë, kishin marrë dhurata nga Presidenti Berisha gjatë vizitës në Londër, dhurata që ishin tërhequr nga muzetë e Shqipërisë. Dyshimet rreth kësaj ngjarjeje do të plekseshin me disa të dhëna të tjera. Presioni në rritje nga Ministria e Jashtme Britanike bëri që Shërbimi Sekret MI6 të ndërhyjë në bllokimin e publikimit të ngjarjes në “The Cook Report” (një program investigativ), në nëntor 1995”, shkruhet në libër. Roli në vrasjen e Azem Hajdarit 

James Pettifer dhe Miranda Vicker hedhin dyshime mbi rolin e Sali Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit. “Berisha me siguri ishte i implikuar në ngjarjet e 12 shtatorit nëpërmjet njërit prej tre njerëzve që më vonë u dyshuan për vrasjen e Hajdarit: Jaho Salihit (Mulosmani), një shef policie, gjithashtu nga Tropoja (vendi i origjinës së Hajdarit). Në maj të vitit 2001, Salihi pranoi në gjyq se e kishte vrarë Azem Hajdarin. Megjithatë, vetëm dy muaj më vonë ai tha në gjyq se, pavarësisht se kishte marrë pjesë në vrasje, Azemi u qëllua nga Fatmir Haklaj, i cili ishte jo vetëm shef i policisë së Tropojës, por edhe kreu i bandave kriminale të qytetit. Hajdari ishte ngatërruar keqas në tregtinë plot dyshime të shitjes së armëve UÇK-së, e cila e kishte bazën në Tropojë. Ky ishte një biznes mjaft fitimprurës që hapi shumë gjakmarrje si pasojë e konkurrencës së egër midis tregtarëve të armëve”, thonë ata. Megjithatë, ata hedhin edhe një version të dytë. “Kishte a s’kishte dorë Berisha në vdekjen e Hajdarit, drejtpërdrejt apo tërthorazi është një ndër akuzat që ende kanë mbetur të paprovuara. Po kjo mund të thuhet dhe për akuzat e anasjellta të PD-së kundër Fatos Nanos. Por ekziston edhe një mundësi që Hajdari të jetë vrarë nga ndonjë prej fraksioneve brenda UÇK-së që grindeshin ashpër për dërgimin e armëve në Kosovë”, shkruajnë ata.  Adriatik Doçi 

Exit mobile version