Avansimet familjare në Fakultetin e Mjekësisë
Baba, nëna, vajza. Të tre ligjërojnë në të njëjtin fakultet. Qazimi ligjëron në Katedrën e Otorinolaringologjisë, Hajrija në Katedrën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, ndërsa vajza e tyre Vala u asiston dy profesorëve në lëndët Preventiva stomatologjike dhe Shëndeti publik oral.
E tërë familja Hysenaj janë të punësuar në Universitetin e Prishtinës.
Ngjshëm ishte edhe familja Daka, deri para një viti, kur Hysniu doli në pension.
Tani atij i ka mbetur në punë vetëm bashkëshortja Afërdita, me të bijën Qëndresën.
Gazeta Fjala, në një hulumtim një mujor, ka gjetur se janë dhjetëra profesor të cilët i kanë të punësuar edhe fëmijët e tyre si asistentë në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin e Mjekësisë.
Madje ka prej tyre që në këto pozita kanë më shumë se një fëmijë.
Është profesori Agim Vela, tashmë i pensionuar, i cili i ka të punësuar të dy fëmijët, Driton e Zana Velën. Po ashtu edhe profesori Adem Limani ka të punësuar si asistentb dy fëmijët e tij, Rinën dhe Zgjimin.
Punësimet prind-fëmijë nuk mbarojnë këtu. Asistentja Dafina Bytyqi është vajza e Cen Bytyqit, i cili është profesor në këtë fakultet.
Njëjtë sikurse Nora Berisha, e cila është vajza e Merita Koçinaj-Berisha, profesoreshë e rregullt në Mjekësi.
Se të gjithë këta kanë lidhje familjare, Gazeta Fjala e ka konfirmuar nga burime të saj brenda Fakultetit të Mjekësisë.
Ndonëse shumicës së këtyre asistenëteve nuk u figurojnë emrat në faqen zyrtare të këtij fakulteti (www.uni-pr.edu), ata vazhdojnë që të ushtrojnë pozitën e asistentit.
Shumica e këtyre profesorëve kanë qenë në komisionet vlerësuese për pranimin e asistentëve.
Por, ata e kanë mohuar kategorikisht të kenë ndikuar në punësimin e familjarëve, duke thënë se këtë punë e kanë komisonet recensuese.
Ata thonë se fëmijët e tyre janë punësuar me meritë.
Dekanja e Mjekësisë: Punësimet janë në rregull
Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, ka thënë se punësimet në këtë fakultet janë kryer me procedura të rregullta, së paku në periudhën sa ajo menaxhon nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
“Konkursi i cili eshte iniciuar dhe menaxhuar nga ne si menaxhment gjatë kohës 1,5 vjeçare (deri më tani) nuk ka pasur raste te tilla”, ka thënë Manxhuka-Kërliu.
Dekanja e Mjekësisë ka shpjeguar se si vie deri tek punësimi në fakultetin që ajo drejton.
“… Këshilli i Fakultetit te Mjekësisë bazuar në propozimet e komisioneve recensuese i propozon më tutje kandidatët Senatit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, i cili vendos për zgjedhjen e stafit akademik. Prandaj, Universiteti është punëdhënës dhe jo Fakulteti, njësia akademike”, ka thënë Manxhuku-Kërliu.
Ajo ka thënë se Këshilli i Fakultetit zgjedh bashkëpunëtorët bazuar në statutin e UP-së dhe Rregulloren për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm, e cila është miratuar nga Senati i UP-së.
Dallaveret në avansime
Janë bërë afro një vit, kur ishte ngritur rasti i Rozafa Koliqit, e cila kishte aplikuar për asistente të rregullt në Mjekësi, e që nuk u mor parasysh pavarësisht se plotësonte kriteret.
Rozafa, sipas publikimeve në medie, kishte përfunduar specializimin dhe doktoratën, por ky shkollim nuk i kishte mjaftuar që të zinte vendin e asistentes së rregullt në këtë fakultet.
Ndonëse ishte specialistja e vetme për farmaci klinike në Kosovë, Rektorati i UP-së kishte zgjedhur një specializant, duke e shkelur kështu edhe Statutin e vet.
Koliqi, e cila kishte doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, kishte konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, dhe pasi nuk ishte pranuar asistente e rregullt ishte detyruar të largohet nga UP-ja.
Ndërsa në vend të saj si asistent për Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi ishte pranuar një specializant.
Për të mos bërë Koliqi “zhurmë”, nxirret vendimi që ajo të sistemohet në një lëndë, ku ishte zgjedhur kandidati tjetër.
Kurse, pas ankesës dhe kërkesës së saj që paga të mos i vazhdojë më, pason një ndëshkim nga Rektorati për Koliqin me arsyetimin se nuk po i mban orët dhe t’i ndërpritet marrëdhënia e punës. Kurse, Koliqi kur lëshohet vendimi ishte pa kontratë pune.
Gruaja e ish-dekanit regjistronte studentë në këmbim të parave
4 mijë deri në 10 mijë euro. Kaq kushtonte të bëheshe student i Fakultetit të Mjekësisë dhe Fakultetit të Edukimit.
Kaq nevojitej edhe që të kaloje provimet në Fakultetin Ekonomik.
Insajderi pati raportuar se Esat Belaj, Arian Janova, Mevledun Beqiri, Kemajl Gashi, Arton Hoti, Gazmend Maliqi, Albion Haxhijaha, Leonard Bytyqi, Shaqir Reçica, dhe Amonda Orllati, ishin protagonistët kryesor në regjistrimet e paligjshme që bëheshin në Fakultetin e Mjekësisë.
Përpos këtyre, si persona që kishin regjistruar studentë në mënyre të paligjshme ishte përmendur edhe emri i ish-prodekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Hajrije Hundozi-Hysenaj, ish-rektorit Mujë Rugova dhe ish-dekanit të Fakultetit Filozofik, Selim Daci.
Ata kanë marrë shuma të parave nga 4 mijë deri në 10 mijë euro për regjistrimin e studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, atë të Edukimit etj., si dhe për dhënien e provimeve kryesisht në Fakultetin Ekonomik.
Honduzi-Hysenaj, që ishte edhe bashkëshortja e ish-dekanit të Fakultetit të Mjeksisë, Qazim Hysenaj, në bisedat telefonike në mes të Esat Belajt dhe Leonard Bytyçit, ishte përmendur se është duke i pritur paratë për regjistrimin e një studenteje.
Nga mesazhet që ishin publikuar në media, del se se nuk ka pasur raste kur nuk ia kanë dalë të regjistrojnë student në UP, apo të kalojnë ndonjë provim.
Kjo ishte konfirmuar edhe nga të dënuarit, si dhe nga dëshmitarët që për shërbimet e tyre kishin dhënë para.
Senati e Këshilli drejtues “në gjumë”
Se në Fakultetin e Mjekësisë ndodhnin regjistrime enorme të studentëve në vitin e parë, pranoheshin kandidatë që nuk e kishin kaluar as pragun 30 për qind, kandidatë që nuk ishin futur fare në provimin pranues dhe kandidatë me minus pikë, këtë ua kishte bërë me dije Senatit dhe Këshillit drejtues, dekani i atëkohshëm i Fakultetit të Mjekësisë, Gani Bajraktari.
Bajraktari përmes një shkrese të datës 13.01.2011, që ishte kualifikuar si konfidenciale, kishte ngritur shqetësim për të gjitha parregullsitë që po ndodhnin në mjekësi.
Por, edhe pse ishin të njoftuar për këto parregullësi, nuk ishte bërë as edhe përpjekja më e vogël që të vendoset rregull në këtë fakultet. Kishte përmendur saktësisht Degën e Farmacisë, ku me konkurs ishte paraparë të regjistroheshin aty 100 studentë.
“E keqja vazhdoi pas mbylljes së konkursit, ku u pranuan edhe 60 studentë të tjerë me rrugë të panjohura për mua, dhe këtë jo sipas një radhe të caktuar dhe pa parë fare testin provues të kandidatëve, por duke pranuar edhe kandidatë që nuk kanë kaluar pragun 30 për qind, edhe kandidatë me minus pikë”, thuhet në shkresën konfidenciale.
“E keqja edhe më e papranueshme në këtë rast – ndodh pranimi i dy kandidateve që fare nuk janë futur në provimin pranues”, thuhej më tej në këtë shkresë.