Shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, një ditë para zgjedhjeve lokale, kishte deklaruar se balotazhi në fakt vetëm u jep mundësinë partive politike që të bëjnë pazare rreth komunave dhe ka kosto shtesë të panevojshme.
Ajo ka thënë se me balotazh vetëm po ka humbje të kohës dhe vonesa në shpalljen e rezultatit zyrtar.
“Për mua personalisht kishte qenë më e lehtë edhe të organizohet dhe të jetë më pak e kushtueshme të kemi vetëm një raund të zgjedhjeve lokale, pra ai që fiton shumicën, të bëhet kryetar”, kishte thënë Daka.
Por, njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, njëherësh profesor i së Drejtës Kushtetuese, ka thënë për Telegrafin se çfarëdo veprimi të hiqet balotazhi, lypset plotësim-ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.
Sipas tij, një pako ligjesh që janë të vjetruara dhe aq me gabime e kundërshtime është dashur që moti të plotësohen–ndryshohen.
“Të bëhet një reformë rrënjësore e sistemit elektoral. Është menduar çështja e zonave, që Kosova të mos ketë një zonë, por disa të tilla. Më pas është menduar që presidenti të zgjidhet direkt nga populli. Të hiqet votimi me kusht, një institut vetëm për shoqëritë në tranzicion. Ka edhe shumëçka që të ndryshohet, gjë e cila kërkon një analizë të thellë dhe një debat publik shoqëror se a është më e mirë ose e domosdoshme të hiqet ose jo balotazhi”, ka shtuar Baraliu.
Sipas tij, debati do të duhej të fillonte menjëherë për këto ndryshime, sepse procedurat për plotësim- ndryshim të ligjeve, janë mjaft të gjata dhe debati i paraprinë çdo ndryshimi.
“Duhet të ketë debat të gjerë shoqëror, politik dhe mbi të gjitha akademik dhe institucional. Pastaj kjo parapërgatitje mundëson futjen e neneve të caktuara në plotësim të ligjeve dhe kushtetutës, e cila do të duhej të rishkruhej, meqë është e mangët, siç janë edhe këto ligjet për të cilat po flasim”, ka theksuar Baraliu.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Telegrafin se kërkesat për heqjen e raundit të dytë – balotazhit – në garën për kryetar të Komunave, kanë ardhur si pasojë e lodhjes së qytetarëve, subjekteve politike dhe trupave që merren me organizimin e zgjedhjeve, për arsye se brenda pesë muajve i kemi pasur dy palë zgjedhje.
Ai ka theksuar se heqja e balotazhit, duke lënë që kandidati i cili ka dalë i pari të marrë drejtimin e Komunës, dëmton legjitimitetin e tij, pasi sipas tij, mund të ketë kryetar të komunës që ka mbështetjen të më pak se 1/3 së votuesve – siç për shembull është rasti i Prizrenit , ku kandidati i parë ka marrë më pak se 30 për qind të votave.
Megjithëse, balotazhi ka kosto më të lartë financiare dhe kërkon angazhim më të madh, ka përparësitë e veta. Balotazhi iu mundëson votuesve të kenë edhe një rast për të votuar për kandidatët, të ri-mendojnë preferencën e tyre apo edhe të zgjedhin ndërmjet kandidatit të parë dhe të dytë. Balotazhi mund të inkurajojë interesa të ndryshme për t’u bashkuar pas kandidatëve të suksesshëm që mundëson edhe kompromise ndërmjet partive dhe kandidatëve. Gjithashtu u mundëson partive politike dhe elektoratit të reagojnë ndaj ndryshimeve që ndodhin ndërmjet raundit të parë dhe të dytë të votimit”, ka shtuar Krasniqi.
Sipas tij, disavantazhet e balotazhit shkaktojnë presion të madh mbi administruesit e zgjedhjeve, pasi kërkon që të përgatisin raundin e dytë të zgjedhjeve, për një periudhë shumë të shkurtër kohore, si dhe të certifikojnë sa më shpejtë rezultatet nga raundi i parë në kohën sa janë duke u marrë me përgatitjet për raundin e dytë.
“Poashtu edhe dalja në zgjedhje zakonisht është më e ulët. Sidoqoftë, reforma zgjedhore është e domosdoshme, por që duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke përfshirë grupe të ndryshme të ekspertëve të qeverisjes lokale, të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar të zgjedhjeve dhe grupe të ndryshëm të interesit. Një element që duhet adresuar krahas sistemit zgjedhor, është edhe pjesëmarrja në garë e kandidatit për nënkryetar të komunës, në rast të humbjes së mandatit nga ana e kryetarit, ai do ta zëvëndësonte atë, pa pasur nevojë që komuna të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se konsideron se aplikimi i votimit alternativë është zgjidhje më e mirë, duke shtuar se “me këtë metodë të votimit, votuesit qysh në raundin e parë votojnë edhe për preferencën e tyre të dytë, që eliminon nevojën të ketë raund të dytë të votimit nëse asnjëri prej kandidatëve nuk merr shumicën e votave”.
“Mirëpo, që kjo metodë është më e komplikuar si për votuesit ashtu edhe për numëruesit e votave që mund të qojë në shpalljen e shumë votave të pavlefshme nëse edukimi dhe informimi i votuesve nuk bëhet siç duhet”, ka shtuar Krasniqi.
Ndryshe, sipas ligjit për zgjedhjet lokale, respektivisht nenit 9, pikës 9.6, thuhet se nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind, plus një (1) votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, KQZ-ja organizon raundin e dytë të zgjedhjeve në mes të dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme.
Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diel, katër (4) javë pas raundit të parë, ku kandidati i cili fiton shumicën e votave të në rrethin e dytë zgjidhet Kryetar i Komunës.