Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pasur po ashtu vërejtje për materialet që po i nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Emmerson ka thënë se po detyrohen që të analizojnë shumë materiale të Prokurorisë, të cilave është e vështirë t’u gjendet lidhja.
“Pse na duhet ne ta ndërtojmë çështjen e Prokurorisë që të fillojmë hetimet tona”, tha avokati britanik.
Ai përmendi një material, ndërsa i tha gjykatësit Nicolas Guillou se edhe ai vetë “e di se s’ka prova”.
“Ju i nderuari gjykatës, e kuptoni nga analiza e provave që pretendimet e materialit kundër Kadri Veselit janë shumë të dobëta. Bazohet në prova që nuk ekzistojnë”, tha Emmerson.
“S’ka asnjë fije prove kundër tij”, theksoi avokati.