Epilogu

Avokati i Thaçit kërkon që nëntë diplomatë të lartë të ftohen për dëshmi menjëherë nga Specialja

Vdekja e ish-sekretares amerikane, Madeline Albright, e ka frikësuar edhe mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sepse Albright-i planifikohej të ishte dëshmitare në gjykimin e krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës. Albright-i, si diplomate e lartë, planifikohej të ftohej nga avokati i Thaçit për t’u marrë parasysh dëshmia shfajësuese e saj për ish-presidentin e Kosovës.

Sidoqoftë, vdekja e ish-sekretares amerikane e ka nxitur avokatin e Thaçit, Gregory Keohe, që të adresojë një kërkesë te Gjykata Speciale. Ai ka kërkuar që nëntë dëshmitarë të mbrojtjes, kryesisht diplomatë të lartë, të ftohen për ta dhënë dëshminë e tyre menjëherë, sepse janë në moshë të shtyrë dhe nëse procesi vonohet, dëshmia e tyre mund të mos shfrytëzohet gjatë procesit gjyqësor.

Në parashtrimin e avokatit të Thaçit, të cilin e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se dëshmitarët janë të moshës prej 77 deri në 88-vjeçare dhe nëse ka vonesa, atëherë dëshmia e tyre mund të mos shfrytëzohet, gjë që shkakton humbje për mbrojtjen në këtë proces.

“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal”, thuhet në parashtrimin e avokatit të Thaçit,

Avokati i ish-presidentit të Kosovës ka dhënë sqarime edhe për hollësi të cilat do të jepnin këta persona në dëshminë e tyre.

Avokati ka kërkuar që kryetarja e Gjykatës Speciale të përzgjedhë një anëtar të trupit gjykues ose tërësisht trupin gjykues qysh tash dhe të mundësohet dëgjimi i këtyre dëshmitarëve.

“Këta 9 dëshmitarë do të dëshmojnë për çështje që janë thelbësore për rastin kundër z. Thaçi, por duke mos u kufizuar në gjithë kohën e aktakuzës. Kjo përfshin strukturën, organizimin ose mungesën e tyre, të grupeve të ndryshme të individëve që përbëjnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), dhe ata persona që e konsiderojnë veten si UÇK, por që në asnjë mënyrë nuk kanë pasur lidhje me UÇK-në; Shkalla e autoritetit të z. Thaçi brenda UÇK-së ose mungesa e tij; dhe interesin e tij për të punuar dhe për të siguruar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar një zgjidhje politike të konfliktit, dhe kundërshtimin e tij ndaj dhunës ndëretnike dhe vrasjeve hakmarrëse që kërcënonin atë mbështetje. Ata gjithashtu do të dëshmojnë për sfondin historik dhe politik të konfliktit dhe situatës pas konfliktit në Kosovë”, thuhet më tutje në këtë parashtrim, transmeton Nacionale.

“Secili nga këta 9 dëshmitarë ka pasur kontakte personale me z. Thaçi, duke punuar me të dhe aktorë të tjerë të mëdhenj, vendorë dhe ndërkombëtarë, për çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen të gjithë gjatë kësaj kohe. Ata do të japin vëzhgimet e tyre për z. Thaçi dhe do të përshkruajnë ndërveprimet e tyre me të, duke përfshirë sjelljen, qëndrimet dhe sjelljen e tij gjatë periudhës së aktakuzës që janë relevante për akuzat kundër tij. Si të tilla, dëshmitë e tyre, të ardhura nga përvoja e viteve në konflikt dhe mjedise pas konfliktit, do t’i ofrojnë Trupit Gjykues një vështrim unik dhe të vlefshëm për ngjarjet dhe personat aq vendimtarë për të kuptuar konfliktin në Kosovë dhe krimet e ngarkuara në aktakuzë. Dëshmia e tyre e drejtpërdrejtë, siç është testuar rigorozisht përmes marrjes në pyetje dhe pyetjeve nga Trupi Gjykues, do ta ndihmojë shumë trupin gjykues në gjetjen e së vërtetës së asaj që ka ndodhur dhe përfundimisht në vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së z. Thaçi”, bëhet e ditur në pjesën tjetër të këtij parashtrimi.

Sipas avokatit Gregory Keohe, marrja në pyetje e këtyre dëshmitarëve mund të zgjasë disa javë. Sidoqoftë, duke e ditur rëndësinë e fjalëve të tyre, kjo duhet të bëhet menjëherë. Andaj ai ka kërkuar nga Kryetarja e Gjykatës Speciale që ta caktojë menjëherë trupin gjykues.

“Duke pasur parasysh pozitën dhe rolet e tyre në Kosovë në vitet 1998-1999, përparësinë e tyre unike dhe përfshirjen me individët kyç që formësuan ngjarjet në fjalë, këta 9 dëshmitarë padyshim që do të ofrojnë disa nga provat më të rëndësishme që Gjykata do të dëgjojë në këtë rast, për të dyja palët. Për më tepër, Mbrojtja parashikon që provat e tyre do të duhen disa javë për t’u dëgjuar. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj prove për çështjen dhe gjatësinë dhe kompleksitetin e parashikuar në paraqitjen e saj, është e arsyeshme që të ftohet Presidentja e Gjykatës Speciale, dhe të caktojë të paktën një anëtar të Trupit Gjykues ose mundësisht të tre anëtarët për të “marrë pjesë” në mundësi unike hetimore për të ruajtur këto prova përpara gjykimit”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes së Thaçit.

Avokati ka alarmuar se nuk mund të presin derisa Prokuroria ta përfundojë çështjen e saj, pasi dëshmitarët mund të vdesin.

Për shkak të moshës së shtyrë të këtyre dëshmitarëve, z. Thaçi nuk mund të rrezikojë të presë derisa SPO të mbyllë çështjen e saj për t’u thirrur, prandaj kjo kërkesë për mundësi unike hetimore dhe për masat e dhëna është në përputhje me Rregullën 99 për të lejuar që dëshmia e tyre të “merret”, “shqyrtohet” dhe “testohet” në të njëjtën mënyrë si të gjithë dëshmitarët e tjerë në këtë rast. Konkretisht, para gjykimit, këta 9 dëshmitarë do të jepnin dëshmi të drejtpërdrejta në seancë të hapur në sallën e gjyqit në Hagë, para së paku njërit, por mundësisht të tre anëtarëve të Trupit Gjykues në prani të të akuzuarve”, thuhet në parashtrim.

Parashtrimi përfundon me thirrjen që këta dëshmitarë të ftohen, pasi procedurat do të zhvillohen njësoj sikur në gjykim. Këta dëshmitarë do të merreshin në pyetje edhe nga Prokuroria, edhe nga avokati i viktimave, dhe kështu do të sigurohej gjykimi i drejtë.

Vdekja e Albright-it

Vonesa për nisjen e gjykimit dhe dhënien e materialeve po e paraqet problematikën kryesore të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po përballen me drejtësinë në Hagë.

Një fakt të tillë e ka potencuar edhe avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, i cili ka përmendur disa emra që do të mund të kishin dëshmuar pro Thaçit në Hagë e që tanimë nuk jetojnë.

Në mesin e tyre është edhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, pastaj ish-ambasadori Richard Holbrooke si dhe ish-senatori Robert Dole.

“Ne synojmë të eksplorojmë procedurat e Rregullës 98. Natyrisht, kjo ishte 24 vjet më parë. Ne qëndrojmë këtu sot në tre dëshmitarë të paktën që do të kishin dëshmuar shumë pozitivisht për klientin tim, sekretarja Albright, sekretare e Shteteve të Bashkuara, ambasadori Holbrooke, senatori Robert Dole, të paktën ata të tre kishin thënë gjëra shumë pozitive për klientit im dhe do të kishin dëshmuar po të kishin mundësi. Sigurisht, ata tre tani janë të vdekur. Dhe propozimi ynë, i nderuari, është nëntë dëshmitarë të moshuar, nga fundi i viteve 70 dhe, sinqerisht, fundi i viteve 80, dhe në 25 shkallë të ndryshme shëndetësore, ata janë dëshmitarë kritikë, ata janë dëshmitarë ndërkombëtarë që ishin të pranishëm në terren, dhe ajo që ne dy avancojmë është, sigurisht që mund t’ia jap listën tuaj deri më 7 tetor, besoj, ju e përcaktoni”, ka thënë avokati amerikan i Thaçit.

Exit mobile version