Epilogu

Avokati i Thaçit shpalos skandalin: Prokuroria e Speciales i paraqiti krerët e UÇK-së si “bandë e krimit”

Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e vazhdojnë në Hagë betejën e tyre për të arritur deri tek një vendim që atyre do t’u siguronte mbrojtjen në liri. Sidoqoftë, këtë vendim po refuzon ta marrë tash e gati tre vite gjyqtari paraprak në Speciale, i cili në secilën rrethanë ka vendosur pro argumenteve të Prokurorisë.

Avokati amerikan i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka ngritur alarmin mbi pretendimin se Prokuroria dhe Gjykata e Speciales po e arsyetojnë çdo stërzgjatje të paraburgimit për krerët e UÇK-së, duke e klasifikuar atë si “normale”, shkruan lajmi.net.

Në një parashtresë, Keohe ka thënë se gjyqtari paraprak duhet ta shmang pikën kur vlerësohet se kohëzgjatja e paraburgimit është bërë e paarsyeshme.

Ai ka thënë se Prokuroria dhe Gjykata po mbështeten në argumentet fillestare në kohën kur është arrestuar Thaçi, mirëpo që tani, gati tre vite pas, ato arsye kanë pushuar.

“Përgjigja e Prokurorisë në thelb synon t’i mbyllë këto procedura nga funksionimi i Rregullës 56(2), duke u përpjekur të justifikojë kohëzgjatjen e burgimit paraprak të z. Thaçi, duke vënë në dukje faktorët mbi të cilët u mbështetën për të justifikuar burgosjen e tij në radhë të parë. Duke iu referuar vazhdimisht rreziqeve të ndërhyrjes së dëshmitarëve dhe duke vënë në dukje konkluzionet e Trupit Gjykues të Gucatit dhe Haradinajt se “kërcënimi serioz i frikësimit dhe ndërhyrjes së dëshmitarëve në Kosovë mbetet aktual”, Prokuroria nuk e kupton pikën. Gjyqtari i procedurës paraprake edhe më herët ka urdhëruar burgosjen e z. Thaçi dhe arsyet janë të njohura. Pyetja e duhur është nëse kohëzgjatja e burgimit të tij tani është bërë e paarsyeshme. Sipas logjikës së Prokurorisë, nuk ka një kohë të gjatë që e kthen ekuilibrin në paarsyeshmëri, për shkak të arsyeve në të cilat mbështetej për burgosjen e tij fillestare. Ky arsyetim rrethor nuk arrin të përfshihet në asnjë mënyrë kuptimplotë me parashtresat e Mbrojtjes. Natyrisht, në çdo rast përpara Gjykatës, do të ketë një pikë në të cilën kohëzgjatja e burgimit para gjykimit bëhet e paarsyeshme. Rregulli 56(2) i Rregullores kërkon që gjyqtari i procedurës paraprake ta shmangë atë”, thuhet në parashtresën e Keohes që e ka parë lajmi.net.

Ajo çka është edhe më alarmante në këtë mes, është se Keohe thotë se Prokuroria, duke dashur ta arsyetojë kohën e mbajtjes në paraburgim të krerëve të UÇK-së, ka krahasuar rastin e tyre në Speciale me banda kriminale e krim të organizuar.

“Në mënyrë alarmante, në justifikimin e arsyeshmërisë së 22 muajve të paraburgimit të pandërprerë, PSP-ja i referohet “rasteve që përfshijnë veprimtari kriminale të organizuar” dhe më pas citon tre raste të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me persona të dyshuar si pjesëmarrës në bandat dhe grupet e organizuara kriminale. Çdo sugjerim se ky rast përfshin krimin e organizuar, ose se mund të hiqen paralele me rastet që përfshijnë bandat kriminale, është i pasaktë dhe duhet të shpërfillet”, është shprehur Keohe.

Gjyqtari paraprak para pak kohësh ka refuzuar lirimin nga paraburgimi të Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, teksa një vendim së shpejti pritet të merret edhe për Thaçin e Rexhep Selimin.

Çdo kërkesë e ankesë për lirim nga paraburgimi deri tash, pavarësisht garancave të Policisë e shteteve të treta, është refuzuar nga gjyqtari paraprak, panelet e Apelit si dhe ato të Supremes që funksionojnë në kuadër të Speciales. /Lajmi.net/

Exit mobile version