Epilogu

Avokati i Haradinajt: Ramushi si i ri ofroi siguri nëpër demonstrata ose për personazhe të famshëm

Pjesë nga libri “HAGA E RAMUSH HARADINAJ”

Nga Michael O’Reilly

Në fund të vitit 1991, kur u largua nga Kosova nën kërcënimin e burgosjes, Ramush Haradinaj shpenzoi pak kohë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ku filloi të krijojë lidhje veçanërisht me shërbimet e sigurisë, të cilat “mund të ishin të dobishme në të ardhmen”. Ai operoi me kujdes ekstrem, duke shmangur çdo lloj angazhimi krah grupeve të njohura të disidentëve. Përpara se të kthehej në Zvicër, ai kishte bërë blerjet e para të armëve që do të përdoreshin në të ardhmen në Kosovë – kryesisht granata dore dhe pistoleta.

Në azil Haradinaj ishte një nënkontraktues energjik dhe i suksesshëm ndërtimesh që kishte arritur një standard të mirë jetese. Ai jetonte në qytetin e vogël të Leysinit, afër Liqenit të Gjenevës dhe kufirit francez. Lyesin ishte i famshëm dikur për sanatoriumet e tij të tuberkulozit, por në vitet 1980 do të bëhej qendra e shumë shkollave dhe kolegjeve ndërkombëtare. Me dhuntinë e tij të natyrshme për gjuhët e huaja dhe një mënyrë të lirshme komunikimi, ky i ri la gjurmë në këtë ambient të rinjsh kozmopolitë ku vajza të reja nga i gjithë globi vërshonin për të mësuar gjuhën angleze dhe franceze. Të afërmit e shumë prej tyre padyshim do të jenë habitur kur kanë zbuluar se vajzat e tyre kishin mësuar gjatë rrugës edhe disa shprehje të gjuhës shqipe.

Gjatë viteve që pasuan Haradinaj do të përshkruhej shpeshherë si një “ish djalosh i hedhur klubesh nate”, një mit që ndoshta mund të ketë lindur nga shtrembërimi më tepër sesa nga ndonjë gënjeshtër e mirëfilltë. Në kohën e tij të lirë ai punonte si roje sigurie për firmat private, në Francë dhe Zvicër, duke ruajtur ndërtesat dhe zhvendosjet e parave, si dhe duke ofruar siguri nëpër demonstrata ose për personazhe të famshëm. Ai mori pjesë në disa kongrese të arteve marciale, ku pati mundësinë të njihej me ushtarakë nga vende të ndryshme të Europës. Por nuk ishte kurrë pjesë e Legjionit të Huaj Francez, siç është përfolur. Ai ndërtoi marrëdhënie të ngushta me një sërë ushtarakësh zviceranë, sepse admironte organizimin ushtarak të Zvicrës dhe lakmonte pajisjet e saj të mira e të shtrenjta inxhinierike.

Tashmë Haradinaj i kushtonte më shumë kohë dhe energji një regjimi ekstrem personal të gjimnastikës dhe stërvitjes. Ai do të merrte pjesë në vrapime malore për distanca mbi 100 kilometra, duke kaluar shumë kohë në shoqërinë e atletëve të mirëfilltë. Ai u bë një praktikues i Rripit të Zi në artet marciale vietnameze, të njohura si Viet Vo Dao, motoja e të cilit ishte “të jesh i fortë për të qenë i dobishëm”, duke u zhytur në aspektet fizike dhe filozofike të disiplinës. Rezistenca fizike dhe arritja e gjërave që dukeshin të pamundura u shndërrua në obsesion për të. Në një rast, ai shpenzoi 27 orë pa pushim në ujërat e Liqenit të Gjenevës. Kur u pyet përse, u përgjigj se duhej t’i provonte vetes se nuk ishte “një njeri i zakonshëm”.

Gjatë periudhës së azilit, Haradinaj shfrytëzoi rastin për të udhëtuar gjerësisht nëpër Europë, duke shpenzuar shumë kohë në Francë, Itali, Suedi dhe Finlandë, duke krijuar gjatë gjithë kohës kontakte, si me shqiptarë të Kosovës ashtu dhe me njerëz të tjerë lokalë, të cilat më vonë do të rezultonin të dobishme. Gjithashtu, ai u përpoq të vëzhgonte edhe sesi funksiononin shoqëritë perëndimore. Kjo ishte koha e arsimit të vërtetë në politikë, ekonomi dhe gjuhë.

Nga ana tjetër ai kishte zhvilluar një marrëdhënie afatgjatë me një grua të re finlandeze, Xhoana Karlson. Dukej se ajo kishte ushtruar një influencë të konsiderueshme e pozitive mbi Haradinajn e ri. E rritur në një familje akademikësh, ajo do ta fuste atë në botën e sofistikuar intelektuale, në zemër të një prej demokracive më të zhvilluara të botës. Fuqia e marrëdhënies së tyre ishte e tillë që në kulmin e luftës në vitin 1998, ajo e ndoqi atë në Kosovë dhe jetoi me të në fushën e betejës. “Ajo më shpëtoi jetën” është gjithçka Haradinaj thotë për kohën që kaluan bashkë në dhimbjet dhe rraskapitjen e përditshme. Marrëdhënia e tyre përfundoi në vitin 1999, kur iu desh të largohej nga Kosova për trajtim mjekësor gjatë shtatzënisë. Djali i tyre lindi në vitin 2000 dhe jeton në Finlandë me mamanë e tij.

***

Prej fillimit deri në mes të viteve 1990 në Kosovë dhe në diasporën shqiptare kishin lindur disa rryma politike. Shumë njerëz në Kosovën e asaj kohe kishin lidhje të dyfishta me shtetin jugosllav dhe nuk qenë të kënaqur me vizionin e Tito-s mbi “vëllazërinë dhe bashkimin”, i cili ishte shoqëruar me autonominë. Kundërshtarët e regjimit të Beogradit do t’i përkisnin një prej tre grupeve: luftëtarëve tradicionalë të rezistencës, enveristëve dhe rezistencës paqësore. Luftëtarët e rezistencës tradicionale ishin zakonisht familje dhe klane rurale (rrjete të zgjeruara familjesh që jetonin shpeshherë në të njëjtat fshatra ose në fshatra të afërt) me karakter të vendosur ushtarak. Të vendosur në zona larg qendrave urbane, ku infrastruktura e dobët dhe terreni i thyer i fshihnin këto grupe militantësh nga policia serbe, ose e bënte aq të vështirë e problematike shtypjen e rezistencës së tyre, saqë policia serbe të mos investohej në këtë drejtim. Këto grupe kishin rrënjë të thella në kulturën tradicionale shqiptare. Kjo lloj kulture e konsideronte diçka të zakonshme të qenit të armatosur – siguria nuk buronte vetëm nga shteti, por edhe nga struktura të tilla familjare dhe klanore. Ky grup e quante të pashmangshëm konfliktin e hapur e të armatosur me Serbinë. Në Dukagjin, Haradinajt ishin një familje e tillë, edhe pse më pak e njohur, ose ndoshta më modeste e me takt sesa klani i Jasharëve nga Prekazi i Drenicës, një zonë që kishte traditë të gjatë rezistence ndaj fuqive të huaja, e cila datonte që prej kohërave osmane. Ademi, lideri i familjes Jashari, u bë simboli i rezistencës shqiptare kur lufta më në fund shpërtheu në vitin 1998.

Luftëtarët e rezistencës tradicionale kishin ndërmarrë që prej vitit 1993 sulme sporadike dhe oportuniste kundër policisë serbe – një forcë e dhunshme dhe represive paraushtarake. Një prej sulmeve më të hershëm u krye në maj të vitit 1993, në Gllogoc në Kosovën qendrore. Dy policë serbë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën. Sulmet u intensifikuan pas Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftërave në Bosnje dhe Kroaci, por injoruan Kosovën. Vetëm në një ditë, më 22 prill 1996, pesë policë serbë u vranë në katër sulme të ndryshme por të koordinuara anembanë Kosovës. Në shtator të po atij viti u sulmuan edhe 11 rajone policie. Objektivi i rezistencës tradicionale ishte të fillonte një konflikt që të shndërrohej më vonë në një kryengritje kombëtare dhe të vazhdonin derisa Kosova të ishte e lirë ose të ishin vrarë. Vëllezërit më të rinj të Ramush Haradinajt, Luani dhe Dauti, kishin ndërmarrë aksione të drejtpërdrejta kundër objektivave policorë serbë që prej mesit të viteve 1990.

Enveristët lindën prej protestave dhe lëvizjeve studentore të viteve 1968 dhe 1981. Shumë prej tyre kishin qenë më parë të burgosur. Emërtesa “Enveristë” i referohet diktatorit shqiptar Enver Hoxha, të cilin ky grup kishte për qëllim të ndiqte. Fakti se e quajtën veten enveristë reflektonte naivitetin dhe injorancën e kushteve të jetesës së bashkë-patriotëve të tyre shqiptarë përtej maleve. Megjithatë do të qe gabim që enveristët të përshkruhen si komunistë, maoistë, madje dhe mbështetës realë të Hoxhës, edhe pse patën një mbështetje praktike nga regjimi i Hoxhës – kryesisht për printimin dhe publikimin e materialeve propagandistike. Enveristët nuk mund të identifikohen as me lëvizjet perëndimore studentore radikale, pasi Universiteti i Prishtinës asokohe ishte jofunksional. Shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk kishin arsim universitar. Në realitet enverizmi do të shërbente më shumë si një emërtesë e volitshme për nacionalizmin e ri shqiptar. Shumica e energjisë së këtij grupi, në mënyrë tipike për një stil të majtë revolucionar, u konsumua në intriga bizantine të ideuara dhe realizuara në aksin Tiranë, Zyrih dhe Frankfurt.

Grupi i tretë, ai i rezistencës pasive, udhëhiqej nga dr. Ibrahim Rugova, i cili më pas do të bëhej dhe presidenti i Kosovës së pasluftës. Rugova ishte një teoricien i shkolluar dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Prishtinës. Në vitin 1988 ai u zgjodh lider i një grupi të quajtur Alternativa e Kosovës, i përbërë më së shumti nga intelektualë dhe akademikë. Vitin pasues, si kundërpërgjigje ndaj heqjes së autonomisë, Alternativa e Kosovës luajti rol qendror në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Rugova u zgjodh president i saj dhe themeloi besimin e rezistencës paqësore në një shkallë të atillë që, në rrafshin ndërkombëtar, ai u mbiquajt “Gandi i Ballkanit”. Në fakt do të ishte më e saktë sikur ta përshkruanim lëvizjen si “jo të dhunshme” në vend të “rezistencës pasive” – sepse ajo ishte një formë shumë aktive mosbindjeje politike, por e llogaritur me delikatesë në mënyrë që të mos nxiste një reagim të dhunshëm.

Në vitin 1992, ndërsa serbët filluan të rrisnin kontrollin mbi institucionet e Kosovës, LDK-ja u bë organizatori kryesor i një referendumi të paautorizuar për vetëvendosjen, ku shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës votuan në favor të pavarësisë. Beogradi e shpalli të jashtëligjshëm referendumin, por gjithsesi ai shënoi një moment të rëndësishëm kushtetues, një moment të shprehjes së lirë të vullnetit të popullit kosovar.

Vitin pasues, LDK mbajti zgjedhje klandestine për një asamble dhe qeveri të re –një qeveri “paralele”– në azil. Rugova u zgjodh president i shtetit fantazmë dhe një mjek kirurg, i quajtur Bujar Bukoshi, që jetonte në Gjermani, u bë kryeministër. Bukoshi ishte përgjegjës për iniciativën më të rëndësishme asokohe të LDK-së, një taksë vullnetare mbi të ardhurat, prej 3 për qind, që iu kërkua të gjithë shqiptarëve të Kosovës, përfshirë diasporën. Paratë u përdorën për shërbime “shtetërore”, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë. Vlerësimet për fondet e ngritura variojnë së tepërmi, por nuk ka dyshim që ato arrinin në dhjetëra miliona marka gjermane – monedha me të cilën operonin asokohe shqiptarët e Kosovës.

Në fillim të viteve 1990, enveristët dhe luftëtarët e rezistencës tradicionale shpenzuan kohë në Shqipëri duke u trajnuar për luftë, duke organizuar linjat e furnizimit me armë dhe duke shqyrtuar mënyrat për të filluar një luftë. Të dyja grupet kishin objektiv të ngjashëm, unifikimin e të gjitha trevave shqiptare, por metodë dhe stil të ndryshëm. Enveristët vazhdimisht formonin, shpërbënin dhe reformonin parti të ndryshme, duke shpallur komunikata dhe manifeste. Në përgjithësi ata nuk po bënin shumë gjëra konkrete. Banderola e tyre politike do të bëhej Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) – në thelb një bashkim (formal) marksist i organizatave shqiptare të diasporës, të mbështetura nga regjimi i Hoxhës.

Ndërsa enveristët e shihnin betejën e tyre në kontekst ndërkombëtar, luftëtarët tradicionalë të rezistencës nuk shqetësoheshin shumë për opinionin e jashtëm. Në përllogaritjet e tyre nuk hynte probabiliteti i suksesit të menjëhershëm, të paktën në nivel personal.

Ku mund ta pozicionojmë Ramush Haradinajn në këtë rrjet të përbërë nga luftëtarët tradicionalë, revolucionarët enveristët dhe rezistenca pasive? Eksperienca e tij jetësore në Europën Perëndimore i kishte rritur ambiciet për Kosovën si demokraci e pavarur liberale, e përfshirë në institucionet euroatlantike dhe e lirë nga dominimi serb dhe ndërhyrjet ruse. Kështu, gjithçka që lidhet me formimin ose me jetën e tij të hershme sugjeron se Haradinaj do t’i përkiste nacionalizmit militant tradicional shqiptar, edhe pse objektivi i tij politik ishte më i nuancuar dhe shumë i ndryshëm nga pan-shqiptarizmi i shumë prej patriotëve dhe bashkëluftëtarëve të vet të rezistencës. Ndërsa Haradinajt më të rinj, Luani dhe Dauti, u përfshin në veprime më të drejtpërdrejta e afatshkurtra si luftëtarë tradicionalë rezistence, vëllai më i madh luajti një lojë më të gjatë në kohë. Me gjithë idealizmin e tij, tipari dominues i karakterit të tij ishte realizmi pragmatist. Kështu, edhe pse i shërbeu me përkushtim idealit të bashkimit të shqiptarëve në një atdhe, në fakt ai ndoqi objektivin më realist të garantimit të një Kosove të lirë e të pavarur. Atë e shqetësonte shumë arritja e suksesit përfundimtar. Por nuk kishte interes për sakrifica gjaku.

Haradinaj ruajti marrëdhënie të mira me të gjitha grupet e organizuara që rivalizonin për lidershipin e rezistencës, duke e mbajtur veten disi të shkëputur e të baraslarguar prej tyre. Vetëpërmbajtja dhe ftohtësia e tij buronin prej mosbesimit –asokohe jo aq për motivin sa për kompetencën– si dhe nga nevoja për të mos u kufizuar në mënyrë që të kishte liri të plotë veprimi. Ai nuk dëshironte t’i nënshtrohej një strukture komande që mund të keq-udhëhiqej ose keqorientohej.

Në vitet 1992 dhe 1993 Haradinaj kreu disa vizita të tjera në Shqipëri, duke shpenzuar ca kohë në rajonet malore në kufi me Kosovën, duke studiuar itineraret për transportin e armëve. Tashmë ai po arrinte të çonte në Kosovë sasi të konsiderueshme armësh. Në vitin 1994 ai përdori kontaktet e tij për të siguruar tre muaj trajnim me ushtrinë shqiptare, të cilin e përshkroi më shumë si “psikologjik dhe teorik” sesa fizik, përpara se të hynte sërish në Kosovë me më shumë armë. Këto ishin operacione të mirëplanifikuara por jo të sofistikuara. Forma që përdorej më shpesh për transport ishin kuajt, edhe pse në fund të vitit 1994 Haradinaj dhe një mik i quajtur Ali Mehmeti sollën “një Peugeot 305 deri në fshatin e Jablanicës, të dendur në armë”. Jablanica, fshati i nënës së Ramushit, ishte qendër e rëndësishme e rezistencës së armatosur dhe ishte vendosur larg vështrimit të forcave serbe.

Gjatë kësaj periudhe, rezistenca konsistonte në një aleancë të gjerë e të lirshme grupesh militante, kryesisht në diasporë, dhe aktivistësh të shpërndarë në mënyrë të çrregullt anembanë Kosovës. Që prej vitit 1994, Haradinaj kishte krijuar “Grupin e tij të Dukagjinit”, i përbërë nga një numër i vogël individësh të përgatitur më së miri për përfshirje ushtarake serioze, çka ishte diçka e pazakontë për kohën. Këto grupe kishin filluar gradualisht të vetëshpalleshin si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndonëse organizata u shfaq publikisht vetëm shumë më vonë. Brenda Kosovës, Luan Haradinaj ishte anëtari më i spikatur dhe më i njohur i Grupit të Dukagjinit.

***

Gjatë pjesës më të madhe të viteve 1990, Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës gëzonin mbështetje masive popullore me një bazë të shumëfishtë gjeografike e sociale. Përveç intelektualëve dhe idealistëve, partia tërhoqi shumë anëtarë me eksperiencë politike nga parlamenti i shpërbërë i Kosovës. Një figurë me rëndësi jetike në LDK dhe burim i shumicës së mendimit politik e strategjik të saj, ishte Fehmi Agani, i cili u vra nga policia serbe në vitin 1999.

Ndonëse figura të larta të LDK-së, si Rugova dhe Agani ishin haptazi antikomunistë, shumica e kolegëve të tyre kishin hyrë në politikë përmes partisë komuniste jugosllave, por kjo nuk nënkuptonte medoemos se ishin komunistë – sepse futja në parti ishte e vetmja mënyrë për t’iu futur politikës ‘normale’. Disa pjesëtarë të LDK-së kishin qenë përgjegjës për burgosjen e individëve që bënin thirrje për kryengritje të armatosur në vitet 1980. Kur këta njerëz u liruan nga burgjet, iu bashkuan LPRK-së. Prandaj, shumë pjesëtarë të LPRK-së kishin shprehur haptazi antipatinë dhe armiqësinë e tyre për LDK-në. Nga ana e saj, LDK-ja bëri çdo përpjekje për të margjinalizuar grupet militante dhe u përpoq të mos lejonte që mesazhi i tyre të arrinte te populli. LDK madje shkoi deri aty sa të shpallte publikisht se operacionet e hershme të rezistencës ishin në fakt vepër e agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave që kishin si qëllim të diskreditonin politikën e Rugovës të rezistencës pasive dhe të provokonin shqiptarët drejt një lufte që do të çonte drejt spastrimit etnik.

Në vitet 1995 dhe 1997 ndodhën dy ngjarje paralele, të cilat konsoliduan rrymat e ndryshme të rezistencës dhe lehtësuan procesin e shfaqjes së UÇK-së. E para ishte Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e sigluar nga liderët kroatë, boshnjakë e serbë më 21 nëntor 1995, që i dha fund luftës në rajon por duke injoruar çështjen e Kosovës e cila po vlonte. Nëse do të ishit një shqiptar i Kosovës do të mendonit se pretendimet grabitqare të Serbisë u sanksionuan nga Marrëveshja e Dejtonit. Ajo e gërreu seriozisht të gjithë strategjinë e Rugovës për rezistencë pasive.

Tashmë brenda Kosovës Rugova portretizohej si një figurë zhgënjyese, e paaftë të shihte realitetin e zymtë me të cilin përballej popullsia shqiptare e Kosovës. Megjithatë, shumë njerëz në Kosovë vazhdojnë të besojnë se vendimi i tij për të mbështetur vetëpërmbajtjen ishte lëvizja më e mirë taktike e jetës së tij politike, duke mos lejuar që Kosova të shkonte drejt konfliktit në një kohë kur nuk kishte asnjë shans për t’u vetëmbrojtur. Në fakt Rugova i mori në konsideratë opsionet ushtarake kohë përpara lindjes së UÇK-së. Në vitin 1992 lideri kroat Franko Tuxhman po kërkonte me ngulm formimin e një fronti jugor kundër Serbisë. Rugova dhe Agani, bashkë me kolegë të tjerë drejtues të lartë kosovarë u drejtuan në Zagreb për ta takuar, por duket se u larguan me dyshime mbi motivet e Tuxhmanit. Për më tepër, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar këshillonin me forcë të shmangej konflikti i armatosur.

Ngjarja e dytë ishte kolapsi thuajse total i shtetit shqiptar në vitin 1997, i cili mund të lidhet, edhe pse tërthorazi, me Dejtonin. Në fund të vitit 1995 u pezulluan sanksionet e Kombeve të Bashkuara kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (që tashmë përfshinte vetëm Serbinë dhe Malin e Zi), duke eliminuar një burim të rëndësishëm të ardhurash nga kontrabanda për grupe të organizuara në Shqipëri që i përkisnin “ekonomisë gri”. Ende është subjekt debati fakti nëse ky vakum i aktivitetit ilegal erdhi për shkak të skemave Ponzi, të cilat në fund të vitit 1997 kishin shkatërruar ekonominë shqiptare. Orteku i shpërbërjes së skemave piramidale konsumoi thuajse të gjitha kursimet private të qytetarëve shqiptarë.

Për habinë e vrojtuesve të jashtëm, qeveria dukej se inkurajonte besimin në këto mekanizma që dukej se po sfidonin gravitetin e pasurimit të shpejtë. Në kulmin e tyre, vlera nominale e borxheve të skemave piramidale arrinte thuajse në gjysmën e Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Përllogaritej se rreth dy të tretat e popullsisë kishin ‘investuar’ në to, çka u pasua nga një rebelim i përgjithshëm kur ato u shembën. Shqipëria u katandis në anarki, nga e cila humbën jetën rreth dymijë njerëz. Në kolaps ra edhe shteti tashmë i dobët shqiptar. Nëpunësit publikë, përfshirë shërbimet e sigurisë, ndërprenë marrëdhëniet e punës.

Deri në ato momente, fondet nga diaspora shqiptare, bashkë me përpjekjet në terren të njerëzve si Haradinaj, kishin arritur të sigurojnë një rrjedhë të qëndrueshme armësh në Kosovë. Por tashmë rrjedha u bë lumë. Arsenalet e shtetit shqiptar u “privatizuan” në një orgji grabitjesh dhe vjedhjesh. Individë të personelit ushtarak ofronin në rrugë kallashnikovë që shiteshin për më pak se 50 USD. Papritur itineraret përmes maleve të hapur nga Haradinaj dhe të tjerët po jepnin frytet e tyre. Vetë Haradinaj ishte mjaft aktivë gjatë kësaj kohe. Ai do të takohej shpesh në kufi me Luanin, vëllanë e vet, dhe do t’i kalonte atij furnizime të shumta.

Më 6 maj 1997, Ramushi dhe Luani, bashkë me një grup të vogël kolegësh, po transportonin armë për në Kosovë, kur ranë në pusinë e një patrulle serbe në kufirin me Shqipërinë. Luani u qëllua dhe vdiq përnjëherë. Të tjerë ia dolën të tërhiqen dhe të arratisen. Ramushi e mbajti në kurriz vëllanë e vrarë përmes maleve drejt Shqipërisë ku trupi i tij u varros deri kur u zhvarros për t’u rivarrosur në fshatin e tij të lindjes në Gllogjan. Ky ishte një moment kritik për Haradinajn. Ishte hera e parë që u përball me vdekjen e një pjesëtari të afërm të familjes, hera e parë që kishte parë me sy ndonjë vdekje të dhunshme. Atij iu desh të telefononte nga Shqipëria në Kosovë për të lajmëruar babanë në një gjuhë të koduar se Luani kishte vdekur.

Në librin e tij me titull “Rrëfime për Luftën dhe Lirinë”, i publikuar rreth tri vite më vonë, Haradinaj përshkruante, në vija të gjera jetën e tij dhe përfshirjen në rritje me UÇK-në që po lindte. Përballja e tij me luftën bëhej përmes një gjuhe të thjeshtë dhe koncize, duke mos i lënë vend ndjenjave personale ose incidenteve individuale. Në të kundërt, ngjarjet që rrethonin jetën e vëllait të tij Luanit përshkruhen shumë në detaje në disa faqe. Ai shprehej se ndjehej i humbur. Nëse më parë mund të kishte ndonjë dyshim, tani ato ishin zhdukur një herë e përgjithmonë; konflikti në të cilin kishte qëllim të përfshihej do të vinte në rrezik jetën e familjes, të miqve dhe fqinjëve të tij – do të kishte vuajtje të tmerrshme dhe shumë prej tyre nuk do të mbijetonin dot.

Ndërkaq, anembanë Kosovës po rriteshin aktet sporadike të dhunës. Militantët përdorën taktika guerile të sulmeve dhe tërheqjes ndaj karvanëve policorë serbë. Ndonjëherë kjo do të ishte shumë e thjeshtë, si hedhja e drithërave në një rrugëkalim, që do të tërhiqte delet ose dhitë, duke i detyruar të ndalonin mjetet motorike të policisë. Në vijim militantët do të hapnin zjarr mbi vargun e makinave dhe do të tërhiqeshin.

Të pashpërqendruar më nga luftërat në Kroaci e Bosnjë dhe plotësisht të vetëdijshëm për pasojat destabilizuese nga kolapsi i Shqipërisë, autoritetet në Beograd e kthyen vëmendjen e tyre të plotë drejt atij që e quajtën aktiviteti “terrorist” në Kosovë. Policia sekrete serbe kishte zhvilluar pa zhurmë një rrjet të gjerë informatorësh dhe bashkëpunëtorësh që kishte rezultuar mjaft efikas në vitin 1997. Rezultati ishin një sërë arrestimesh dhe vrasjesh që e goditën fort UÇK-në e cila po lindte. Një sërë militantësh të nivelit të lartë u arrestuan, burgosën ose vranë.

Më 1 tetor të vitit 1997, mijëra studentë protestuan në Prishtinë dhe u përleshën me policinë. Rugova bëri thirrje për të ndaluar, por ata e injoruan. Dy javë më vonë, më 15 tetor 1997, një turmë prej rreth 20.000 njerëzish u mblodh për funeralin e Adrian Krasniqit, ushtari parë i UÇK-së që vdiq me uniformë. Në fund të muajit pasardhës u zhvillua funerali i një mësuesi shqiptar, Halit Gecit, i cili ishte vrarë në një shkëmbim zjarri mes UÇK-së dhe serbëve. UÇK po dilte nga hija dhe kishte ardhur koha të bënte shfaqjen e saj të parë publike. Kësaj radhe turma ishte edhe më e madhe, e mes tyre kishte tre njerëz të maskuar me uniformë që tregonin flamurin dykrenor shqiptar pas germave të mëdha të bardha ku shkruhej “UÇK” – një prej tyre ishte Daut Haradinaj. Dauti e hoqi maskën e tij dhe u bë ushtari i parë me uniformë i UÇK-së që tregoi fytyrën e tij në publik.

Selimi i foli turmës duke e shpallur UÇK-në të vetmen forcë që kishte treguar vullnetin për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Ai u pasua nga ovacione të turmës së ekzaltuar që brohoriste, “UÇK, UÇK”. Kjo ngjarje u pasqyrua në mënyrë të përsëritur ditën pasardhëse në televizionin shqiptar të Tiranës dhe u ritransmetua në Kosovë. UÇK sapo kishte lindur publikisht. Impakti ishte i jashtëzakonshëm. Për herë të parë të rinj po vërshonin t’i bashkoheshin UÇK-së. Kredoja e rezistencës pasive kishte përfunduar, kurse lufta ishte vetëm pak javë larg.

Në dhjetor të vitit 1997 Haradinaj hyri përsëri në Kosovë, duke sjellë me vete kësaj radhe armatime në sasi të paprecedenta. Në kujtimet e tij ai e përshkruante një dërgesë të përbërë nga rreth 120 armë automatike, raketahedhës, mitraloza 100 mm me tamburë armatimesh, armë automatike të kalibrit 7.9 me “pjata” siç i quanim ne, si armë e këmbësorisë por më e fuqishme … Kjo ishte diçka e re për operacionet tona të furnizimit”. Në fillim të marsit 1998 Haradinaj bëri një vizitë të fundit dhe shumë të shkurtër në Zvicër – për të sheshuar punët e tij, për të paguar taksat e për të mbyllur disa llogari bankare, i vetëdijshëm se, çfarëdo të ndodhte, nuk do të kthehej më pas. Ai nuk njihej përtej familjes së tij biologjike dhe një numri të vogël aktivistësh të rinj të UÇK-së, përveçse si vëllai më i madh i aktivistëve militantë Luanit, tashmë i vdekur, dhe Dautit. Fokusi i tij i drejtpërdrejtë ishte mbrojtja e fshatit të tij dhe fshatrave rrethues. Azili kishte përfunduar njëherë e mirë.

Exit mobile version