Epilogu

Avokati ndërkombëtar: Zemaj u largua në Shqipëri, Ramushi u rrethua dhe therri një lopë

Pjesë nga libri “HAGA E RAMUSH HARADINAJ”

Nga Michael O’Reilly / Avokat ndërkombëtar

Shtatori filloi me përparimin dërrmues të forcave serbe. Pa lajmëruar Haradinajn –komandantin e tij të zonës– Zemaj organizoi tërheqjen nga zona e Dukagjinit, duke udhëtuar përmes maleve drejt Shqipërisë me një numër të konsiderueshëm ushtarësh të FARK-ut dhe një grup civilësh. Eksodi, të cilin Zemaj e shpjegoi më vonë si evakuim civil i motivuar nga shqetësime humanitare, përshkoi arterien kryesore që lidhte qytetet e mëdha të Kosovës perëndimore. Kjo ndodhi në një kohë kur serbët kishin pak a shumë kontroll të plotë të zonës dhe kontrollonin rrugët kryesore. Fill pas largimit të Zemajt u raportua se forcat serbe kishin zbuluar një grumbull armatimesh të rregulluar mjeshtërisht, të mbrojtura nga elementët atmosferikë me anë të një katramaje.

Haradinaj ishte angazhuar në një veprim afër vendit ku ishte pozicionuar Zemaj dhe tashmë e gjeti veten të izoluar dhe të ekspozuar, me më pak se pesëdhjetë ushtarë dhe të rrethuar nga batalione të trupave serbe. Në një mënyrë apo një tjetër ai ia doli të udhëhiqte grupin e tij drejt një pozicioni më të sigurt duke u zvarritur nëpër ujin e një shtrati lumi dhe duke arritur përfundimisht në fshatin e Jablanicës, vendlindjen e nënës së tij. Serbët e kishin shkretuar fshatin. Civilët që ishin shumë të moshuar për t’u larguar ishin vrarë kur serbët kishin hyrë në fshat. Kur Haradinaj mbërriti me ushtarët e tij të sfilitur, detyra e parë ishte të varroste dhe nderonte trupat e civilëve të moshuar të vrarë nga serbët, përfshirë gjyshen dhe stërgjyshen e tij.

Haradinaj dhe njerëzit e tij e kaluan vjeshtën dhe dimrin në Jablanicë. Fshati nuk kishte (dhe vazhdon ende sot e kësaj dite) rrugë të asfaltuara, prandaj në dimrin veçanërisht të ashpër të viteve 1998-1999 ofroi një strehë të sigurt. Për këtë periudhë Haradinaj do të kujtonte:

Hanim speca dhe lakra që i gjenim në fusha dhe në një rast therëm një lopë që e gjetëm në fshat pa lejen e askujt. Nuk kishte asnjëri aty që të na jepte leje. Nuk mund të krijonim një vijë zjarri dhe ishim në gatishmëri me çantat e paketuara, të gatshëm për të operuar si guerrilas nëse do të sulmoheshim”.

Sërish, siç kishte ndodhur pas 24 marsit, rekrutët po dyndeshin dhe numri i tyre në Jablanicë po rritej me shpejtësi, duke arritur në disa qindra brenda dy javësh. Haradinaj ngriti një flamur të UÇK-së në një majë të lartë toke për të lajmëruar si serbët ashtu dhe popullsinë lokale –ata që nuk ishin larguar– se UÇK-ja ishte rikthyer. Haradinaj po demonstronte tani forcë karakteri për të filluar sërish pas një disfate poshtëruese. Ai ndërtoi operacionin “Komanda Operacionale e Dukagjinit” në Jablanicë. Popullsia lokale pa se Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij ishin ende një forcë për t’u marrë në konsideratë. Rrezja e veprimit dhe kapaciteti ushtarak i tyre për të goditur forcat serbe u përhap në një hapësirë të gjerë. Brenda pesë muajsh, UÇK-ja e Dukagjinit përbëhej nga tetë brigada me 4.000 luftëtarë. Një prej këtyre brigadave udhëhiqej nga Dauti, vëllai i Haradinajt, i cili i kishte pozicionuar njerëzit e tij në Gllogjan. Dauti ishte veçanërisht aktiv gjatë dimrit, duke ndërmarrë rregullisht sulme vdekjeprurëse kundër objektivave ushtarakë e policorë serbë, kudo i gjente. Pengesat e verës e kishin detyruar Haradinajn t’i kthehej një fushate luftarake guerile, por kishte akoma për qëllim të krijonte një front prej nga ku mund të sulmonte pozicionet serbe në perëndim dhe veri, por që do t’i mundësonin të tërhiqej në territorin e çliruar nëse do të nevojitej. Ai hapi itinerare të armëve të reja nëpërmjet Malit të Zi dhe hyri në kontakte me burimet të NATO-s. Ndërsa shpresonte për një ndërhyrje që do të sillte një fund të shpejtë të konfliktit, pritshmëria e tij ishte se ndodheshin në një luftë të gjatë.

Exit mobile version