Babai i Glauk Konjufcës, ishte pjesë e UNIKOMB-it, partisë së profesor Ukshin Hotit
Reagimi i organeve pushtuese serbe ndaj veprimtarisë atdhetare të Shtabit Operativ
Ishte krejtësisht normale, duke i kundruar zhvillimet në kontekstin e rrethanave të okupimit klasik, që Serbia të ishte në dijeni për veprimtarinë e UNIKOMB-it dhe të kreut të saj, Halil Alidemës, i cili i kishte filluar përgatitjet për kundërvënie të armatosur. Kjo i kishte shqetësuar në masë të madhe organet pushtuese serbe në Kosovë, ndaj edhe e filluan atëbotë një fushatë të egër represive mbi anëtarët dhe udhëheqësit e degëve të Unikombit në Kosovë.
Bastisjet e selisë së kësaj partie, bastisjet e shtëpive të drejtuesve partiakë të UNIKOMB-it, arrestimet dhe mbajtjet e tyre në burg, shumë prej të cilëve edhe u torturuan keqas, ishin një përpjekje e pashpresë e policisë dhe hetuesisë së pushtuesit për t’i kthyer shqiptarët nga rruga e tyre e vendosur në kërkim të lirisë. Kështu, më 14 gusht 1993, policia serbe kishte ndërhyrë në selinë e UNIKOMB-it në Prishtinë dhe kishte arrestuar katër udhëheqës të kësaj partie, të cilët ndodheshin aty në pritje për të mbajtur një mbledhje të Këshillit Drejtues. Me këtë rast, nga policia serbe ishin arrestuar këta drejtues të UNIKOMB-it: Dalip Dalipi, Sherif Konjufca, Avdi Limani dhe Fatmirë Veliu. Gazeta “Bujku”, e vetmja që dilte atëbotë në gjuhën shqipe, njoftonte se si policia serbe kishte përdorur dhunë brutale ndaj të arrestuarve, se Fatmirë Veliun e kishin liruar pas dy orësh mbajtje në polici, ndërsa Sherif Konjufcën e kishin liruar vetëm pas njëmbëdhjetë orësh mbajtjeje dhe torturash çnjerëzore ndaj tij.
Për fatin e dy të arrestuarve të të tjerë, Dalip Dalipi dhe Avdi Limani, nuk dihej asgjë. Është interesant se afërsisht në këtë periudhë kohore ishte arrestuar edhe kryetari i Degës së UNIKOMB-it për Podujevën, Bajrush Behrami, të cilin e kishin mbajtur në burg pa asnjë shpjegim dhe pa dhënë informacione për anëtarët e familjes se as ku mbahej, kuptohet duke e torturuar vazhdimisht gjatë gjithë kohës. Në një deklaratë që e kishte dhënë një ditë pas lirimit, ai theksonte: “Më arrestuan rreth 30 policë serbë dhe më rrahën në prezencën e nënës dhe të vëllezërve. Thyen çdo gjë në shtëpi. Pasi më sollën në lokalet e UDB-së në Prishtinë filluan të më marrin në pyetje…” Lidhur me çështjen që po trajtojmë interes përbëjnë pyetjet, përkatësisht “interesimet” e inspektorëve serbë. Përmbajtja e tyre qartazi sugjeronte se ata tashmë e dinin se përgatitjet e shqiptarëve për luftën e armatosur kishin filluar. Pyetjet si “Kush po i vret policët serbë? Ku bëni ushtrime ushtarake? A keni krijuar shërbimin informativ? A keni formuar policinë paralele? Sa njerëz i keni në ushtrime në Shqipëri? Çka ke biseduar me Aleksandër Meksin? Sa armë ka tubuar Unikombi në Shqipëri? Kë e keni caktuar për mbrojtje në Podujevë etj.” Pra, është e qartë se aktivizimi i mekanizmave të kundërvënies, përgatitjet që kishin nisur me një intensitet të lartë dhe vullnet të madh kishin alarmuar organet e pushtuesit serb në Kosovë. Kështu, vetëm brenda një muaji selia e UNIKOMB-it në Prishtinë ishte bastisur gjashtë herë, ndërsa ishte konfiskuar edhe i gjithë materiali arkivor.
Ndonëse ndërhyrja e policisë ishte tejet e vrazhdë, sjelljet saj ishin çnjerëzore ndaj pjesës së arrestuar të kryesisë e të aktivistëve të UNIKOMB-it, kjo parti protestonte, duke shfaqur vendosmërinë për të vijuar punën e saj, pavarësisht pasojave: “Unikombi nuk do të shthuret kurrë. Tendencat që të hidhet jashtë ligjit e drejta e organizimit dhe veprimit politik të shqiptarëve është jashtë çdo logjike. Megjithatë, e dimë mirë prapavinë e kësaj tendence. Shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë që të tjerët t’i realizojnë qëllimet e interesat ireale mbi fatkeqësinë e tyre.” Pa asnjë dyshim, represioni kaq i shprehur ndaj një partie politike, e cila kishte filluar të ndërmerrte hapa alternativë për zgjidhjen e çështjes kombëtare në përgjithësi dhe të asaj të Kosovës në veçanti, e kishte vënë në një sprovë edhe vetë pjesën e udhëheqjes së saj në Prishtinë, duke krijuar dilema të ndryshme, madje edhe përçarjen e saj.
Halil Alidema do të gjendej në tehun e kritikës si prijës i partisë, kryesisht me motivacionin se qëndrimi i tij jashtë vendit i kishte pasivizuar strukturat partiake, se mungonte koordinimi etj. Ndonëse kjo situatë prodhoi mjaft vështirësi dhe pasoja për veprimtarinë politike të UNIKOMB-it, puna e Shtabit Operativ dhe e Halil Alidemës me bashkëpunëtorë në Tiranë, e cila kishte për synim kryesor përgatitjen e rinisë për kundërvënie të armatosur, vijoi, me çka qëllimi themelor i pushtetit serb nuk u arrit.