Epilogu

Babai tregon se dy vëllezërit që vdiqën nga tërmeti nuk udhëtonin kurrë bashkë, frikësoheshin se vdisnin në aksident

I druheshin të iknin të dy nga kjo jetë dhe të linin pas familjet e tyre që jetojnë mes kushteve të vështira në fshatin Livoç i Epërm në Gjilan të Kosovës. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë. Është kjo historia e trishtë e Isës dhe Shemsedinit, dy vëllezërve nga Kosova që vdekja i mori nën rrënojat e Hotel “Tropikal” në Durrës, aty ku kishin pasur vetëm kujtime të gëzueshme. Familja Abazi kishte rreth 15 vjet që pushimet e verës i kalonte në këtë hotel në Durrës. Më 25 nëntor, një natë para tërmetit, vëllai i madh, 32-vjeçari Shemsedini, kishte marrë me vete edhe të voglin, Isain, 29 vjeç. Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë. Babai na tregon se frika më e madhe e djemve të tij që nuk i ka më pranë vetes, ishte të vdisnin të dy në ndonjë aksident, e për këtë arsye asnjëherë nuk kishin udhëtuar bashkë. Por fati deshi që ata të shuhen në krahët e njëri-tjetrit duke lënë pas dhimbjen e papërshkueshme tek nëna, babai, nuset, dhe 6 të vegjlit e tyre. Familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.

Dy djem mjaft të lidhur me familjen, çka e tregon edhe një telefonatë që i kanë bërë në mbrëmje babait të tyre për ta qetësuar se janë mirë: Tani po flemë! Pas këtij mesazhi ata nuk u zgjuan më kurrë! Tërmeti i së martë në 03:54 i zuri në gjumë në dhomën e hotelit, teksa pas orësh të tëra u nxorën të pajetë nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Nga Tiranë në Livoçin e Epërm, na çoi një mision i veçantë. Një biznesmen në Tiranë me origjinë nga Vlora, i cili dëshiron të mos e shuajë gjestin e bamirësisë duke e bërë publik emrin, me të dëgjuar në lajme historinë e trishtë të familjes Abazi dhe jetesën e tyre të vështirë, vendosi të dhurojë 6 mijë euro, nga 1 mijë euro për 6 të vegjlit që humbën baballarët në një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore që preku Shqipërinë.

“Mirë motër mirë ardhsh”, na thotë në telefon teksa nisemi nga kryeqyteti, djali i xhaxhait të Isa dhe Shemsedinit, Sabri Abazi. Dhimbja e madhe, nuk ua kishte zhdukur respektin, e as pas pritjes dhe përcjelljes së mijëra personave që vinin për ngushëllim.

Babain e Isës dhe Shemsedinit e takojmë në çadrat jashtë shtëpisë aty ku me mijëra njerëz, të njohur e të panjohur të tyre kanë shkuar të shprehin ngushëllimet. Pyet nëse ne të Shqipërisë jemi mirë, nëse kemi pasur të lënduar apo jetë të humbura. Në mesin e kësaj tragjedie nuk harron mikpritjen dhe zemërgjerësinë.

Babai i vëllezërve kosovarë

Babai nuk duket i lëkundur nga fatkeqësitë që e kanë zënë këtë familje. Vite më parë i ishte shuar një tjetër djalë, por ai qëndron i fortë…mundohet të mos lëshojë lot, dhe t’i japë shpresë bashkëshortes së tij dhe nuseve të dy djemve që tashmë duhet të rrisin të vetmet 6 fëmijë.

Me zemrën e prekur nga gjesti human i një vëllai shqiptar siç babai shprehet, na çon tek nuset e djemve për t’ia dorëzuar atyre paratë për fëmijët. Ato ndodhen ulur krah njëra-tjetrës në çadrën tjetër hapur jashtë shtëpisë së familjes Abazi, ku ndodhen vetëm gra. Në krye qëndron nëna e vëllezërve Abazi, e ulur në një divan me nuset. Dhimbjen në shpirt e kanë aq të madhe saqë duket se i mungon forca për të nxjerrë lot. I shohim të veshura me shami të bardhë, ndërsa asnjë nga gratë e tjera nuk është veshur me të zeza.

Bashkëshortet e Isa dhe Shemsedin Abazi dhe nëna e tyre

Familja Abazi janë muslimanë. Vdekja për ta , sado e vështirë qoftë, është vullnet i Zotit, i cili duhet pranuar dhe përballur. I themi se vimë nga Tiranë së bashku me zemrën e madhe të një njeriu të panjohur për ta që dëshiron të lehtësojë sadopak dhimbjen e tyre duke u siguruar të paktën se fëmijët do ta kalojnë dimrin pa u munguar gjë. Nuk mund t’i mbajnë lotët teksa thonë vetëm: Allahu jua shpërbleftë! Zoti ju ndihmoftë.

Bashkë me vlerën monetare, në dorë mbanin edhe një arushë. Ishte dëshirë e një vajze të vogël, vetëm 7 vjeç, për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të saj të vegjël, sapo dëgjoi se disa fëmijë nuk i kishin më pranë vetes baballarët e tyre, për shkak se ata kishin shkuar shumë larg (pa pasur zemër t’i tregojmë se tërmeti tragjik i 26 nëntorit që edhe ajo ndjeu dhe përjetoi, ka bërë që dhjetëra njerëz të humbin jetën nën gërmadha). Teksa i tregojmë për këtë vogëlushe, shohim teksa në faqet e nënës së Isës dhe Shemsedinit rrjedhin lot, duke marrë pranë vetes arushin, një njëbrirësh rozë, dhe vështrimin e mban në emrin e vajzës së vogël të shkruar në të.

Djali i vogël i familjes, Isai, më 28 nëntor do të festonte ditëlindjen. Babai ia ka blerë edhe dhuratën, teksa ky është momenti i vetëm kur e shohim të përlotur. Kthen sytë mënjanë të mos e tregojë veten, dhe fillon të rrëfejë kujtimet që ka me djemtë nga hoteli i pushimeve të verës që tashmë u kthye në tragjedi për familjen. “Për 10-15 vjet kemi bërë pushimet familjarisht tek Hotel Tropikal. Por këtë verë nuk ma bënte zemra të shkoja, mendova për situatën ekonomike, nuk doja t’i shpenzoja djemtë, dhe nuk shkova. Isa më 30 nëntor kishte ditëlindjen, ja kam blerë edhe dhuratën. Më telefonuan para se të flinin, dhe më uruan natën e mirë. I pyeta a jeni mirë? Mirë thanë, kemi gjetur edhe materialet (të punës)”, na tregon babai.

Aty takojmë edhe Sabriun, i cili humbi djemtë e xhaxhait në këtë tragjedi. Është rritur me Isain dhe Shemsedinin në këtë lagje të varfër të Livoçit.

“Jemi rrit bashkë si vëllezër. Ka qenë dhimbje e papërshkueshme për ne. Derisa kam shkuar vet tu shoh fytyrat me pastru xhenazen s’kam mundur ta besoj. Tërmeti i zuri në gjumë”, thotë ai mes lotëve.

Na tregon se vëllai i tij ishte shkëmbyer në kufi me Isën dhe Shemsedinin. Ai kthehej nga Shqipëria për në Kosovë, dhe ata shkonin për në Durrës. Edhe ai kishte qenë në hotel “Tropikal”.

Sabri Abazi, kushëriri i vëllezërve që vdiqën nga tërmeti

Me të marrë lajmin e kobshëm, vëllai i Sabriut, i cili është ushtar, ka shkuar vetë pranë gërmadhave për të kërkuar me shpresën se do të mund të nxirrte gjallë dy kushërinjtë e tij.

“Vëllai im ka qëndruar katër ditë atje. Pas 4 ditëve u nis. Në kufi janë takuar. Ku po shkon Shems e Is? Po shkojmë në Durrës në Tropikal, me punu. Pastaj e ka marrë në telefon një shokë prej Durrësit. I njihte një më një ku janë dhomat. Ka kërkuar 27 orë nën rrënoja derisa e ka gjetur edhe trupin e dytë të pajetë, Shemsedinin”, na tregon Sabriu, teksa thotë se çfarë tragjedie do të ishte nëse ky tërmet do të kishte rënë në verë, ku gjithë fisi pushonte në këtë hotel.

“Allahu i madh, me pas ndodh në korrik e gusht, nga 50 vetë të familjes ne shkojmë atje, nip e dajë, ka mund me qenë katastrofë. Allahi i ndihmoftë edhe ata vëllezër e motra që janë atje”, thotë Sabri Abazi.

Siç e di tradita, kryefamiljari Abazi na përcjell të largohemi teksa tashmë kishte rënë nata. “Nuk do jua harrojmë…Me të ardhur në Tiranë, do ju takojmë”.

Fotoja e Isa dhe Shemsedin Abazi vendosur në hyrjen e rrugicës së banesës së familjes Abazi ku vetëm ditën që ne i vizituam (29 nëntor) kishin pritur 5 mijë vetë për ngushëllim

Në mes të kësaj tragjedie, Shqipëria dhe Kosova treguan se janë një përmes solidaritetit të treguar nga vëllezërit tanë përtej kufirit. Edhe në pikën e përbashkët kufitare në Morinë e sheh këtë. Efektivët e kufirit sapo shohin targat e Shqipërisë, pyetja e parë që drejtojnë është: A keni shpëtuar të gjithë nga tërmeti? Të gjithë e dinë tragjedinë e familjes Abazi dhe sapo i tregojmë se po shkojmë të ndihmojmë 4 fëmijët e Shemsedinit dhe dy të vegjlit e Isait, njëzëri thonë: Zoti ju ndihmoftë!

Exit mobile version