Vite më parë Bahtiri kishte një aktakuzë për korrupsion. Ai si shumë politikanë të tjerë ishte shpallur i pafajshëm. Agim Bahtiri kryetari i Komunës së Mitrovicës në janar të vitit 2015 kishte nënshkruar një kontratë mbi 760 mijë euroshe pa tender publik për të cilën sot është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Kontrata si dokument nuk është publikuar në faqen zyrtare të komunës së Mitrovicës dhe as në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, njofton Klan Kosova.
Por pak ditë pasi kishin firmosur këtë ujdi Komuna që drejtohet nga Bahtiri në shkurt të 2015 kishin sqaruar se gjithçka ishte bërë sipas rregullave.
Në sqarim thuhet se procedura ligjore e lidhjes së kontratës ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Kompanisë nga Danimarka HESALIGHT A/S–Dega në Kosovë, me seli në Prishtinë, është bazuar në nenin 35.2.3 të LPP 04/ L-042, me të cilin komunave, përkatësisht autoriteteve kontraktuese, ju lejohet e drejta ligjore që ta shfrytëzojnë procedurën e negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.
*Procedura e këtij projekti, përkatësisht kësaj lënde, ka filluar më 02.12.2014, kur është bërë njoftimi në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, institucion ky që nuk e ka refuzuar kërkesën për përdorimin e procedurës së lartë cekur, prandaj vazhdimi dhe përfundimi i procedurave të tjera, ashtu sikur është vepruar me këtë lëndë, konsiderohen si ligjore.
*Nga kjo që u tha më lartë, mund të konstatohet se procedura e nënshkrimit të kontratës midis Komunës së Mitrovicës dhe Kompanisë nga Danimarka HESALIGHT A/S–Dega në Kosovë, me seli në Prishtinë, është kryer në mënyrë ligjore, pasi që kompania në fjalë ka ofruar dokumentacionin komplet dhe ka mbështetje direkte nga Qeveria e Danimarkës.
*Njoftojmë opinionin se tenderi publik për këtë projekt është shpallur dy herë, por vetëm ndriçim solar për dy rrugë të qytetit, oferta ka qenë mbi 200 mijë euro, që ishte e papranueshme për Komunën, për shkak të çmimit të lartë, andaj edhe është anuluar. Kurse, me kontratën e nënshkruar për të cilën po flasim, projekti mundëson ndriçimin në të gjitha rrugët dhe rrugicat e qytetit, që përfshin rreth 1.658 shtylla elektrike dhe një WFI-Sistem, që ofron edhe mundësinë për të pas qasje në internet në këto rrugë dhe rrugica.
*Me rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate, Komuna i ka pas parasysh përparësitë e veta, që para së gjithash kanë të bëjnë me përfitimet që ajo i sjellë, pasi që sipas një llogarie të bërë, pothuaj gati i tërë investimi i bërë, do të shpaguhet për pesë vjet. Kjo, pasi që kursimi i energjisë do të jetë për 88 për qind, që do të thotë se Komuna pas realizimit të këtij projekti do të paguajë shumë më pak për rrymën e shpenzuar, thuhet mes tjerash në sqarimin bërë nga kjo komunë.
I pari i Mitrovicës para së ta nënshkruante këtë ujdi që kishte të bënte me furnizimin, montimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik efiçient në të gjithë rrugët e qytetit të Mitrovicës ishte takuar disa herë me përfaqësuesit e kompanisë “MSC Grup- Hesa Light ” me të cilët kishe nënshkruar kontratën .
Në maj të 2014 ai pati takuar përfaqësuesin e Kompanisë daneze për prodhimin e dritave efiçiente “MSC Grup”, për Evropën Jugore, Gazmend Kelmendi me të cilin patën biseduar rreth realizmit të projektit për vendosjen e dritave elektrike efiçiente në Komunën e Mitrovicës, që do të rezultonte me kursim të energjisë deri ne 80 për qind.
Dy muaj më vonë Bahtiri sërish ishte takuar me drejtuesit e kësaj kompanie, me të cilët kishte folur për rrjedhën e këtij projekti.
Por puna rreth këtij projekti duket se nuk i shkoi mirë atij, njofton Klan Kosova.
Për këtë çështje Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër Bahtirit, shefit të prokurimit në komunën të cilën e drejtonpër veprat penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrëveshje për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender.
Në aktakuzë, po ashtu është i përfshirë edhe drejtori i Operatorit Ekonomik “HESALIGHT A/S, Gazmend Kelmendi për të cilin siç thotë prokuroria ekziston dyshimi i bazuar mirë se duke vepruar si përfaqësues i atij operatori ka paraqitur ofertë bazuar në një marrëveshje të kundërligjshme, qëllimi i së cilës ishte që organizatori në rastin konkret Komuna e Mitrovicës, ta pranojë ofertën e tillë duke e kufizuar konkurrencën e lirë, ashtu që me rastin e lidhjes së një kontrate të lidhur në mes të autoritetit kontraktues, Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik “HESALIGHT A/S me çmimin prej 767.940.00 €, kanë zbatuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik.
Sipas prokurorisë, këto veprime janë kryer me qëllim që të pandehurit t’i sjellin vetes apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm, duke i shkaktuar dëm në shkallë të madhe Komunës së Mitrovicës, gjegjësisht buxhetit të Republikës së Kosovës.