Epilogu

Bahtiri thotë se VV’ja deshi ta propozonte Vjosa Osmanin për kryetare të Kuvendit

Kryetari i Mitrovicës së Jugut dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka thënë se VV’ja ishte e gatshme që më 26 dhjetor ta votonte Vjosa Osmanin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeparlamentare.

Bahtiri ka thënë se ai personalisht nuk dorëzohet, dhe se ka shumë shpresë se koalicioni mes VV-së dhe LDK-së do të bëhet.

“Nuk ka zgjidhje tjetër, pasi qytetarët i kanë votuar këto dy subjekte me një vrull të madh. Çfarëdo opsioni tjetër është i papranueshëm për mua, qytetarët e Kosovës dhe shumë njerëz në LDK”, ka thënë ai në Rtv Dukagjini.

I pari i Mitrovicës thotë se oferta e Isa Mustafës në adresë të Vetëvendosjes ka qenë shumë e pamatur.

Ai thotë se sa herë janë takuar me LDK-në, këta të fundit kanë ardhur më kërkesa të reja në kurriz të Vetëvendosjes.

Bahtiri thotë se vullneti i Vetëvendosjes për të shkuar në koalicion me LDK-në ka qenë i kamotshëm dhe sipas tij kjo është dëshmuar edhe me ofertën për koalicion parazgjedhor.

Anëtari i Vetëvendosjes thotë se LDK mori 5 ministritë më të fuqishme e që në vete përmbajnë 13 ministri aktuale që po ashtu janë shumë të fuqishme.

Bahtiri thotë se ditën kur është zgjedh Glauk Konjufca në krye të Kuvendit, ai personalisht ka ftuar disa deputetë të LDK-së që ta ftojnë Isa Mustafën që të propozojë Vjosa Osmanin për kryetare të Kuvendit, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se më pas i kanë pyetur se nëse do të propozojnë kandidatin e tyre a do ta votojë LDK-ja, e ata kanë dhënë përgjigje pozitive.

“Është propozuar Konjufca dhe e kanë votuar 75 deputetë”, tha ndër të tjera Agim Bahtiri.

Exit mobile version