Zhvillimet e fundit të sigurisë në vend, spiunazhi i Rusisë dhe konfliktin potencial midis Kosovës dhe Serbisë janë temë e debatit të sotëm në “RTK Prime”.
Intervista e djeshme për mediat e huaja e kryeministrit Albin Kurti, i cili vuri në pah rrezikun e luftës në Kosovë, si pasojë e ndikimit të madh të Rusisë mbi Serbinë ka ngjallur reagime të shumta.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri Kurti në këtë intervistë vetëm ka treguar se ekziston një rrezik potencial.
“Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdije. Kjo është e argumentuar me vite të tëra, duke ditur se Ballkani është nën hemisferën ruse, sidomos Serbia dhe disa shtete përreth. Pa dyshim të thuhet se nuk ka rrezik nga Serbia është papërgjegjshmëri. Gjithmonë ka rrezik nga Serbia. Ne po e shohim edhe armatosjen e madhe në Ballkan që po ndodh. Ne i kemi shpesh edhe deklaratat e liderëve kroatë. Ata janë në NATO dhe thonë gjithmonë se nuk na mbron vetëm NATO, por duhet të armatosemi vetë dhe t’i qëndrojmë përballë një armiku siç e kanë edhe ne edhe kroatët, e që është Serbia”, ka theksuar Bajqinovci në “RTK Prime”.
Ai ka thënë se Kosova tashmë ka filluar të armatoset, duke pasur parasysh situatën e përgjithshme.
“E kemi rritur buxhetin për ushtrinë për 52 përqind edhe pse prapë nuk është i bollshëm. Edhe po të ishte buxheti 5 miliardë apo 10 miliardë kryeministri Kurti do ta shpenzonte maksimalisht sidomos në blerjen e pajisjeve ushtarake, duke ditur se situata e sigurisë nuk është sikurse para një viti.Nuk dua të marrë paralele, por duhet ta kemi parasysh se lufta në Ukrainë i ka ndryshuar matematikat e sigurisë”, ka shtuar Bajqinovci. Ai ka thënë se 60 përqind të arsenalit ushtarak të Serbisë është rreth kufirit me Kosovën.