fbpx
Lajme

Bala: Dëshmitarët në Hagë thonin, bima azilin, tregomë çka me thonë, se flas qa të duash

Flet për “Epokën e re”, Haradin Bala (Pjesa III-e fundit. Botohet e plotë) 2013

T: MILLOSHEVIQIT I THASH SE NUK DOJA TË MË PËRSHËNDESTE

Tepër, tepër, tepër vështirë ta takosh një kriminel si Millosheviqi
MË I RËNDË KA QENË ARRESTIMI I FATMIRIT TANI SE AI I HAGËS
Ka asi njerëz që frikësohen për të më vizituar, se Haradini është i dënuar për krime lufte

Në vazhdimin e tretë dhe të fundit të intervistës Haradin Bala ka thënë se pas lirimit të Fatmir Limajt ka për të folur edhe më shumë. Ai ka thënë se Limaj me shokë do të dalin të pafajshëm. Bala ka thënë se ka ndërmend t’i bëjë disa vizita aty ku ka shokë: në PDK, LDK dhe AAK. “E kam ndërmend të shkoj te të gjithë, t’u them punoni se nuk janë senet zi në Kosovë. Ka përparime. Në mujshim mos të gabojmë, se dikur riparimi na kushton më shumë. Këto gjëra e kam ndërmend me ua thënë PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, ka thënë Bala

Mal QORRAJ

Prishtinë, 16 janar –

“Epoka e re”: Me Sllobodan Millosheviqin ju ka rënë rasti të takoheni?

Haradin Bala: Po. Ishte dita e vizitave dhe unë me Fatmirin u futëm në lift për t’u ngjitur një kat më lart. Në lift ndodhej edhe Sllobodani. Ai nuk dilte jashtë shumë, më shumë rrinte brenda. Kur na pa neve e ndërroi çehren. Na përshëndeti në gjuhën serbe: Dobardan! Limaj i tha a po më njeh? Ai i tha po. Limaj i tha le të jetë hera e fundit që na përshëndet. A e ke të qartë?, – i tha Limaj. Slloba ia kthej: Po. Më fal! Slloba ka qenë njeri interesant, s’ka pas nevojë dy herë me ia tërheq vërejtjen. Serbët aty në burg s’kanë lënë gjë pa i bo. E ngucnin. Ky veç brenda rrinte.

“Epoka e re”: Me gjeneralin kroat, Gotovina, jeni takuar?

Haradin Bala: Gotovinën nuk ke qare pa e pas jaran. Kokë si Gotovinën zor se mundesh me taku. Gotovina veç me ne shqiptarëve ka qenë në shoqëri dhe me kroatët e vet. Pra, me mua, Ramushin, Idrizin dhe Lahin.

“Epoka e re”: Sa ka qenë vështirë të jetosh në një burg me serbët që i kanë pasur duart e përlyera me gjak gjatë luftës në Kosovë?

Haradin Bala: Bacë, çfarëdo që të foli është zor për ta përshkru. Është tepër rëndë.

“Epoka e re”: Kjo ka qenë edhe arsyeja që i keni thënë Millosheviqit mos t’ju përshëndes?

Haradin Bala: Po, normalisht. Takimi me një kriminel është shumë i vështirë dhe s’mund ta përshkruash. Është tepër, tepër, tepër i rëndë. Fakti i dytë që ma ka rënduar ka qenë kur për çdo lëvizje që bënim në gjyq, Limaj ishte me pranga. Me e pa Limajn me pranga në dorë, ato ndjenja nuk përshkruhen.

“Epoka e re”: Ndodhi edhe vdekja e Milloshevqit në burg. Ka pasur mundësi ndonjë i burgosur ta vrasë veten?

Haradin Bala: Çdo i burgosur ka pas mundësi ta mbysë veten. Millosheviqi nuk e ka mbyt veten. Ai është gjetur i vdekur në qeli të vet. Dhomat e burgut mes meje e Millosheviqit kanë qenë në një distancë as 10 metra, kemi qenë në të njëjtin kat.

“Epoka e re”: Ka ndodhur që ndonjë prokuror t’ju joshë me para për të dëshmuar kundër shokëve, Limajt e Isakut?

Haradin Bala: Me pare nuk më ka josh, por më ka thënë se duhet me bashkëpunu me ta veç me ua tregu të vërtetën kënd e kam pas komandant. Dhe më ka thënë se do të jeni i lirë. Për bashkëpunim e kanë të lejuar me ligj atje. Më duket edhe këtu në Kosovë tani është kjo e drejtë. Ata pritshin prej meje të them: po, qe Fatmiri. Ia bëra të qartë prokurorit: rri pa gajle, se për gjithë luftën e drejtë të UÇK-së do t’ju flas në përgjigjen e bashkëpunimit. Më thoshin fol se ka filluar procesi, fol e shko prej shpie se ke për t’u dënuar keq. I thash prokurorit: mos u ngut se gjithçka ke me ditë, krejt të vërtetat kam me t’i tregu në seancë. Kështu që, dështoi. Çfarë komandanti?! Unë jam kanë komandant i vëllezërve të mi. Zënë llugën e banu komandant. Qysh me thonë u kanë njeri kur nuk a ka. U krye procesi dhe këta u shpallën të pafajshëm, Limaj e Isaku. Më thirri edhe nja dy herë prokuroi: hajde bashkëpuno e ec prej shpie, se boll ke nejt në burg. I hash s’kam qa me thonë asnjë fjalë ma, të gjitha i kam thënë në seanca. Të bëhet çfarë të bëhet e flaka i daltë!
Aty ka qenë gjithherë rrezik, si në shkallë të parë, ashtu edhe në të dytën, sepse nuk e dinte njeri se çfarë të pretë. Dikur më erdhi njoftimi se në këtë datë mbahet seancë për vendimmarrjen e shkallës së dytë. Dhe tash nuk isha i sigurt se a po vijnë Fatmiri dhe Isaku. Thosha nëse i kthejnë prapë, do të luajë puna dhe nuk do të rrijë më ai vendim. E pyeta avokatin a po vijnë edhe ata, më tha nuk dimë gjë. Shkova drejt sallës dhe u çel dera. Hyra vetëm unë si “nona e mbretit”. Atëherë e kuptova se ata nuk paskan me i ngucë. Për mua thosha le të bëjnë çfarë të donë, nuk mërzitesha fort. Filloi seanca, ia nisi prokurori duke u ankua se u shkel kjo procedurë, e hedh poshtë këta, e hedh poshtë atë dhe mbeti vendimi i shkallës së parë. Ia filloi për mua: hedh poshtë këtë, atë. Vetë me vete thash: shkoi nja 30-40. Të gjitha m’i hodhi poshtë. Më në fund e la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

“Epoka e re”: Sa keni qenë i kënaqur me dëshmitarët e juaj dhe të prokurorisë?

Haradin Bala: Dëshmitarët tanë të gjithë kanë qenë të mirë, e kanë folur realitetin, gjë që atje realiteti nuk vlen. Dëshmitarët tanë kanë qenë të qartë, aq të drejtë saqë unë nuk kisha mund me tregu atë realitet. Me dëshmitarët e prokurorisë nuk ke pas, në kuptimin qysh me u kënaq me ta, jo pse të kanë bërë akuza, por kanë qenë dëshmi të fabrikuara. Kanë qenë dëshmi të cilat ishin pas përgatit katër ose pesë vjet më përpara. Shumica e dëshmitarëve të prokurorisë kanë dëshmuar sa për të fituar azil, veç tregomë çka me thonë, se flas qa të duash. Këso dëshmitarë kanë qenë të prokurorisë.

“Epoka e re”: Si ka qenë një ditë e zakonshme në burg, bashkë me Fatmirin e Isakun?

Haradin Bala: Unë më shumë isha i sëmurë, por gjithë jam zgjuar herët. Kafen e duhanin i kam shumë merak, ma tepër se bukën. Fatmiri kur rrinte në qeli, veç lexonte. Dy libra në të njëjtën kohë i lexonte. Njëherë i thash: I kupton të dyja?! Lexoje njanin e atëherë tjetrën. Fatmiri ishte pas mësuar prej fakultetit, kur ka qenë student, t’u i përgatitë provimet përherë, e i kish mbet ves m’i lexu ka dy libra në të njëjtën kohë. Fatmiri zgjohej kah ora 10:00 e mëngjesit. Isaku më herët. Dikur kanë ardhur Ramushi, Lahia dhe Idrizi.

“Epoka e re”: Gjatë qëndrimit tuaj i keni pasur edhe dy raste të vdekjes së anëtarëve të familjes.

Haradin Bala: Në vitin 2006 më vdiq vajza 24-vjeçare, e cila ka qenë e palëvizshme. Nuk kisha shpresa që më lirojnë. Në burgun e Scheveningenit më shumë të kanë respektuar. Më liruan për vajzën. Erdha në Kosovë. Pavarësisht se ka qenë e paralizuar, e ke fëmije dhe ke çfarë kujton për të. Nuk e kam pas fort lehtë. Por, jam njëfarë tipi, e quaj veten interesant. Mund të ndihem keq 24 orë deri në 48 orë, e atëherë kaloj në normalitet. Kur erdha në shtëpi erdhi Asmon Sefa. Ai është këngëtar dhe ma shnoshi kryet për vajzën. I thash: A po i rrihni telat hala?, tha po nga pak. I thash a po vjen bre sonte këndona pak? U zbeh njeri, i ra në befasi se mua më kish vdek vajza 24 vjeçe. E pash që u habit, por i thash mos u zbeh se po e di për çfarë je zbeh. I thash ndërmend s’e kam me mbajt zi për njeri të gjallë. I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin. Që nuk përtoni hajde. Erdhi. Pra, kam përjetuar shumë, shumë, shumë…

“Epoka e re”: Pasi jeni kthyer në burg ju ka ndodhur edhe një rast i vdekjes në familje?

Haradin Bala: Pas tre muajve më ka vdekur edhe vëllai i madh. Haga më ka liruar për varrim. Pra, dy herë ka 5 ditë kam qenë në Kosovë, por kam pas kufizime. Kam qenë nën përcjellje nga trupat e KFOR-it. Në gjithë shtëpinë kam pas roje për ato pesë ditë që kam qenë në Kosovë me rastin e vdekjes së vajzës. Edhe te dhoma ime ku kisha për të fjetur më ruanin.

“Epoka e re”: Kur jeni transferuar në burgun e Francës?

Haradin Bala: Më 14 mars 2008 më kanë transferuar në burgun e Francës. Ka qenë vendim i prerë. Unë pata propozuar të më dërgojnë në Itali, se e ka pas më lehtë familje për vizita, mirëpo ata vendosën për Francë.

“Epoka e re”: Gjatë qëndrimit në burgun e Francës ju ka vdekur edhe nëna?

Haradin Bala: Po, në vitin 2009. Në Francë e kam pas të drejtën e përkthyesit dhe të drejtën e avokatit. Të gjitha këto i kam kërkuar zyrtarisht. Francezët nuk mu kanë përgjigj. Në Francë nuk kam avokat, as përkthyes, as televizion. Vetëm një djalë nga Ferizaj, Bujar Neziri, të cilin e falënderoj. Ai jeton në Gjermani. E pati angazhuar gruan e vet për të ma sjellë gazetën “Zëri” me postë. Në fillim ma postonte çdo ditë. U thash nuk keni nevojë çdo ditë. M’i postoni çdo javë të gjithë numrat. Ai djalë prej Holandës 10 vjet nuk mu ka nda kurrë. Tash të dal te pyetja, te vdekja e nënës. Mbushja e telefonit ka qenë e limituar në burgun ku isha në Francë. Brenda javës kam pas drejt t’i shpenzoj deri në 50 euro. Ato nuk më mjaftonin kur ndodhte diçka në familje. U thash mua më ka vdekur nëna, kjo mbushje nuk më mjafton, nëse keni mundësi të bëni përjashtim në këtë rast. Në fund bënë përjashtim. Aty e kuptoi asistenti social, e më tha po bëjmë një kërkesë për lirimin tënd të shkosh në varrim të nënës, i thash ani.
Avokatët që i kisha në mbrojtje në Hagë gjithmonë kanë qenë në kontakt me mua. Të njëjtën kërkesë e kanë bërë edhe në Hagë. Presidenti i Tribunalit të Hagës kishte thënë se për ne nuk prish punë, se mund të shkoj të marrë pjesë në varrimin e nënës. Por, francezët thanë jo. Nuk e pranuan kërkesën, me ato arsyetimet e tyre se UÇK-ja është organizata terroriste dhe nëse shkon ky ku me ditë çfarë bëhet. Këso budallakina të tyre. Ata hala e kanë kokën të mbushur me propagandë të Serbisë. Kështu që, nuk më lejuan të shkoj në varrim të nënës.

“Epoka e re”: Dhe dikur u mor vendimi të liroheni para kohe?

Haradin Bala: Është një rregullore që, pasi të përfundojë apeli, ke të drejtën për ta parashtruar një kërkesë për lirim të parakohshëm, pasi ta kryesh 2/3 e dënimit. Këtë të drejtë e kam pas në tetor të vitit 2011. Shikohen sjelljet çfarë kanë qenë.

“Epoka e re”: Çfarë ishin emocionet me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

Haradin Bala: Ka qenë gëzim i madh. Për këtë ditë të gjithë, i madh e i vogël, kishim sakrifikuar, pra i gjithë populli. Ka qenë diçka e papërshkueshme. Ka qenë interesante dita kur është shpallur pavarësia. Atë ditë i kam shënuar pesë vjet burg: 17 shkurt 2003 – 17 shkurt 2008.

“Epoka e re”: Pas shpalljes së pavarësisë ka ardhur dikush prej Qeverisë t’ju shohë juve ose familjen në shtëpi?

Haradin Bala: Në burgun e Francës në vizitë, pas shpalljes së pavarësisë ka qenë vetëm Fatmiri, nëse e marrim si institucion të Kosovës, edhe pse s’mund t’i them institucional se kam qenë bashkë me të. Limaj e unë jemi shokë. Jo bacë, prej institucioneve, Qeverisë nuk ka ardhur askush. Edhe në familje kush nuk më ka thënë se ka qenë përpos Fatmirit.

“Epoka e re”: Si u ndjetë kur u liruat dhe mbërrit në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”?

Haradin Bala: Keq. Çfarë lirimi? Shokët në burg. E di se ata janë shumë të pastër. Haradin Bala nuk është i lirë dhe as që ka me qenë i lirë derisa një ushtar i UÇK-së është i mbyllur në burg.

“Epoka e re”: Juve ju kanë mbajtur në burg ndërkombëtarët. Po në shtetin tëndin të jesh në burg për luftën e UÇK-së sa është vështirë?

Haradin Bala: Më i rëndë ka qenë arrestimi i Fatmirit tani se ai i Hagës. Qysh bre në ora 11:00 të natës me hy njeri në paraburgim?! A nuk kanë pas kohë të nesërmen me paraburgos?! Kjo ta kujton kohën e Millosheviqit, veç t’u nënshkrua vendime e dënime të shqiptarëve. Këto krejt vijnë prej Serbisë. Ne e dimë se kush e ka formuar EULEX-in dhe me çfarë qëllimi ka ardhur. Hajt mbylljani gojën Fatmirit se ky po fol!

“Epoka e re”: Në burg në Republikën e Kosovës?

Haradin Bala: Po, me vulë të Republikës së Kosovës. Ai që dyshon në pafajësinë e Limajt ai nuk është njeri. Edhe një milion herë të arrestohet e të mbahet në burg nuk kanë me pas qare pa e shpall të pafajshëm. Ky është skenim që ka ardhur nga Serbia.

“Epoka e re”: Kur e keni ndërmend ta vizitoni Limajn në burg?

Haradin Bala: Prej se kam ardh jam duke bërë përpjekje që sa më shpejt të shkoj ta shoh. Ai ka me dal i lirë, mbajeni në mend, mos dyshoni. Kosova me i pas pesë Fatmira do të ishte ndryshe. Veç pesë Fatmira. Po ku me i bo pesë Fatmira.

“Epoka e re”: Na përshkruani çastin kur keni mbërritur në oborrin e shtëpisë?

Haradin Bala: Gjithçka kishte ndryshuar. Ishte pas bo kohë e gjatë e nuk e kisha pas ditë. Hyra në shtëpi. Dhoma ishte mbushur plot. U ula dhe vetëm shikoja. Djalin e dytë e kisha përballë, e shikoja e nuk e njihja. Njëherë ma thoshte zemra se djali im, Egzoni është, e njëherë më dukej se nuk është i imi. Dikur po i them një nipi, kush është ky bre. Tha Egzoni. Aq shumë kish ndrysh. Vitet po ecin.

“Epoka e re”: Kush ju ka vizituar prej fytyrave publike të institucioneve të shtetit pas lirimit?

Haradin Bala: Në familje kanë ardh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 14 a 15 deputetë. Pastaj ka ardhur Ramush Haradinaj së bashku me Besnik Tahirin dhe Gani Demaj. Ka qenë edhe shoku im, Lahiu, dhe m’i ka sjellë 15 kilogramë raki. Nejse, nuk është gajle kjo nëse të tjerët nuk kanë ardh. Fatkeqësia më e madhe te ne është se sot janë bo njerëzia servilë, e kjo është shumë e keqe. Ka asi njerëz që frikësohen për të më vizitu, se Haradini është i dënuar për krime lufte, mos me pa ndonjë i huaj se po shkon te Haradini e po e rrokin toni ata. Unë e kam përcjell deklaratën e kryeministrit Hashim Thaçi për Dick Martyn. Edhe pse nuk kam dëshirë të përmend emra kur deklaroi se ka për ta paditur Dick Martyn. I kam përcjell lajmet në radio të Kroacisë. Presidentit kroat i bënë pyetje gazetarët: Z. president, a është koha t’i përgjigjeni Nikoliqit? Ai tha: Jo. Le të pushojë njëherë. Pra, me një fjalë, i tha, nuk kam kohë me u marrë me ty. Deklarata e presidentit kroat ishte shumë përmbajtjesore, për mendimin tim. Edhe Thaçi është dashur t’i thotë atij Dick Marty, se boni hetimet ti, por s’ka diçka të vërtetë në atë punë. Nëse dikush nuk vjen tek unë, besoni se nuk ua shoh për të madhe. Kush ka dëshirë është i mirëseardhur, e ka derën hapur. Unë e kam ndërmend të shkoj tek të gjithë, t’u them punoni se nuk janë senet zi në Kosovë. Ka përparime. Në mujshim mos të gabojmë, se dikur riparimi na kushton shumë. Këto gjëra i kam ndërmend me ua thënë PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Epoka e re”: Baca Haradin, çfarë mesazhi keni për qytetarët dhe a do të angazhoheni në politikë?
Haradin Bala: Së pari ju falënderoj për këtë bashkëbisedim! Nuk e kam pas në plan njëherë me fol, por kam edhe më shumë për të folur kur të lirohet Fatmir Limaj së bashku me shokë. Do të kem çfarë të flas edhe për politikë. Qytetarëve u them të punojnë. Me punë arrijmë diçka. Përndryshe, nëse nuk punojmë, mbesim ku jemi. Na i drejton frenat tjetërkush. (FUND)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close