Epilogu

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit: Pas stërvitjeve vetëm Sali Çekaj ka hyrë përmes kufirit

Fadil Begu, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, ka rrëfyer për formimin e grupeve të para të armatosura dhe njohjen e tij me Zahir Pajazitin.

Begu, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se pas mbylljes së shkollave në vitin 1991 LPK kishte bërë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës në ekzil për dërgimin e grupeve të para në Shqipëri për t’u përgatitur për luftë.

“Jemi takua me Zahirin dhe Hakifin dhe kemi bërë plane kush të shkojë për stërvitje në Shqipëri. Zahiri ishte kategorik për të shkuar. Dhe jemi nis bashkë me Zahirin dhe Arsim Hamitin dhe kemi zbrit në Cyrih. Një natë e kemi bërë në Cyrih, dy të tjera në Lugano, pastaj kemi shkuar në Trieste, pastaj nga Bari në Durrës”, tregon ai.

Begu thotë se në Durrës janë pritur nga forcat e armatosura të Shqipërisë me një autobus.

“Nga aty ne me autobusin e armatës kemi shkuar në Surrel”.

Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit ka thënë se ushtrimet kanë zgjatur rreth pesë javë.

“Stërvitjet kanë zgjatur rreth pesë javë dhe në fund ka ardhur Hafiz Gagica me një pseudonim… Ai në cilësinë e ushtarakut na ka pyetur të gjithëve nëse jemi të gatshëm të hyjmë në Kosovë përmes kufirit”.

“Nga grupi i Llapit të gjithë ishim të gatshëm për t’u futur në Kosovë, pos njërit. Por më pas u vendos të mos hyhet nga kufiri e më vonë kuptova që vetëm Sali Çekaj ka hyrë përmes kufirit”.

Zahiri më ka treguar se gjatë kohës sa ka qëndrua në Shqipëri është ndihmuar nga Agron Dhimarko për të sjell një sasi municioni, por më pas është zënë në Kukës dhe është burgosur për disa ditë. Zahiri më ka treguar se Bahri Brisku e ka ndihmuar për tu liruar nga burgu”.

Begu ka thënë se misioni i tij në kohën kur Zahiri ka filluar aksionet e armatosura ishte informimi për rreziqet që mund t’i kanosen grupit.

“Unë kam qenë mësimdhënës dhe kisha informacione edhe nga nxënësit”.

Ai thotë se ka disa versione se si u vra Zahir Pajaziti, por thotë se asnjëri nuk mundet të jetë shumë i sugurt./Telegrafi/

Exit mobile version