Publicisti Baton Haxhiu ka thënë të martën se ekziston një marrëveshje ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për emërimin e Veton Surroit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të RCC-së.
Në një editorial të publikuar të martën, në të cilën ish-drejtori i Klan Kosovës kritikon qasjen e kryeministrit Kurti në dialogun me Serbinë, ai po ashtu pretendon se dy liderët janë pajtuar për afirmimin e Veton Surroit në pozitën e sekretarit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
Tutje, Haxhiu në shkrimin e tij e quan Surroin një “person i cili për më shumë se 30 vite, sipas Albin Kurtit, ka mbajtur qëndrime të prera anti-kombëtare”.
“Në fakt, të njëjtit janë aq të ulët sa në heshtje e pranojnë edhe marrëveshjen Kurti-Vuçiç për emërim të Veton Surroit si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Pra, bëhet fjalë për afirmim të personit i cili për më shumë se 30 vite, sipas Albin Kurtit, ka mbajtur qëndrime të prera anti-kombëtare duke filluar nga mbrojtja e ndryshimeve kushtetuese, mbështetja e koalicioneve opozitare anti-Kosovë si Demos e Zajedno të Serbisë kundër Ibrahim Rugovës, pjesëmarrja në projektin e Millosheviçit për të zëvendësuar Bujar Bukoshin me vetë Surroin si Kryeministër të Qeverisë në Ekzil e deri te dorëzimi pa kushte me ditë të parë në Rambuje kundër përpjekjeve të Rugovës dhe Thaçit për avancim të disa klauzolave me rëndësi jetike në atë marrëveshje”, shkruan Haxhiu.
Sipas Haxhiut, anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje i është nënshtruar në plotni Kurtit.
“Megjithatë, kjo e bën të qartë se anëtarësia e kësaj partie i është nënshtruar pa kushte interesave personale dhe kultit të udhëheqësit shpirtëror në dëm të interesave kombëtare”, vijon shkrimi i Haxhiut.
Haxhiu ka akuzuar Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin, të cilin e ka quajtur “dallaveraxhiu smirëzi, Besnik Bislimi”, se kanë vendosur ta trajtojnë dialogun me Serbinë “si në komplotet e tyre të pista kundër aktivistëve të PSD-së”.