Epilogu

Baton Haxhiu: Konsumoni Prodhime Serbe, përfshirë Albin Kurtin 

Pse bën sikur di diçka më shumë dhe provon të bëhet i fortë kur e di fundin? Kur e din të gjithë se sa janë mundësitë e një qeverie si kjo e Kurtit. Padyshim ka qenë qartë e gjitha. Pyetja është pse bën lojë kur e kuptojnë të gjithë se ke humbur gjithçka që një politikan mund të humb.

Kurti ka ndërtuar një politikë me dinjitet të poshtëruar dhe s’ka asnjë mundësi të riparohet në diskursin dhe sjelljen e tij politike. Ai tashme është antihistorik sepse të gjitha rruget i ka kunder vetes. Sepse ashtu e ka ndërtuar rrëfimin e tij.

Thjesht, të gjitha në jetë shpaguhen, ose siç thotë populli, çka mbjell do korrësh, apo (Karma is a bitch).

Për të shpëtuar Kosovën Albin Kurti duhet të jetë antihistorik për Albin Kurtin mashtrues në opozitarizëm, sepse ndërtimi i historisë personale tashmë është rrëfim i kryer. Është një rrëfim poshtërues. Sepse të gjitha gjerat i ka kundër vetes. Çdo ditë të jetës së tij politike.

Kurti po tërhiqet vazhdimisht nga të gjitha premtimet. Nëse ai nuk do ta bënte këtë, tërheqjen, ai do të poshtërohej nga ndërkombëtarët.

Në anën tjetër, po të sillet si Albini opozitar, ku të bërit politikë e ka pasur mostërheqjen, atëherë nëse rastësisht nuk do të tërhiqej, ai do te mbetej i vetëm dhe Serbia do ta fitonte konfliktin në Veri, që prej kohesh e ka projektuar dhe dashur, dhe në këtë rrugë, pa dashur, Kurti do ta ndihmonte edhe Rusinë e cila krahëhapur e pret këtë konflikt.

Gjithë dilema e tij, duke luajtur politiken e asgjësë, ishte se çka të bënte me këto shtresime politike.

Ai veproi si oportunist; vendosi të humb më pak.

Albin Kurti njoftoi për shtyrjen e vendimit për zbatimin e kthimit të targave ilegale serbe në targa zyrtare të lëshuara nga Republika e Kosovës.

Natyrisht, zanati i mashtruesit të pashërueshëm, i doli shpejt në sipërfaqe, sapo deklaroi se ‘vendimin nuk e kemi shtyrë, por zëvendësuar dhe shkallëzuar’.

Kjo është thjesht një farsë për ta mbuluar turpin e tij, sepse thelbi i vendimit nuk janë masat e ndërmjetme (thuajse masa e qortimit do të bëjë ndonjë punë – këtë nuk e besojnë as aktivistët më trushpërlarë nën 18 të VV-së), por pikërisht fakti se deri në prill të vitit të ardhshëm nuk do ketë vendosje të targave të Republikës së Kosovës.

Kjo është thelbi, sepse ShBA-të e bën kërkesën me arsyetimin se ndonëse vendimi për regjimin e targave është i drejtë, shtyrja e zbatimit të tij është në interes të progresit të dialogut për normalizim marrëdhënish midis Kosovës e Serbisë. Ky vendim, pra, është në shërbim të hapjes së mundësisë për nënshkrim të marrëveshjes me Serbinë sipas propozimit franko-gjerman, pa njohje te ndërsjellë.

Përkundër premtimeve fillestare ai rrugës humbi premtimin, humbi linjën politike dhe humbi Amerikën.

Se pari, ky vendim do të duhej të bashkërendohej me partnerë ndërkombëtarë në krye të herës, e jo të merret në kushte të trysnisë. Ne fund, ai e morri vendimin e njëjtë që iu kërkua fillimisht, por me çmimin e cenimit me partnerë ndërkombëtarë dhe me lëndim të dinjitetit shtetëror të Kosovës.

Se dyti, kjo është edhe një fitore e Aleksandër Vucic në terren, ndikimi i të cilit po rezulton të jetë më i madh sesa autoriteti i institucioneve të Qeverisë në komunat veriore.

Albin Kurti pranoi se vetëm me pëlqim të Aleksandër Vucic mund të fillojë me inkasim të energjisë elektrike në Veri duke nënshkruar marrëveshjen e dëmshme për Energjinë.

Tani po pranon se nuk mund të detyrojë zbatimin e targave të Republikës së Kosovës pa lejen e tij. Kësisoj, Vucicit kjo i krijon avantazhin jo vetëm e të qenurit i pyetur për tema të brendshme të Kosovës, por edhe epërsinë nga fakti që një pjesë e rëndësishme e faktorit ndërkombëtar atij po i njeh pikërisht këtë rol në terren.

Gjithsesi, këtu vlen të kujtojmë se as vendimi për targa, qe dikur njerëzve të këtij vendi ua shiti për reciprocitet, e as marrëveshja për energjinë, të cilën e keqinterpretoi qëllimshëm pasi e kishte quajtur ndarje e sovranitetit me Serbinë, nuk janë çështja themelore tani për tani. Sikur Qeveria e Albin Kurtit, dhe shoqes se jetës dhe mendimeve, Vjosa Osmanit, do ta kishte përnjëmend punën e reciprocitetit, atë do ta kishin filluar siç kishin filluar herën e pare: vendosje të reciprocitetit ekonomik me Serbinë. Me të marrë mandatin, Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit i pat gënjyer deputetët duke iu thënë se do ta vendos reciprocitetin ekonomik, sapo punonjësit në fjalë do të kryejnë përgatitjet e nevojshme. Pas dy vjetësh qeverisje, ndërkaq, Qeveria e Albin Kurtit është bërë kampione e shkëmbimeve tregtare e ekonomike me Serbinë.

A ka diçka për të thënë Vjosa Osmani, e cila ndërsehet duke hingëllirë ndaj Kryeministrit të Shqipërisë për platformën e Ballkanit te Hapur nëpër medie ndërkombëtare dhe e mbyll gojën si servile për faktin se vendi i saj po korrë suksese të pamatshme ekonomike dhe tregtare me Serbinë?

Natyrisht se jo, sepse ajo interesxhike e ngushtë ishte kur e quante Albin Kurtin Hugo Chavez, interesxhike e ngushtë mbetet edhe tani kur i shërben vetëm si zëdhënëse.

A kanë diçka për të thënë për këtë çështje aktivistët e fushatës ‘Bojkoto Produktet e Serbisë’ që dikur rrokullisnin kamion e maune në emër të shkëputjes së marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Serbinë?

Natyrisht, që Jo.

Sepse ata tani janë shembull i turmave të nënshtruara para kultit (në rënie) të Albin Kurtit, pavarësisht se ky vuan nga shprehia e ngrënies së çdo premtimi të dhënë. Në këtë kontekst, shqetësim të veçantë meriton fakti se populli i Kosovës më nuk po çuditet me poshtërimet e panumërta e të pashembullta të Albin Kurtit. Duket se të gjithë e kanë kuptuar se ai është një mashtrues politik, por ende pjesa me e madhe e arsyeton si më të mirin nga sfondi i varfër i politikanëve vendorë.

Ne fakt, ky arsyetim është edhe i kuptueshëm veçanërisht kur përballë tij qëndrojnë Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, të cilët mendojnë se duke heshtur për të bëmat e Kurtit do të fitojnë diçka.

Për më shumë, ata ende nuk kanë qartësuar asgjë sa i përket pozicionit të tyre për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi. Sepse s’kanë as politika as edhe qëndrim për çështjen.

Ramush Haradinaj i pari i mashtruar i këtij procesi, doli dhe mashtroi publikun pas takimit me Kurtin. Ai është i fundit qe duhet të flas për këtë proces, sepse ai është dezertori i pare i një procesi politik ku ai ka qenë kryeministër. Në një shoqëri normale një kryeministër kur deserton me dorëheqje të pakuptimtë, nuk do duhej ta bënte një spekulim të radhës. Ai nuk e dalloi çka është njohja eksplicite dhe implicite në këtë proces.

Thjesht, dhe pa asnjë sens politik bëri një deklaratë pakuptim duke lexuar gabimisht atë që ka lexuar në zyrën e Kurtit. I tha opinionit publik se ka njohje.

Më mirë hesht.

S’ka kuptim interpretimi që në dhjetor e ka rezultatin.

Kur jemi te marrëveshja finale Kosove-Serbi, vlen të kujtojmë se është çështje dy muajsh, për të mos thënë pak javësh.

Albin Kurti do ta pranojë Zajednicen pa njohje, ndërkohë sikurse për këtë shtyrjen e vendimit për targa, do të prodhojë gjithfarë interpretimesh, mbjellë gjithfarë akuzash e do të kryejë gjithfarë shpifjesh për të siguruar njëfarë mbulese në opinion publik.

Ne fakt, vetë Besnik Bislimi deklaroi se propozimi franko-gjerman është më afër me qëndrimin e Serbisë sa sa qëndrimin e Kosovës. Përveç faktit se dhënia e një deklarate të tillë në këtë fazë të procesit është një amatorizëm në vetvete, sidomos në raport me partnerët ndërkombëtarë, kjo deklarate duhet të ruhet për llogaridhënie politike edhe historike pas nënshkrimit të një marrëveshje thelbësisht proserbe, sipas asaj që e tha njeriu më i afërt i Kurtit.

Sidoqoftë, kjo nuk ndryshon asgjë nga përmbajtja e marrëveshjes e cila, në fund të fundit, e lë Kosovën pa gjënë më me rëndësi në rrafsh ndërkombëtar, ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ju lutem, mbamendje të kthjellët: dikur Albin Kurti e luftonte pavarësinë e Kosovës me arsyetimin se nuk ka pavarësi pa ulëse në OKB. Po i njëjti sot, do ta dëmtojë shtetësinë, duke nënshkruar Zajednicen, pa ulëse në OKB. Gjithsesi, ai duhet dhe mund ta fitojë betejën para opinionit të brendshëm me fushatë linçimesh dhe angazhim keqinterpretuesish me pagesë. Kjo nuk ka fare rëndësi.

Në plan afatgjatë, me këto vendime, Albin Kurti nuk mund të ndryshojë vetëm një gjë: faktin se prapa imazhit të djaloshit kryengritës e të pakompromis në vlerat e tij, s’ka pasur asgjë më shume sesa një politikan llogarish të ngushta për pushtet, pa shqetësime për fatin e vendit qe i dha pushtetin me mbi 50%.

Pas vendimit për shtyrje të zbatimit të regjimit të unifikuar të targave edhe në Veriun e Kosovës, VV-ja dhe udhëheqësi i saj shpirtëror, Albin Kurti, kanë vërtetuar se janë të papjekur në vendimmarrje dhe krejtësisht të padenjë për t’ia lidhur kryet siç duhet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. /Albanianpost.com

Exit mobile version