Baton Haxhiu: Për këto arsye e takova Stanishiqin
As ëndërr nuk e kisha pasur ta takoj njeriun, i cili me syze dielli po lironte pilotin ndërkombëtar në Bosnje. Piloti gjendej i poshtëruar, i lidhur për një shtylle elektrike. Atëherë e kisha parë fuqinë e tij. Atëbotë kuptova se në Ballkan kishte një zot lufte. Ai ishte Millosheviqi. Në një moment të takimit u hutova aq ngase po kuptoja se po kaloja nga jeta ne vdekje. Ishte rrjedha e shpejte, marramendëse e ngjarjeve me të cilën vetëdijesohesha.
Njeriu i parë i Millosheviqit, atë që kisha parë ne TV me syze dielli në Bosnje, duke zgjidhur pilotin, ishte përballë meje, në dhjetor të 1997-ës, kjo. Ishte shfaqur aty të na kumtonte lajmin se po shkonim në luftë. Dhe se të gjithë do të dëboheshim. Pyete – se e ke gjalle ende! Jovica Stanishiq e ka emrin.
Kur në jetë nuk kisha dashur ta takoj një njeri me emrin Jovica Stanishiq. As për një orë. Por ja që frika nga krimet, tmerri nga parafytyrimi ku shqiptarë e serbë vriten, digjen, masakrohen të detyronte ta lusësh jo vetëm atë, por edhe vetë demonin e krimit më brutal të ferrit. Po njeriu edhe djallin vetë e lutë kur është në pyetje liria dhe shpëtimi i popullit tënd.
Po kërkonim një shpresë qe mos të futeshim në lufte. I luteshim që mos ta bënte Kosovën si Bosnjën dhe Kroacinë. E paralajmëronim: «mos e bëni edhe herën e trete luftën se do ndodh pikërisht ajo që ndodhi me vone». Bombardimi! Ishte përpjekja ime intelektuale, njerëzore, për ta evituar masakrën që i kanosej popullit tim. Isha i ndërgjegjshëm se bëja gjënë e duhur.
Unë – tha – s’kam fuqi më tha, sepse afër Millosheviqit, ka shume nacionalistë dhe dashamirës të luftës.
Na thanë se ekzistonte projekti patkoi dhe se do të na dëbonin të gjithëve për 24 orë. Nuk ia dolëm ta bindim se krimi i paralajmëruar ishte hata e madhe. I thamë ne takim që do bombardoheni sepse e keni tepruar ne Bosnje dhe Kroaci. I thamë se ka zot mbi zot («Ima Boga nad Bogom»). Nuk beri punë asnjë lutje e jona. E dinim sa te fort ishit. Kishit trashëguar një armate nga perandoria Jugosllave.
E kuptova i pari kumtin e luftës. E kuptova pameshirësine që po vinte. Kanxhat ishin te ngulura tashme dhe armët ishin të mbushura me fishekë për vrasje.. Të gjitha këto tregonin se vrasja ishte bluar prej kohësh në kokë. U ndamë me fjalinë: Shihemi në luftë…!
E në Kosove nuk pati luftë. Vetëm masakër pati.
Pas dhjete vitesh, dëgjova zërin e tij. E dëgjova nga dhoma e burgut në Hage që po pëshpëriste vetëm një fjalë; «Zotëri Baton (gospodine Batone), na falni për atë qe ju ka ndodhur. Kaq kisha fuqi për të bërë. Nuk arrita ta bind askënd».
Aty e pash fuqinë e pafuqishme të njeriut Stanishiq dhe mu kujtuar ajo fjalia se ka “zot mbi zot” (“Ima boga nad bogom”).
Atje në Hage takova vetëm një fjali të tij, por s’e pashë fare. E kisha të ndaluar të takoj njerëz tjerë të burgosur. Me pëshpëriti nga dritareza e vogël e derës se burgut. Nuk e di në e dinte se çfarë krejt nuk kishim mundur të parandalonim më 1997.
Rrëfimi i parë: Qershor i vitit 1999
Kisha ikur me 28 prill 1999. Arrita në Kosovë më 13 qershor 1999. Kosova ishte vend ku zërat e të vdekurve flisnin po aq zëshëm sikur ata të të gjallëve – ndoshta edhe më zëshëm. Të vdekurit ishin askund dhe gjithkund. Ishte e qartë se disa kurrë nuk do të gjenden, të tjerët ishin të shpërndarë nëpër varre të paemërtuara. Eshtrat e tyre të grumbulluar në gërmadhat e asaj që dikur ishin shtëpitë e tyre të bukura fshatare. Aty kishin qenë momentet e tyre të fundit të shënuara në memorie dhe në fytyra të atyre që mbijetuan ato që ndodhën në Kosovë.
Liria për disa ishte klithje për disa ferr. Çdokush ishte në marrëdhënie të ngushta me këta të vdekur. Gati çdo fshat, çdo mëhallë, çdo familje në një mënyrë ishte prekur nga sulmi i egër i vrasjeve, dimensioni i të cilave vetëm po bëhej plotësisht i qartë, kur paqeruajtësit e NATO-s shtriheshin në tërë Kosovën dhe shqiptarët e dëbuar po ktheheshin prapa.
Ajo që shqiptarët gjenin kur ktheheshin në shtëpitë e tyre është hiq më pak se një shtëpi gjigante e shkatërruar Ndonjëherë, ata këtë e gjejnë në pragjet e shtëpive të tyre. Pjesë të kufomave mbushnin bunarët familjarë, kufomat ende qëndronin aty ku ishin therë, përderisa kryenin punët e rëndomta – zierje dreke ose shikim të TV-së.
Në Krushë ishte tmerr. Një fshatar i Krushës së Madhe mendon se sytë e tij gjithnjë do të drejtohen nga vendi i krimit. “Është aq vështirë këto ditë, thoshte ai, “vetëm të jesh këtu”.
“Dhe njerëzit, ishin të vdekur po ashtu, në një mënyrë, edhe ata që ishin lënë të gjallë”.
Kishte fëmijë që ishin sikur zombi të vegjël – nuk ishin as pikëlluar, ishin vetëm të zbrazët”.
Njerëz të moshuar të Mejës dhe Krushës vetëm qanin.
Vashat e reja (20 mije prej tyre) që ishin dhunuar – mendonin se kurrë nuk do të flasin për atë gjë, por jeta e tyre ishte shkatërruar. Dhe për meshkujt ishte ndjenjë e tmerrshme, sepse ata donin t’i mbronin familjet e tyre nga tërë kjo dhe nuk mundën. Gati në çdo mur kishte grafite në serbisht: “Umri!” – vdis.
Një pjesë jo e vogël e njerëzve në Kosovë, të cilët tashmë nga dhuna kishin humbur më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, thirrjet dhe lutjet „për bashkëjetesë me fqinjët e tyre“ në radhë të parë i kuptonin si një reprizë nga e kaluara, kur bëheshin apele lapidare për “vëllazërim-bashkim“.
Kuptohej, bashkësia ndërkombëtare mendonte ndryshe. Por, si ta kuptonin këtë mesazh njerëzit e thjeshtë, të cilët kur kthehen nga ekzili i detyrueshëm në vend të pronave të pasura gjenin gropa të zeza. Ishte gati e natyrshme që ndjenja e hakmarrjes vlonte në gjoksin e çdokujt. Prandaj, aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve, ishin te shëmtuara, por nuk ishin aspak befasuese. Prandaj ato ditë e shtronim pyetjen aq shumë e diskutueshme se a kishte faj kolektiv dhe a ekziston faji kolektiv? Të gjithë pohonin se në këtë rast megjithatë ekziston përgjegjësia kolektive.
Shteti serb a kishte shumë mëkate në shpirt lidhur me ngjarjet e gjithmbarshme të luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, e ata tashti kishin filluar të shpërlahen dhe të gjithë fajin po ia hidhnin Milosheviqit.
Sllobodan Milosheviqi nuk ia futi flakën secilës prej shtëpive në Kosovë. Individët serbë po.
Ata e bënë këtë me vullnet dhe shpesh me kënaqësi vrasëse, sipas dëshmive të të mbijetuarve që janë mbledhur nga gazetarët, hulumtuesit e krimeve të luftës dhe paqeruajtësit e NATO-s.
Ishte e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për të bombarduar Serbinë, as më 28 shkurt 1998, kur u kryen masakrat serbe në Drenicë, madje as më 1989 – është një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve, që zgjat së paku nga viti 1912 e këtej.
Natyrisht përballë kësaj stuhie terrori fizik dhe psikik pothuaj njëshekullor edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve. Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte shteti serb. Këtu qëndron dallimi mbase qenësor mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas. Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës. Këtu qëndron dallimi në mes Ramushit dhe Millosheviqit.
Rrëfimi i dytë: Polemika
A më duket mua apo zonja Smajloviç u gjend, së paku për një moment të vetëm, qe sa debatojmë, në pozitën e atij shefit të delegacionit gjerman, i cili takoi mareshalin legjendar francez Foch për ta definuar armëpushimin në fund të Luftës së Parë Botërore.
Sapo ishin ulur të deleguarit e armatës gjermane, Mareshali Ferdinand Foch, e nxjerr një letër nga sirtari dhe ua lexon me zë atyre kushtet e armëpushimit. Shefi i delegacionit gjerman brof në këmbë, i çoroditur, i skuqur i tëri nga ato që dëgjoi, bërtet: “Këto janë kushte që asnjë komb i qytetëruar nuk guxon t’ia bëj tjetrit”!
Foch me një elegancë të si era i përgjigjet kolegut të tij:
“Më vjen mirë t’i dëgjoj këto fjalë të nderuar zotërinj. Këto kushte nuk janë franceze, por janë kushte të komandantit gjerman kur kapitulloi qyteti ynë Lille”.
Nuk e dinte gjenerali gjerman se ato kushte ishin mostër që Gjermania i praktikonte gjithandej, dhe siç dokumentohet më vonë edhe nga vetë gjenerali në fjalë? Me siguri i ka ditur, por në atë moment ai është pranuesi i mesazhit e jo dhënësi. Nuk është kushtevënësi më, por i thyeri, korrieri i lajmit të keq të kapitullimit që duhet t’ia sjell të vetëve. Veç në ato momente gjenerali gjerman zbulon njeriun, veten, zbulon portretin e vet nëpërmjet zërit të tjetrit dhe e refuzon atë, se i duken të rrepta, të ashpra, të padrejta. Atëherë pra kur i ndien nën lëkurë.
U ndie edhe bashkëbiseduesja ime ashtu kur i shkrova të funksionojë me mendësinë e Millosheviqit dhe u acarua? Ndoshta për disa sekonda, por fatkeqësisht jo më tepër, ngase pas shokimit të presupozuar nis këngën nga e para duke vënë krah për krah, duke i bërë baras Haradinajn me Millosheviqin dhe madje duke kërkuar objektivitet.
Për çka fola unë në tekstin tim paraprak që e detyron zonjën Smajloviç të bëjë atë ekskursion të mërzitshëm perandorisë osmane, dinastive e orgjive mitike nacionaliste për të ardhur deri tek apeli të jemi objektiv?
Rrëfimi i tretë: Absurdi i krahasimit – Ramushi dhe Milloshevici
Para se të bastisi esencën e atij krahasimi e barazimi absurd ndërmjet Millosheviqit dhe Ramush Haradinajt ia bëj ca pyetje vetes për të rikontrolluar veten se çka paskam thënë e menduar që s’qenka faktike, që nuk u argumentuaka me referenca përtej kosovare e joserbe? Thash se pakica serbe është me e privilegjuara në rajon ngase ka vende të rezervuara në parlament; mund të bllokoj çdo ndryshim me veton e saj. Qëndron kjo? Thash se pakica serbe në krahasim me tjerat e rajonit është më e privilegjuara se edhe po të ishte 10% ka gjuhën zyrtare brenda vendit, çka në vendet tjera nuk është. Në mos shqipja e 30% shqiptarëve atje është zyrtare? Atje gati plas lufta për atë që ne as që e kemi diskutuar.
Në mos shqipja e shqiptarëve të Serbisë jugore është zyrtare? Edhe librat duhet t’i sigurojnë me marrëveshje ndërshtetërore.
Tek ne nuk ka as media, as parti as njeri serioz që fyen shqiptarët për çdo ditë me epitetet më monstruoze siç bëjnë mediat serbe.
Ishim ne dora vetë që pranuam Gjykatën Speciale. Jemi ne që lejojmë që gjysma e ushtarakëve të UÇK-së gjendet burgjeve. Serbia nuk i dorëzon as sot e kësaj dite të vetët dhe nga gjithë ajo makineri krimi paramilitar ka dënuar një a dy sa për sy e faqe. As kufomat nuk i kthen.
Natyrisht zonja Smajlloviç, në bazë të kësaj gjendjeje denacionalizmi të thellë kosovar, së paku të sferave publike e shtetërore nuk e veçoj në gishta ndonjë Natasha Kandiq shqiptare apo Sonja Biserko, Teofill Pançiq ose Nedim Sejdinoviq. Shumica jonë kemi dëshmuar se jemi si ta, me ta dhe shumë serbë tjerë që vijnë e shkojnë në Prishtinë dhe me të cilët përpiqemi të krijojmë ura të reja me shpresën se do t’i mundim ata të kafazuarit brenda vetëdijes së Millosheviqit.
Kur them se jeni rob të mendësisë millosheviqiane – edhe po nuk e thash hiç duket në çdo tekst tuajin – mendoj në mediat proqeveritare, shtetin, qeverinë, kryeministrin, presidentin, ministrat, ngase këta nuk kërkojnë falje për viktimat, për luftërat e shkaktuara ndaj të gjithëve, por vazhdojnë të sabotojnë kah munden lirinë e tjerëve në emër të ndonjë “nacionalizmi hyjnor imagjinar me rrënjë mesjetare”. Kjo donë të thotë se vazhdohet rruga e pamundshme, tashmë iluzore e Millosheviqit për Serbinë e madhe. Pyetni edhe joshqiptarët, objektivët tjerë nëse nuk më besoni mua.
BE sillet rigoroze ndaj kosovarëve më shumë nga fakti se i detyron shqiptarët, viktimat në Gjykatë Speciale edhe pse ata nuk shkuan ta djegin Beogradin siç ndodhi me anën tjetër por mbrojtën shtëpitë e tyre ashtu siç mbrohen në kohë luftë. Kanë vrarë civilë? Do të dënohen. Po çka vranë serbët me mijëra? Bylbyla?
Këto janë fakte objektive, të qena, e nderuara kolege. Dhe në thelb këtu është pabarazia ndërmjet nesh në këtë debat. Unë jam mediabërës, subjekt në vete, nuk i jap llogari askujt.
Rrëfimi për Kosovën dhe Serbinë
Edhe mua sa herë që flas për luftën, paqen, të tashmen, Kosovën dhe Serbinë, për ndonjë të ardhme tonën të përbashkët si fqinj të pajtuar, më sulmon kujtesa, përvoja ime objektive si njeri dhe gazetar, më ngushtojnë zemrën dhe duhet ta mundi kujtesën për të mos u egërsuar.
Për çka e kam fjalën? Flas për një realitet objektiv, të përjetuar vetë dhe ndoshta më lehtë se qindra mijë të tjerë kosovarë para, gjatë dhe pas luftës. Para se të ikte Serbia nga ky nënqiell ne ndiqeshim rrugëve e gjithandej si shenja potenciale për ushtrime me armë të paramilitarëve, policëve, ushtarëve të shtetit serb. Ne ishim ata që nga i pari i fundit u dëbuam drejt gjitha drejtimeve të mundshme të botës; me trena, me makina, me traktorë, në këmbë, nëpër lloç shpesh duke na rrëshqitur këmbë edhe në ndonjë gllofkë gjaku.
Iknim sa më shpejtë duke ndier në çdo moment se si plumbi i ndonjë paramilitari të dehur do të hyjë nga shtylla kurrizore drejt trurit. Gra, fëmijë, pleq, të gjithë. Dhe atëherë, atëherë kur ndërkombëtarët i përzunë këta, po edhe shumicën e këtyre që ende janë në pushtet e sillen të lirë, kanë poste – në krahasim me Haradinajt tanë që arrestohen gjithandej.
Te thash me larte se kur u kthyem e dini çka gjetëm?
Kufoma familjesh të tëra, me fëmijë, gra, pleq, kufoma të karbonizuara apo gjysmë të skeletuara pranë kadavrave po aq të deformuara të qenve, lopëve, kuajve të tyre; me sytë e mi i kam parë të gjitha objektivisht; e quaj fatlume ndonjë ditë kur nuk më kujtohet ndonjë foshnjë që ma lexonin sytë atëherë mu në mes të gërmadhave me kufoma , ndonjë vajzë të vrarë bashkë me macen e saj që shpirtin e kishte dhënë, por jo edhe macen e saj.
Me këto kujtime çohen nga gjumi, nisin ditën me mijëra e mijëra kosovarë edhe sot kolege e nderuar. Çka bëjnë gjithë këta? Ndërsejnë vendet e punës dhe shkruajnë për “opingat serbe”, “njerëzit e tmerrshëm” që u vranë njerëzit, u dogjën gjithçka dhe i masakruan; sulmojnë gjithandej serbët kosovarë? Jo. Sulmet i imagjinoni ju dhe nuk ua del pasi nuk janë objektive, por vetëm incidente të të dyja palëve. Ata për çdo ditë mbledhin veten, mundin veten, mbijetojnë kujtesën aq prezente dhe kërkojnë paqe, pa urrejtje, pa nacionalizëm, pa shovinizëm. Ky është realiteti objektiv tek ne.
Rrëfimi për Gjarprin dhe «Rambon»
Si është ai realiteti objektiv i juaj atje? Gjithmonë vetëm ashtu siç flet politika zyrtare? Për kohën e para, gjatë e pas luftës nuk ju pyes se keni qenë në Beograd e jo në Kosovë. E atje nuk erdhi as “Gjarpëri”, as “Rambo” e as “Komandant Dreqi” t’ua rrezikojë lirinë.
Përkundrazi ata që vranë u kthyen për të bërë festa dhe t’i marrin honorarët, postet pas krimeve të bëra gjithandej tokave ballkanike.
Askush nuk i prekë reliktet dhe objektet e juaja të shenjta këtu. Ua kemi falë qëmoti. Ua ruajmë më shumë se shtëpitë tona. Ky është karakteri i njerëzve këndej.
Historia jonë rrodhi dhe na solli këtë liri dhe këta njerëz që i kemi. Nuk i kemi shpallur hyjnor as kishave e as xhamive. Nëse kanë gabuar do të paguajnë. Nëse ndiqen vetëm pse kanë mbrojtur pragun e tyre do të lirohen.
Një gjë është më se e qartë; pushtues nuk ishin dhe ky fakt është argumenti bazë i çdo debati tonë. Nuk erdhën andej. Mbrojtën shtëpitë e tyre.
Ne madje as si mareshali Foch nuk sillemi me Serbinë. Nuk ua lexojmë serbëve apo atyre të komoduarve atje të njëjtat kushte siç na i lexonte ne Millosheviqi dhe pasardhësit e tij sot duke mohuar ekzistencën e lirisë sonë, përkundrazi ne pareshtur përpiqemi të ju dëshmojmë se duam fqinjësi të mirë.
Liria, shteti, Republika e Kosovës është fakt objektiv, real, pranojeni këtë dhe pastaj s’kemi as pse flasim për histori perandorish, masakrash, pushtimesh, se kush erdhi e kush ishte këtu e gjera të këtij lloji. Asgjë më shumë se objektivitet, dalje nga kafazi imagjinar nacionalist nuk i dëshiroj fqinjit tim serb. Ne vërtetë qoftë edhe me atë kujtesë të rëndë, posttraumë ia kemi dalë. Ejani në Prishtinë dhe do të bindeni vetë.