fbpx
LajmeOpinione

Baze: Edhe Stalini ka qenë më i logjikshëm se Albin Kurti, Kosova është vend anti-perëndimor

Shkruan: Mero Baze

Qindra gazetarë të Kosovës ishin sot në rrugë për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të mbyllur Klan Kosovën, nën arsyetime teknike dhe hallka burokratike për deklarimet e regjistrimit të biznesit që e ka pronë televizionin.

Në përpjekje për të mbrojtur vendimin e tij, Kurti tha se po mbyll vetëm një nga qindra bizneset mediatike që veprojnë në Kosovë. D.m.th sipas tij në qëndrimin ndaj medias, kanë rëndësi statistikat dhe jo parimi. Me këtë logjikë të Kurtit, duhet lejuar të mbyllen 49,9 për qind të mediave se prapë nuk ka mbyllur më shumë se gjysmën dhe konsiderohet se është akoma gjendje pozitive me lirinë e medias.

Kjo logjikë e cila në thelb është fashizëm i hapur reflektohet dhe në qëndrimin e tij ndaj sanksioneve të Perëndimit.

Ndërkohë që Perëndimi e ka vendosur Kosovën nën sanksione, për shkak të politikës së Albin Kurtit në Veri dhe pasigurisë që ka krijuar për të ardhmen e bashkëpunimit me Perëndimin, ai deklaroi se ka tërhequr 25 për qind të policëve dhe tani Perëndimi duhet të heqë sanksionet. 

Në mendjen e tij statistika ka rëndësi mbi cilësinë e qëndrimit. 

D.m.th kur ky të tërheqë 51 për qind të policëve dhe Perëndimi duhet të tërheqë 51 për qind të sanksioneve. Edhe Stalini ka qenë më i Iogjikshëm. Ai kishte parimin se vdekja e një ushtari ishte tragjedi, ndërsa zhdukja e një batalioni ishte statistikë.

Nga mënyra se si sillet duket sikur Kurti i ka vendosur sanksione Perëndimit dhe tani po përpiqet t’ia heqë pak nga pak.

Njësoj si sillet me shtypin, që pasi njërin e gjobit, tjetrin e mbyll, pastaj bën statistika dhe thotë ka qindra media të tjera nuk i kam gjobitur apo mbyllur.

Problemi i sanksioneve ndaj Kosovës, ashtu si problemi i lirisë së shtypit, nuk janë statistikë, por janë çështje përmbajtje dhe sigurie që duhet të krijojë qeveria në Kosovë ndaj lirisë së shtypit dhe standarteve perëndimore.

Albin Kurti provoi se e ka armik shtypin kritik me të dhe kjo nuk ka rendësi nëse ka mbyllur një media, ka gjobitur një tjetër dhe ende si ka gjobitur të tjerat. Për të parë nëse një fuçi vere është e prishur, mjafton të provosh një gotë dhe Albin Kurti e dha provën e tij që është armik i lirisë së shtypit.

Edhe më keq me sanksionet ndaj Kosovës.

Kosova u vendos nën sanksione jo se Kurti çoi 75 për qind policë në veri, tre prej të cilëve ja poshtëroi Serbia, por se demonstroi karshillekun e tij ndaj Perëndimin dhe krijoi pasiguri për SHBA dhe BE, se qeveria e tij do të respektojë standardet e Perëndimit në Kosovë lidhur me pakicën serbe.

Që ky besim të kthehet nuk është çështje shifrash dhe përqindjesh. Nuk mjafton të tërheqësh 25 për qind apo 100 për qind të policisë. Nuk mjafton as të ribësh zgjedhje. 

Do të duhet kohë të hiqen sanksionet, derisa Perëndimi të bindet se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga karshillëku ndaj Perëndimit dhe krijimi i një perspektive të keqe për standardet e Perëndimit në Kosovë. 

Tani Kosova nuk mund të jetë më si më parë për Perëndimin. Ajo është një vend anti-perëndimor. Për fat të keq Serbia ende nuk e ka këtë status, falë Albin Kurtit që i ka vënë gjoksin Perëndimit, para Serbisë.

Ndaj për t’u rikthyer aty ku ishte Kosova, për t’u kthyer në aleate të Perëndimit, nuk mjaftojnë më statistikat, ashtu si për qëndrimin e tij ndaj lirisë së shtypit nuk vlen fakti sa media sulmon. Ajo që vlen është bindja se ai nuk duron dot shtypin e lirë dhe nuk është gati të bëjë Kosovën një shtet perëndimor. 

Mënyra se si ai sillet, duket sikur ai i ka vënë sanksione Perëndimit, apo sikur i vë sanksione shtypit dhe që të gjithë duhet ta respektojnë kur të tërhiqet nga këto marrëzi. 

Kur tërhiqesh nga marrëzi të tilla quhesh i humbur, nuk quhesh i respektuar. I respektuar do ishte po të mos i bënte këto. Tani që i ka bërë, nuk zhbëhen me zbythjen e tij. Zhbëhen me ikjen e tij.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close