Sali Berisha ka deklaruar sot në Kuvend, se nuk kishte dëgjuar kurrë për Remzi Hoxhën.
Por, në një editorial të pak ditëve më parë, botuesi i gazetës TemA, Mero Baze, shkruante se ditën që është zhdukur biznesmeni Hoxha ka pyetur të gjithë kupolën e shtetit dhe vetëm dy persona i kanë bërë më shumë kundrapyetje se sa i kanë dhënë përgjigje.
Ja çfarë shkruante Baze:
“Unë e kam njohur djalin e Remzi Hoxhës ditën që i kanë zhdukur babain, kur ka ardhur në zyrën e gazetës sime, i kapur për dore nga Nexhmedini, xhaxhai i tij, dhe më kërkuan të pyesja çfarë mund të ishte bërë me Remziun. Unë kam pyetur në telefon brenda një ore gjithë kupolën e shtetit, që nga shefi i Komisaritit Nr.3, Gjergj Jorgo e deri tek Sali Berisha.
I pari, Gjergj Jorgo, pranoi se SHIK ka sjellë një kosovar tek qelia, por nuk është në dijeni se kush është. Zakonisht, tha, i mbajnë 24 orë. Pas 24 orëve nuk dinte më asgjë se kush ishte ai që kishin sjellë dhe ku ishte. Aleksandër Meksi si kryeministër dhe Agron Musaraj si ish-ministër Rendi nuk kishin asnjë dijeni, por ishin të qartë në shpjegimet e tyre, se ishte punë e SHIK-ut.
Vetëm dy persona më janë përgjigjur njëlloj dhe më kanë bërë të njëjtat pyetje. Ata ishin Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede. Të dy më kanë pyetur, ende pa më dhënë përgjigje, se ku e njoh Remzi Hoxhën dhe ua kam shpjeguar si ishim njohur. Të dy më kanë pyetur pa më dhënë ende përgjigje ku është, se ku e njihja unë ortakun e Remzi Hoxhës dhe ua kam shpjeguar.
Një kolegut tim gazetar që i kërkova ndihmë ta ripyeste Berishën për këtë çështje, Ylli Rakipit, po ashtu i kishte ribërë disa prej këtyre pyetjeve, pastaj i kishte thënë se mund të ishte agjent i UDB-së dhe nuk duhej përzier në këtë punë. Kjo, e gjitha dy ditët e para. Më pas nuk të jepnin më asnjë përgjigje, pasi mesa duket u kishte vdekur në duar”.