Epilogu

Baze: Vjosa Osmani prodhoi urrejtje e ndasi me Shqipërinë, Kurti uli krytë prej kur i humbi zgjedhjet keq këtu

Gazetari dhe publicisti Mero Baze, në një bisedë të shkurtër me Periskopin, për një vjetorin e Vjosa Osmanit në krye të Presidencës, thotë se ajo nuk arriti përgjatë një viti të bëhej presidente e të gjithëve. Sipas Bazes, Osmani vazhdon të mbetet presidente e Kurtit.Ne e pyetëm Mero Bazen, me pyetjen e parë mjaft thjeshtë: se për çka do të mbahet mend Vjosa Osmani për një vit. Dhe, morëm poashtu përgjigje të thjeshtë: “Për asgjë”  – tha ai.

Në këtë bisedë, Mero Baze akuzon Kurtin dhe Osmanin për izolimin e Kosovës. Thotë se raportet e këqija me Shqipërinë, me Brukselin e me SHBA-të nga kjo qeveri, thelluan izolimin e kosovarëve.

Lidhur me raportet me Shqipërinë, z.Baze pati një akuzë për Presidenten, duke thënë se ka ‘ndjellë urrejtje dhe ndasi me Shqipërinë’.

E për kryeministrin Kurti në raport me Shqipërinë, Mero baze thotë se ‘doli nga dëliri politik’ kur humbi keq në Shqipëri.

Lexojeni të plotë bisedën e shkurtër të Periskopit me Mero Bazen:

Periskopi: Sot bëhen një vit prej kur Vjosa Osmani është bërë presidente e Kosovës, si e vlerësoni punën e saj gjatë një viti?

Baze: E vetmja gjë që të vjen ndërmend është që nuk mban mend asnjë gjë. Ky nuk është një vlerësim shumë  negativ, pasi mund të ishte mbajtur mend dhe për keq. Duke qenë se është Presidente e një aleance  atipike politike, zonja Osmani duhet të bënte përpjekje të bëhej një presidente e pranuar e gjithë palëve  gjatë rrugës. Gjatë këtij viti me sa duket nuk e kishte në plan ta bënte, përkundrazi u shqua për thellimin  e konfliktit politik, duke i trajtuar kundërshtarët politik si armiq. Shpresoj ta ndryshoj në vitet që i kanë  mbetur.

Periskopi: Si ka qenë presidentja në raport me politikën e jashtme?

Baze: Politika e jashtme e një vendi të vogël si Kosova, ende me probleme të njohje ndërkombëtare është reflektim i politikës së brendshme. Vende si Kosova, Shqipëria apo dhe të tjera në rajon, si politikë të jashtme më të mirë kanë politikën e brendshm. Nëse janë vende demokratike, nëse janë vende të hapura e Perëndimin dhe pa mentalitet izolacionist ato kanë politikë të jashtme të mbështetur nga Perëndimi. Ndryshe izolohen. Kosova gjatë këtij viti ka qenë vend i izoluar për shkak të politikave të qeverisë, të gabimeve izolacioniste të Albin Kurtit dhe kjo reflektohet në axhendën ndërkombëtare të tyre. Kanë kohë të ndryshojnë.

Periskopi: Sipas jush a ka pasur bashkëpunimi të mirë me Shqipërinë?

Baze: Raportet e Kosovës me Shqipërinë prej ardhjes së Albin Kurtit në pushtet janë më të këqijat e 100 viteve,  për shkak të protagonizmit dhe delirit të tij poltik për tu shfaqur si lider “mbarë shqiptar” Deliri i  madhështisë dhe megalomania e një politikani provincial që vuan nga kompleksi i pakicës së pakicës në  origjinën e tij në Mal të Zi, me sa duket është kthyer në problem. 

Ai madje mori pjesë në zgjedhje në  Shqipëri një vit më parë, me po atë delir, por u kthjellua shpejt kur nuk mori dot as 0,1 për qind të votave. Prej atëherë u ul me këmbë në tokë dhe filloi të normalizoj raportet me shtetin shqiptar.  Ndërsa zonja Osmani do mbahet mend si presidentja që e ka pasion ngjalljen e urrejtjes ndaj Shqipërisë . Shpresoj të mos jetë kompleks inferioriteti. Ka plot vende fqinje me Shqipërinë që kanë dhe arsye historike ta urrejnë këtë vend, por nuk kanë prodhuar aq ndasi dhe urrejtje sa zonja Osmani.

Periskopi: A është dështim që nuk ka asnjë njohje gjatë një viti për Kosovën ndërkohë që Osmani është Presidente?

Baze: Nuk mendoj se është vetëm faji i Osmanit për këtë çështje. Është politika e Albin Kurtit. Ai krijoi një luftë të ftohtë me SHBA dhe Brukselin dhe njohjet vijnë prej tyre jo prej politikës së Kosovës. Njohja e fundit dhe më e rëndësishme ajo nga Izraeli ka ardhur nga Marrëveshja e Uashingtonit që Albin Kurtit e ka hedhur në kosh.

Periskopi: Osmani shpesh është akuzuar se po bëhet një shtojcë e politikës së Kurtit, duke ia bërë “amin” çdo gjë që  bën Kurti. Si mendoni?

Baze: Osmani është presidente e zgjedhur nga Albin Kurti dhe profili i saj i ulët ndërkombëtar vjen dhe nga ky  shkak. Ajo duhet të gjente rrugë dhe fuqi të shpaloste identitetin e saj për tu bërë presidente e Kosovës. Deri tani se ka gjetur dot atë forcë, ka mbetur presidente e Albin Kurtit.

Exit mobile version