Epilogu

BE-ja “tradhton” Albin Kurtin: Nuk e fton për samitin e Zagrebit, aty do të jetë vetëm Thaçi

Bashkimi Evropian me të cilin ishte rreshtuar kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, si duket ia ka kthyer shpinën menjëherë këtij të fundit. Kurti nuk ka marrë as ftesë prej tyre për t’u bërë pjesë e samitin e nesërm të BE-së me Ballkanin Perëndimor në Zagreb. BE-ja në këtë samit e ka ftuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Kryeministri në dorëheqje krenohej se kishte mbështetjen e evropianëve për veprimet e tij, ndërsa kishte dalë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos kur flitej për dialogun. Mirëpo, duket se romanca e Kurtit me Bashkimin Evropian po vjen drejt fundit.

Këtë e dëshmon edhe mungesa e ftesës për të marrë pjesë edhe Kurti si folës në Samitin e Zagrebit, që do të mbahet nesër përmes një video linku. Pjesa dërrmuese e shteteve të rajonit në këtë samit do të përfaqësohen nga kryeministrat e vendeve përkatëse, ndërsa një gjë e tillë nuk do të ndodhë me Kosovën.

Zagrebi si bartës i presidencës së BE-së ka ftuar presidentin Thaçi për të marrë pjesë në këtë samit.

Një gjë e tillë tashmë është e konfirmuar në agjendën, e cila është bërë publike në kanalet zyrtare.

Burime të Lajmi.net brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme konfirmojnë se ministri Konjufca dhe këshilltarët e Kurtit kanë bërë presion të vazhdueshëm tek organizatorët për t’ia siguruar ftesën edhe kryeministrit në dorëheqje, mirëpo kjo tentativë u kishte rezultuar e pasuksesshme.

Me qëndrimet radikale dhe veprimet antikushtetuese, Kurti duket se arriti t’i largojë nga vetja edhe aleatët e vetëm që i kishin mbetur, pas konfrontimit me SHBA-në.

Po ashtu, një sinjal tjetër për këtë erdhi edhe nga raportuesi për Kosovën në Këshillin e Evropës, Peter Beyer, i cili ka folur për zhvillimet në Kosovë. Beyer ka bërë të qartë kërkesën që të respektohet Kushtetuta dhe të veprohet në interes të qytetarëve, duke aluduar në veprimet antikushtetuese të Qeverisë Kurti.

“Unë kërkoj nga ata që kanë përgjegjësi politike në Kosovë, e edhe në gjyqësor, që të veprojnë ekskluzivisht në interesin e qytetarëve të tyre dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. I besoj çdokujt në Prishtinë që udhëzohet përmes sundimit të ligjit dhe siguron proporcionalitet në raport me të gjitha masat e nevojshme për përballjen e pandemisë aktuale dhe krizës politike, gjithmonë në pajtim me sigurimin e standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që është pjesë e sistemit ligjor vendor”, ka deklaruar Beyer.

Në pak ditë të qeverisjes së saj, Qeveria Kurti ka shkelur dy herë Kushtetutën e Kosovës mu në pikat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut të garantuara me Konventat Ndërkombëtare që iu referohet edhe Kushtetuta e Kosovës. Por, Qeveria Kurti ka cenuar edhe rendin parlamentar, duke tentuar të kufizojë punën e deputetëve, siç ishte rasti i deputetit Pacolli, madje duke e kërcënuar edhe me arrestime dhe ka refuzuar rolin e Kuvendit në vënien e masave për të parandaluar pandeminë që shkakton COVID-19.

Exit mobile version