Epilogu

BEHGJET PACOLLI RREZIKON LIBERALIZMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

MPJ-ja e Kosovës nën drejtimin e Behgjet Pacollit ka marrë një iniciativë që të liberalizoi vizat me disa vende të botës së tretë, përfshirë edhe vende që kanë probleme me terrorizmin, siç është Nigeria ku vepron “Boko Haram”, e në të njëjtin vend Pacolli ka pasur kontrata me biznesin e tij. Insajderi zbulon dokumente dhe prapaskenat e kësaj nisme që po e rrezikojnë procesin e liberalizmit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në vitin 2011 kur Behgjet Pacolli ishte zëvendëskryeministër po bënte biznes me Nigerinë, ani pse kishte dështuar që të siguronte në atë kohë njohje nga ky shtet për Kosovën. “Pacolli megjithatë nënshkroi një memorandum që i garanton atij një investim prej 1.4 miliardë eurosh në Nigeri”, raportonte “Koha Ditore”.

Pacolli tha në atë kohë se e bëri këtë për të “çimentuar” njohjen nga Nigeria, derisa tash si Kryediplomat i Republikës së Kosovës po tenton që t’ia heq vizat këtij vendi. Dhe, shumw vendeve të tjera të botës së tretë.

Megjithatë këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj mohon që Pacolli ka biznese me vendet për të cilat po tenton Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) që t’ua heq vizat.

“Jo. Ministri Pacolli nuk ka aktivitete biznesi në këto rajone. Siç e dini, ministri Pacolli nuk ka rol në kompaninë e tij që kur ka marrë poste publike”, thotë Zyberaj për Insajderin.

Në fillim të këtij viti UNHCR-ja po kërkonte ndihma prej 157 milionë dollarësh për tu përballur me krizën humanitare të shkaktuar nga njëra prej organizatave më të rrezikshme terroriste në botë, “Boko Haram”. Janë mbi 2.4 milionë njerëz që janë zhvendosur në Nigeri dhe regjion nga konfliktet dhe krimet që i ka shkaktuar kjo organizatë. Janë edhe mijëra persona që “Boko Haram” i ka vrarë.


Pacolli në vizitë zyrtare në Nigeri tre vite më parë/ Foto: Facebook

Por, një nismë e MPJ-së të udhëhequr nga Pacolli mund t’i sjell elementët e “Boko Haram” në Kosovë edhe pa viza. Pacolli ka nisur një iniciativë për t’ia hequr vizat Nigerisë dhe shumë shteteve tjera që kanë probleme serioze.

Gazeta Online Insajderi ka zbuluar se ky dikaster qeveritar nën drejtimin e Pacolit ka dërguar një shkresë në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë ku i kërkon mendimin për iniciativën për t’i hequr vizat pos me Nigerinë edhe me Angolën, Egjiptin, Ekuadorin, Filipinet, Gabonin, Ganën, për disa nga Guineat, Mozambikun Republikën e Maldovës, Ruandën, Senegalin, Tanzaninë, Tunisin, Ugandën, Kongon. Në këtë listë është futur edhe heqja e vizave me Kinën, Madakaskarin, Gjeorgjinë, Tailandën, e Ukrainën.

Për këtë iniciativë këtë vit MPJ-ja nën drejtimin e Pacollit i kishte shkruar Zyrës së BE-së në Kosovë për këtë listë të vendeve me të cilat Kosova dëshiron ta zgjerojë listën e vendeve që mund të udhëtojnë në drejtim të Kosovës pa viza për qëndrim 90-ditor. Zyrës së BE-së iu tha edhe që për këtë listë as Ministria e Punëve të Brendshëm e as agjencitë tjera nuk shohin ndonjë rrezik.

Zyra e BE-së, siç merr vesh, Insajderi nuk i ka kthyer direkt përgjigje MPJ-së, por një përgjigje kjo ministri e ka marrë përmes Ambasadës së Kosovës në Bruksel. Në një komunikim të brendshëm të kësaj ambasade me MPJ-në në Prishtinë u thuhet prerazi që MPJ-ja nuk duhet të ndërmarr ndonjë veprim sa i përket listës së vendeve që u kërkohet vizë për të hyrë në Kosovë.

Të pyetur nga Insajderi në Zyrën e BE-së në Prishtinë nuk janë përgjigjur nëse ata kanë komunikuar tutje me MPJ-në për këtë listë, por është e prerë dhe thotë se Kosova nuk është në harmoni me BE-në sa i përket listës së vendeve me të cilat aplikon viza dhe liberalizim vizash.

“Bazuar në raportin më të fundit të Kosovës të prillit 2018, Kosova ende nuk e ka harmonizuar legjislacionin e saj me listën e vendeve të BE-së, qytetarëve të të cilëve u kërkohet të kenë vizë dhe atyre të përjashtuar nga detyrimi për vizë kur udhëtojnë në BE”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për Insajderin.

Kjo zyrë  e BE-së në Prishtinë për Insajderin thotë që “BE pret që të gjitha vendet kandidate dhe kandidatët potencialë të harmonizojnë legjislacionin e tyre me listat e vendeve të BE-së, shtetasve të të cilëve u kërkohet të kenë vizë dhe atyre të përjashtuar nga detyrimi për vizë kur udhëtojnë në zonën Shengen, më së voni deri në kohën e anëtarësimit”.

Por, këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj në një përgjigje për Insajderin thotë se iniciativa e MPJ-së për t’ua hequr vizat këtyre vendeve, ku përfshihet edhe Nigeria me probleme serioze me terrorizmin, është kundërpërgjigje ndaj një fushate të Serbisë.

“Kjo është një iniciativë e propozuar nga një grup punues i krijuar në Ministri, i cili gjithashtu është i angazhuar në përpjekjet lobuese për njohjen e Kosovës. Propozimi i është bërë Ministrit dhe Qeverisë bazuar në disa faktorë, duke përfshirë edhe faktin se vendet që ju përmendni kanë udhëtim pa viza me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon dhe BE nuk ka reaguar ndaj saj”, thotë Zyberaj për Insajderin dhe mohon që kjo është iniciativë veç e Pacollit.

Ai thotë se MPJ pret që BE do të mbajë një pikëpamje profesionale mbi këtë çështje dhe do t’i trajtojë të gjitha vendet në rajon bazuar në të njëjtat standarde, por “jemi të shqetësuar se ky nuk është realiteti, pasi Serbia po heq regjimin e vizave për një numër të madh shtetesh me qëllim të kundërshtojnë përpjekjet e Kosovës për njohje dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, thotë Zyberaj.

As Zyberaj nuk pranon të flas konkretisht e a morën ndonjë përgjigje në shkresat që ia dërguan BE-së, njëjtë siç vepron Zyra e tyre në Prishtinë.

“Ministria ka informuar BE përpara për qëllimet dhe ka alarmuar BE-në se regjimi serb i vizave po abuzohet kundër interesave kombëtare të Kosovës dhe se presim një reagim të drejtë dhe të balancuar nga BE-ja ndaj të gjitha vendeve të rajonit. Kriteri i regjimit të vizave është i njëjtë për të gjitha vendet. BE ka në vend një mekanizëm për të pezulluar udhëtimin pa viza në Shengen, nëse një nga kriteret janë shkelur. BE nuk ka reaguar ndaj Serbisë dhe kjo është një shqetësim për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kemi kontaktuar me vendet anëtare të BE-së për të marrë masa, por nëse nuk ka reagim, Kosova do të zbatojë reciprocitetin, për të mbrojtur synimet e saj të politikës së jashtme”, thotë Zyberaj për Insajderin.

Kjo iniciativë edhe pse jo e mirëpritur nga BE-ja nuk dihet ende a është duke u vazhduar nga Kosova, por do të ndërpritet.

“Ministria po kryen konsultime me institucionet relevante dhe BE për të azhurnuar regjimin e vizave të Kosovës. Kosova po respekton kriteret për regjimin e vizave dhe ka qenë ndër më të përparuarit në rajon. Por Kosova nuk do të ngurrojë të alarmojë Brukselin kur shohim standarde të dyfishta që zbatohen në këtë kriter. Sidomos në qoftë se Beogradi përpiqet të bllokojë Kosovën në organizatat ndërkombëtare dhe nga njohjet përmes shitjes së udhëtimit pa viza në Serbi në këmbim për të kundërshtuar Kosovën”, thotë Zyberaj i pyetur nga Insajderi se a do të vazhdohet iniciativa në fjalë.

Në anën tjetër, në Zyrën e Kryeministrit Ramush Haradinaj kanë qenë të rezervuar për të komanduar që nisma e MPJ-së nën drejtimin e Behgjet Pacollit, për t’ua hequr vizat disa vendeve të botës së tretë dhe vendeve që kanë probleme me terrorizmin, a është iniciativë veç e këtij dikasteri apo është bërë në konsultim me Kryeministrin.

Por, në Zyrën e Kryeministrit Haradinaj kanë konfirmuar se deri tash iniciativa e MPJ-së nuk ka pasur efekt konkret.

“Është e rëndësishme për ju dhe opinionin, se nuk ka përditësim të listës së shteteve ndaj të cilave Kosova ka regjim të vizave, që do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar asgjë në raport me politikën e vizave ndaj shteteve të tjera”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për Insajderin

Qeveria e Kosovës thotë po ashtu se është e përkushtuar që “politika e vizave në raport me vendet e tjera, të jetë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”.

Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë mbi dhjetë vite më parë ka arritur që të sigurojë 116 njohje nga shtete të ndryshme në hartën e OKB-së, ku njohja e fundit ishte nga Barbadosi, e që më shumë u bë lajm se është vendlindja e yllit botërorë të muzikës, Rihana. Por këto njohje janë të pamjaftueshme për të siguruar një ulëse në këtë mekanizëm.

Që nga ardhja e Pacollit në krye të MPJ-së ka pasur telash me njohje e tërheqje njohjesh. Një rast ishte ai me Burundin, ku derisa pala serbe deklaroi qe ky shtet e ka tërhequr njohjen, Pacolli doli dhe e mohoi këtë.

Një tjetër rast ishte ai me Liberinë për të cilin shtet mediat serbe raportuan se e posedojnë notën e dërguar zyrtarisht ku, sipas tyre, thuhet se ky shtet e ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës deri në fund të dialogut dhe marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë sapo fola me Qeverinë Liberinë dhe më konfirmuan se #Liberia nuk e ka tërhequr njohjen për Kosovën. Lajmi dhe shënimi i përhapur nga mediat serbe janë të rreme dhe pjesë e përpjekjeve të rreme të lajmeve nga ministri i Serbisë Ivica Daçiq. Ne do t’i kundërshtojmë këto veprime”, kishte shkruar Pacolli menjëherë pas këtij lajmi.

Exit mobile version