Shkruan: Artan Behrami
Prej ardhjes në pushtet, Aleksandër Vuçiq e fulliratë shoqërinë kosovare dhe disa elita politike në Kosovë se maksimumi që kërkon Serbia në dialog është Asociacioni me Komuna me shumicë serbe.
Vuçiqi ka arritur që Asociacionin ta shndërrojë në makth kolektiv. Si rrjedhojë, më shumë i frikësohet Albin Kurti Asociacionit sesa vdekjes. Jo pse Asociacioni është i keq për Kosovën, por ai nënkupton vdekjen e tij politike që në esencë për të është më e dhimbshme sesa ajo biologjike!
Dhe sa herë që SHBA-ja është afër t’i bindë elitat politike se asociacioni NUK është Republika Srbska, Vuçiqi menjëherë ndërsyen Dodikun dhe Lavrovin që të hedhin edhe pak benzinë për të rishfaqë frikën kolektive për Asociacionin.
Sa më i madh kundërshtimi i Asociacionit nga Kosova, aq më i madh promovimi i tij nga Serbia.
Përhapja e frikës për Asociacionin që nga viti 2014 është doktrinë serbe, është interes nacional serb. Me këtë Serbia synon që të dështojë dialogun dhe t’i hapë rrugë skenave të dy ditëve më parë në veri.
Por, bllofi i Vuciqit vdiq aty ku kishte lindur: në oborrin e kishës ortodokse serbe. Aksioni i Vuçiqit në veri është dëshmi e gjallë se ai është njeriu i fundit në botë që dëshiron krijimin e Asociacionit.
Vuçiq dhe Serbia dëshirojnë ndarje të Kosovës dhe aneksim të veriut.
Dhe ajo nuk mund të ndodhë në tavolinë, por ne terren. Ajo mund të ndodhë atë ditë që dështon dialogu.
Dy ditë më parë ra po ashtu propaganda e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në tri vjetet e fundit nuk e ndalën fushatën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Akuzat se SHBA-ja po e përafron Serbinë në dëm të Kosovës u vranë po ashtu në oborrin e kishës ortodokse në Bajnskë.
Shpresoj që më në fund kryeministri Kurti e ka kuptuar që SHBA-ja është aleati më besnik i Kosovës, i cili nuk ka zëvendësim!
Dy ditë më parë nuk ishte Lajçak dhe Borrell (që dikur i zëvendësonte me Amerikën), as Gjermania (e cila e ndihmoj ardhjen e Kurtit në pushtet), por ishte SHBA-ja, e cila luajti rol përcaktues për suksesin e aksionit të Policisë së Kosovës!