fbpx
Lajme

Bekim Jashari: Hamëz dhe Adem Jashari patën oferta prej LDK’së që ta lëshojnë vendin

Bekim Jashari ka treguar se si Lidhja Demokratike e Kosovës i kishte bërë ofertë Hamëz dhe Adem Jasharit që ta lëshonin Kosovën.

Sipas tij, ofertë të tillë Jasharët kishin marrë edhe nga serbët e shqiptarët.

‘’Kanë pasur shumë oferta. Presion ka pasur mixha në Gjermani. Kanë premtuar që nuk do t’i ngucë kurrkush, as një ferrë në këmbë, veç le ta lëshojnë Kosovën”, është shprehur ai.

“Oferta nga serbët, shqiptarët, nga LDK. Vetëm le të lëshojnë Kosovën, çka të duan e ku të duan. Por s’kanë dashur”, ka deklaruar Bekim Jashari.

Bekimi, për herë të parë është paraqitur në një debat televiziv duke folur edhe për çështje historike.

Jashari thotë se në vitin 1991 Adem Jashari me një grup tjetër shqiptarësh dërgohen për stërvitje në Shqipëri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Ibrahim Rugova.

“LDK-ja e asaj kohe kishte marrëveshje me një grup aktivistësh të çështjes kombëtare që kanë jetuar në Zvicër për t’u stërvitur në Shqipëri. Shqipëria në atë kohë drejtohej nga Ramiz Alia”, tha ai në DebatPlus.

Djali i Hamëz Jasharit thotë se të gjithë ata që shkonin në këto stërvitje kishin marrë një premtim se nëse kthehen në Kosovë dhe dekonspirohen, strukturat shqiptare politike [LDK] të kohës do të kujdeseshin për familjarët e tyre me avokatë apo edhe përkujdesje tjetër derisa “të bëhen të zotët e vetës”.

“Fatkeqësisht asnjë nga këto premtime nuk u realizuan”.

Bekimi tregon se grupet u dekonspiruan dhe shumë nga të stërviturit u arrestuan ndërsa forcat serbe kryejnë mbi familjen Jashari sulmin e parë masiv në përpjekje për të arrestuar Adem Jasharin.

“Sulmi ishte pa paralajmërim dhe u bë në ora 5 të mëngjesit…Kishte luftim rreth gjysmë ore. Por ne djemtë e ri ishim në odë dhe asgjë nuk kishim dëgjuar për shkak se ishte shumë e izoluar”.

Adem Jashari ishte kthyer pas disa kohësh në Shqipëri, por sipas Bekimit ai asnjëherë nuk ishte arrestuar në Shqipëri por vetëm ishte ndaluar për shkak të pamjes së tij jo të zakonshme.

Këta emra të dytë kishin Adem dhe Hamëz Jashari

Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit, ka zbuluar se si në kohë lufte, familja Jashari kanë përdorur pseudonime për Adem dhe Hamëz Jasharin.

“Jemi munduar gjithmonë të përdorim pseudonime, kur ka qenë në pyetje si për armatim, si për njerëz. Ne kemi pasur pseudonim edhe për Hamëzën, edhe për Ademin”, ka treguar Bekim Jashari.

“Babushin e kemi quajtur ‘Dyl Mehmeti’, sepse e ka luajtuar rolin e dramës. Është marrë edhe me aktrim, edhe me këndim”, ka thënë ai.

“Kurse axhën Adem e kemi quajtur ‘Syla’. Për shkak të fizionomisë dhe mustaqeve të mëdhaja, do të thotë të Sylejman Vokshit’’, ka bërë të ditur Jashari.

Bekim Jashari tregon bisedën e fundit me babain Hamzën

Bekim Jashari, djali i Hamëz Jasharit ka treguar për bisedën e fundit me babain e tij para se ky i fundit të binte dëshmor.

Jashari ka deklaruar se babai i kishte thënë se kur të luftojnë Jasharët do ta marrë vesh mbarë bota.

“Biseda e fundit me familjen ka qenë tri ditë para sulmit, me babain Hamzën. Ai më ka thënë kështu: Kam pa e kam dëgju shumë ngjarje për shumë lufta e shumë krime, si kjo nuk kam pa, kemi të bëjmë me një armik të fëlliqur. Në fund më tha, a e mban mend kur ka luftu Tahir Meha, thash po, ai ka thënë kur të luftojë une kanë me shkru 7 gazeta, edhe te ne, jo 7 gazeta, por ka me marrë vesh e gjithë bota”, ka thënë Jashari.

Sot bëhen 22 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close