Epilogu

Berat Buzhala nuk ndalet, akuzon Erdoganin dhe Edi Ramën

Dallimi i vetëm në këtë krahasim është se në Shqipëri vërtet kishte tërmet. Sido që të jetë, ende pa u numëruar të gjitha viktimat, Rama e ka ndarë mendjen: po e dërgon Shqipërinë në rrugë dhe në territore të panjohura. Shqiptarët duhet ta dijnë, edhe diktatorët me të cmendur krimet i kanë kryer në emër të kauzave fisnike.

Berat BUZHALA

Kur përfundoi dita e parë e konferencës “Last call for Journalism”, nën organizimin e Këshillit të Evropës, me të kthyer në hotel fillova ta shikoj një intervistë të Kryeministrit Edi Rama në emisionin Open në Top Channel.

Nga ajo që pashe dhe nga ajo që dëgjova më duhet të them që gjuha është shumë e varfër për ta përshkruar në mënyrë precize atë Stand Up tragjedi të kryeministrit të Shqipërisë, të përgatitur enkas për shqiptarët e trembur nga fatkeqësia natyrore në një emision që ishte titulluar në mënyrë apokaliptike: A ka shpresë?

Kryeministri i Shqipërisë e kishte zënë peng një gazetar dhe një kameraman të Top Channel, e bashkë me të edhe disa qytetarë që i kishin shpëtuar tërmetit por jo edhe Ramës. Prej asaj dhome ku Rama ishte ngujuar me të mbijetuarit e tërmetit, ai në një tiradë të gjatë, plot grimasa të cuditshme, po e ofendonte moderatoren e emisionit, Enin, mysafirët e moderatores së emisionit, gazetarët kudo që ndodheshin ata dhe këndo tjetër që nuk mendon sikur ai për tërmetin, por edhe në përgjithësi për jetën.

Në shikim të parë dukej që Muhamed Veliu është i kidnapuar nga Rama, por nëse e përcjellje më vëmendje të gjithë atë cfarëdo po ndodhte, mënyrën se si kryeministri i Shqipërisë po shprehej, atëherë e shihje që Muhamedi ishte vetëm një viktimë, sepse pengje të Ramës janë shefat e kolegut Veliu.

E pabesueshme. Cdo gjë aty ishte e inskenuar dhe teatrale. Rolin kryesor e kishte kryeministri Rama.

Mesazhi që dëshirohej të përcillej ishte ky: Kryeministri i Shqipërisë i lodhur dhe i rraskapitur, i mërzitur dhe i pikëlluar, i pagjumë dhe i paushqyer, që po i përziheshin madje edhe ditët e javës, po luftonte fyt-a-fyt, i vetmuar, madje edhe kunder fatkeqësive natyrore. Por që në këtë betejë kaq të madhe, kaq epike, kaq përfundimtare, më të madhën e jetës së tij dhe tonës, më të madhe se të gjitha betejat e Gjergj Kastriotit së bashku, ai jo vetëm që nuk po ndihmohej nga askush, por ai po pengohej nga faktorë të jashtëm, specifikisht nga gazetarët , të cilët nuk po e linin të qetë, po e defokusionin, po i rrezikonin jetërat e njerëzve me raportimet e tyre, që nuk dinin as të bënin pyetje e as analiza, që po rrinin gjithë ditën të ulur në studio, derisa ai po vraponte nga një gërmadhë në një tjetër për ta shpëtuar qoftë edhe një jetë të vetme.

“Ju që rrini gjithë ditën në studio, ju i dini të gjitha”, i thoshte Edi me iron dhe më kërcënim Enit, e cila po provonte që ta bënte punën e saj, por që tash nën presionin e njeriut më të fuqishëm në vend kjo gjë ishte bërë e pamundur.

Në asnjë pyetje të saj, bash në asnjë, Kryeministri Rama nuk u përgjigj në mënyrë normale. I hallakatur, i shfrenuar, pa terezi, i tërbuar, pa ekuilber mendor, ai vetëm po shkumonte. Nuk e dinte as vetë ai se cfarë po dëshironte. Kishte momente që frikësohesha për integritetin fizik të kolegut Veliu, ani pse ai nuk po rezistonte. Momenti kur Rama do ta merrte mikrofonin për ta goditur atë në kokë më dukej shumë real. Mirëpo Veliu bënte cdo gjë që ishte në mundësitë e tij për t’u nënshtruar para Ramës. E kisha një përshtypje që edhe ishte zvogluar qëllimisht fizikisht që të dukej sa më pak kërcënues. Ndoshta po bënte mirë që po vepronte kështu. Ai nuk po përballej me nje person normal. Në një moment provoi ta bënte një pyetje por nuk arriti dot. E shkeli Rama.

Pyetjet i bënte Eni.

Zoti Rama, sa mund të konsiderohen dëmet e tërmetit?

– Cfarë është kjo pyetje blla blla blla blla…

Zoti Rama, a do t’i ndihmojnë biznismenët shqiptarë të prekurit nga tërmeti?

– Cfarë është kjo pyetje, këto i dini vetëm ju që rrini gjithë ditën në studio, kurse unë po merrem me problemin blla blla blla….

Zoti Rama, a do të na ndihmojë bashkësia ndërkombëtare?

– Cfarë është kjo pyetje blla blla blla….

Zoti Rama, a do të merren masa ndaj atyre që i kanë dhënë lejet ndërtimore?

– Cfarë është kjo pyetje, unë kam para vetës njerëzit që po vuajnë blla blla blla…

Cdo gjë tjetër që dilte prej gojës së tij ishte “unë, unë, unë, unë”. Nuk e di përse nuk e tha edhe “… i dërguari i Zotit në tokë”. Në fakt, në një mënyrë edhe e tha, kur foli për idenë e tij “gjeniale për t’i akomoduar të pastrehet nëpër hotele” gjë e cila tha Rama nuk i kishte shkuar askujt në mendje.

Në një vend normal, në një shtet demokratik, në një shtet ku mediat janë të lira, intervista me Ramën do të duhej të përfundonte që në 30 sekondat e para, kur ai nuk po pranonte të intervistohej. Ai thjesht po abuzonte më mundësitë që kishte për ta nënshtruar një medium, e bashkë me mediumin edhe gazetarët e tij. Nënteksti i asaj cfarë ai po thoshte, ose cfarë ai dëshironte të thoshte, ishte ky: Ju gazetarët jeni qeniet më të shpifura që ekzistojnë, ndaj jush ndiej neveri, kurse për më tepër unë bisedoj vetëm me pronarët e juaj. Sigurisht që Topi nuk ia kishte pikën e fajit, sepse ata nuk është që po e provokonin, madje edhe pyetjet po i bënin me zë të ulët dhe të butë, por Rama kur po e shihte Muhamedin përpara po i dilnin Bushati, Shkullaku, Lubonja, Bejtja, e ndoshta edhe vogëlsia ime. Rama thjesht po e përdorte atë platformë për të kërcënuar këndo që kishte guxim për t’i dalë në rrugë, derisa ai po sakrifikohej për kombin. Meqë ishte në rol, meqë ishte pjesë e stratëgjisë së PR’it, Rama kohë pas kohe e përkdhelte atë gocën e gjorë që e kishte ulur afër. Ajo duhet të këtë qënë e trembur prej Ramës po aq sa prej tërmetit.

Mirëpo në Shqipërinë e nënshtruar dhe të poshtëruar, Ramës nuk i ndërpritet intervista, nuk i ndërpritet as ulurima e tij, nuk i hiqet as mikrofoni paçka që ai po i dehumanizon kolegët e atij cungut të pagojë që i ka rënë hise, ose që është përzgjedhur nga vetë Rama që ta mbajë atë mikrofon të turpit. Ai vazhdon të flas sa të dojë vetë, të përgjigjet cfarë të dojë vetë, të shajë dhe ofendojë kënd të dojë vetë.

Shqipëria dhe shqiptarët u plagosën rëndë nga tërmeti që i goditi ata gjatë kësaj jave. U bën bashkë që të gjithë për ta kaluar këtë pikëllim. Dikush i dha 1 milion, një tjetër ndoshta vetëm 1 euro, e një tjetër ndoshta vetëm një batanie, a një palë këpuca të vjetra. Esenca nuk është tek vlera sa është tek gatishmëria, te solidariteti. Vetëm një njeri nuk u bë bashkë me të tjerët. Ai është Edi Rama. Tërmeti që goditi Durrësin dhe Thumanën ishte shumë i rëndë, vrau dhjetëra qytetarë, pikëlloi miliona të tjerë, mirëpo më i rrezikshëm se sa ai vazhdon të jetë tërmeti që po e godet kokën e kryeministrit Rama. Fatkeqësisht ai nuk matet me shkallë të rihterit. Ai matet me nivelin e demokracisë, me nivelin e lirisë së shprehjes, me nivelin e cilësisë së jetës në Shqipëri. Ajo në Shqipëri cdo ditë po degradon.

Si duket, duke marrë mësim nga jarani i tij, Taip Recep Erdogan, i cili pas ‘puçit’ filloi arrestimin e gazetarëve, Rama e priti tërmetin për të nisur fushatën e tij. Madje jo vetëm gazetarët, ai ka filluar edhe arrestimin e qytetarëve që guxojnë të bëjnë share lajme nga interneti. Në emër të gjendjes emergjente. Diktatorët kudo në botë shumicën e krimeve i kanë kryer në emër të kauzave fisnike. Nuk më kujtohet të kem lexuar diku që Stalini, Kastro, Tito, Hoxha, ose kushdo tjetër, të ketë thënë “sivjet do të arrestojmë qytetarët tanë vetëm për pikë të qefit”.

Në ditën e dytë të konferencës së Këshillit të Evropës “Last Call for Journalism (thirrja e fundit për gazetari) diskutuam edhe për Ramën dhe Vucicin. Cdo kush i kishte vetullat e ngrysura.

Si duket, të gjithë ne duhet t’i shtrëngojmë mirë rripat. Demokracia në Shqipëri do të fillojë të matet me atë para tërmetit dhe pas tërmetit.

Exit mobile version