Hisen Berisha në një intervistë në Prime Time në Kanal 10, duke folur për veprimtarinë e SHIK-ut, ka thënë se ky shërbim inteligjent i ka kontribuar Kosovës gjatë luftës dhe pas saj.
Sipas tij, SHIK-u ka bashkëpunuar edhe me ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Ai ka thënë se në një rast personalisht e ka parë lidershipin e SHIK-ut tek sa hynte në rezidencën e presidentit Rugova në Velani.
“Kadri Veseli e ka takuar Rugovën më shpesh se sa unë”, ka thënë Berisha.
Berisha tha se ka qenë dëshmitar kur një delegacion i SHIK’ut është futur në zyrën e presidentit Ibrahim Rugova në Velani.
“Unë jam dëshmitar i daljes nga zyra e Rugovës në Velani dhe më thonë futu qitu dhe kur hynë brenda, hynë pa emër — SHIK’u”, është shprehur Berisha.
“Kjo ka ndodhur pak para vdekjes së Rugovës, në vitin 2005”, ka thënë Berisha.
“Unë kam dalur nga zyra e Rugovës, shkallëve teposhtë, sigurimi më thanë futu këtu në një zyrë sepse po futet një delegacion… kur shoh (SHIK’u)”, ka thënë Berisha.
“Janë futur brenda në zyre të Rugovës, unë kam qenë prezent aty”.
Tutje, Berisha i bindur tha se SHIK’u ka funksionuar zyrtarisht dhe legalisht. Ai tha se SHIK’u i ka shërbyer Kosovës dhe qeverive të saj në koordinnim me Amerikën.
“Zyrtarisht dhe legalisht i kanë pasur zyret përballë Hotel Grandit. Si mundi të funksionojë me shërbimin Amerikan? I ka shërbyer Kosovës, qeverive të saj. I ka shërbyer Qeverisë së Bajram Rexhepit, Qeverisë së Ramush Haradinajt… tjerat janë deklarata politike”, ka thënë Berisha në Kanal 10.