Shfrytëzimi kontravers i buxhetit publik të Komunës së Prizrenit ishte kryefjala e debatit mbi performancën e komunës që udhëhiqet për herë të parë nga Vetëvendosja.
Mytaher Haskuka, në vitin e tretë të udhëheqjes së komunës që ishte tradicionalisht e PDK-së, u përball me pasqyrën e punës së tij pak para përfundimit të mandatit.
Haskukës në debatin “Jeta në Komunë” iu kërkua llogaridhënie për hulumtimin që zbuloi se komuna kishte dhënë gjashtë tenderë për biznesin e familjes së asamblistit të Vetëvendosjes.
Biznesi i familjes së asamblistit të LVV-së i ka fituar gjashtë kontrata nga viti 2018.
Së bashku, këto kontrata kishin një vlerë prej 366 mijë e 678 euro ndërsa kontratat e fituara kanë të bëjnë me asfaltim dhe mirëmbajtje të rrugëve urbane e malore, si dhe me shtrim të rrjetit të kanalizimit.
“N.N.T Shabanaj” ka fituar pesë tenderë në bashkëpunim me operatorë të tjerë ekonomik, ndërsa vetëm një tender e ka fituar si operator i vetëm.
Haskuka ka thënë se 6 kontrata nga 250 projekte të komunës nuk janë shumë edhe nëse janë fituar nga kompania e asamblistit të partisë së tij.
“Janë disa kompani kështu. Deri më tani, për tre vite i kemi 250 projekte të cilat kanë pas kompani që i kanë implementu, dhe prej 250, 6 me i fitu “Shabanaj” s’janë shumë. S’janë shumë edhe në aspektin statistikor edhe kështu dhe s’jam i sigurt që është vetëm e asamblistit tonë sepse është edhe një kompani tjetër “Shabanaj”, mundet me qenë edhe ajo kompania tjetër. Prej 250 projekteve që i kemi, vetëm gjashtë! Ka kompani që kanë ka 15-20 kontrata nga Komuna e Prizrenit dhe s’kanë lidhje me Komunën e Prizrenit”, ka thënë Haskuka në emision.
I kontaktuar nga KALLXO.com asamblisti i LVV-së, Adem Shabanaj ka thënë nuk e ka favorizuar kompaninë e babait për fitimin e gjashtë tenderëve.
“Jo me vjedh nuk di, nuk e kam favorizuar, unë në prokurim nuk punoj, punoj në asamble, në komunë. Lënda është në prokurori dhe nuk po e di pse po i jepni zor kaq shumë! E keni obligim nëpër emisione me i përmend apo? Nëse keni gjetë diçka ju ftoj me i çu në prokurori dhe me u marrë me prokurorinë e jo në publik, nëse veç ka diçka”, ka thënë Shabanaj për KALLXO.com.
Haskuka është përballur edhe me hulumtimin e Drejtësia në Kosovë rreth blerjes së karrigeve dhe shtyllave elektrike.
Drejtësia në Kosovë ka gjetur se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Loja e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.