Epilogu

Blerim Latifi: Letër studentëve të mi majtist; (VV, komunizëm, populizëm e revolucion)

Një intervistë e imja, krejt e rastit, e dhënë ditë me parë për Gazetën Express, nxiti një numër të madh reagimesh, sidomos tek studentët me prirje të majta ideologjike. Shumë prej tyre më dërguan edhe letra në adresën time elektronike. I falenderoj të gjithë, si ata që më bënë të ndihem mirë me pasionin filozofik me të cilin i kishin renditur argumentet e tyre kritike, por edhe ata që në mungesë argumentesh kishin pësuar rënie niveli gjatë shkrimit të teksteve të tyre. Nuk prish punë.

Blerim Latifi

Vetë natyra e polemikave është realisht e tillë. Vetëm në situatat ideale të komunikimit të Habermasit debati është puro racional. Në situatat reale, ndërkaq, aty përfshihen edhe përmbajtjet jomendore, emocionet, paragjykimet, interesat, zgjedhjet ideologjike, e gjëra të tjera të kësaj natyre.

Produktet ideologjike me afat të skaduar

Teksti në vazhdim është njëlloj përgjegje në çështjet e shtruara në letrat e studentëve, dhe meqë në këto çështje dominon ajo e Vetëvendosjes, edhe teksti do të jetë mbi të, përkatësisht dimensionin e saj ideologjik. Unë konsideroj se oferta ideologjike e Vetëvendosjes, në thelbin e saj, i ka të gjitha tiparet e një produkti me afat të skaduar. Qytetarët sot në Kosovë përditë në markete blejnë produkte me afate të skaduara dhe kështu rrezikojnë përditë jetën e tyre, të fëmijëve dhe familjeve të tyre. Tregtarët matrapazë arrijnë të gjenerojnë fitime të mëdha prej kësaj sepse ligji për mbrojtjen e konsumatorëve funksionon dobët, ndërsa qytetarët e varfër joshen nga produktet që kanë çmim të lirë, por realisht kanë afat të skaduar të përdorimit. E tërë kjo kalon në heshtje për shkak se kjo shoqëri, sëpaku që nga viti 1981, është adaptuar të jetojë në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme. Agamben do të thoshte : e jashtëzakonshmja është normalizuar.

Por e keqja nuk përfundon këtu. Ajo bëhet edhe më dramatike në tregun ideologjik të Kosovës. Edhe këtu, të rinjëve, shtresës më të etur për produkte ideologjike, u ofrohen produkte me afat të skaduar ideologjik. Dy prej këtyre produkteve janë më të shquarit, në kuptimin se kanë filluar të konsumohen masivisht. Njëri është ideologjia salafiste që kërkon ti bindë të rinjët e Kosovës se modeli  ideal jetësor për ta është jeta që kanë bërë arabët në mesjetën e hershme, ndërsa tjetri është nacionalizmi majtist i Vetëvendosjes, i cili i fton të rinjët e Kosovës të gjejnë kuptimin e jetës në imitimin e aktivizmit revolucionar të periudhës së dekolonizimit. Të rinjët që konsumojnë produktin salafist mashtrohen se zgjidhja e problemeve të tyre jetësore gjendet në ndonjë hadith, që është thënë mijëra vjet më parw prej kush e di se kujt. Në këtë mënyrë ata me hapa të shpejtë shkëputen nga realiteti i shekullit XXI dhe kjo pastaj është rruga mbretërore për tek radikalizimi dhe fanatizmi. Ky është aspekti tragjik i këtyre të rinjëve, ndërsa aspekti komik ka të bëjë me faktin se të kërkosh të zgjidhësh problemet e shoqërisë bashkëkohore me hadithe të para njëmijë e pesqind viteve është si të përpiqesh të zgjidhësh problemet makroekonomike të vendit me meselet e Xhemail Obrisë.

Ndërkaq të rinjët që kanë zgjedhur të konsumojnë produktin ideologjik të Vetëvendosjes mashtrohen se zgjidhja për problemet politike dhe ekonomike të Kosovës gjendet në ditarët e Çe Gevarës, në letrat e burgut të Antonio Gramshit, në tekstet e shenjta të materializmit dialektik apo në stilin e aktivizmit të studentëve te 68-ës. Të gjitha këto janë produkte me afat të skaduar dhe përdorimi i tyre rrezikon helmimin e mendjes, njësoj si një konservë peshku e skaduar ta helmon lukthin. Me intervenime të shpejta çrregullimi i lukthit mund të eleminohet, por çrregullimi ideologjik i mendjes merr shumë kohë, aq shumë saqë të prekurit duhet ta kalojnë gjithë rininë e tyre për t’u çliruar prej tij, e një rini e humbur në këtë mënyrë është një fat mëse i dhimbshëm. Dikush me të drejtë, në këtë moment, pyet : cili është argumenti konkret? Nuk është nevoja të hulumtohet shumë. E gjejmë që në nenin e parë të statutit të Vetëvendosjes. Aty lexojmë, kini durim : “Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje politike që e synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mobilizimit të tij. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari. Lëvizja VETËVENDOSJE! synon një Kosovë sovrane, pra një Kosovë, që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtë për bashkimin me Shqipërinë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka si qëllim të saj një Kosovë ku sovraniteti buron nga vullneti i popullit që e gëzon të drejtën për vetëvendosje të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që populli të jetë i lirë dhe i papenguar në organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike, sipas nevojave dhe interesave të tij”.

Shikoni terminologjinë dhe konceptet e përdorura. Një tekst i kësaj fryme të krijon përshtypjen se është shkruar nën efektin e një ndonjë broshure të hartuar nga asistenti profesional i Eduard Kardelit, ish ideologut të socializmit vetëqeverisës jugosllav, apo Instituti i marksizëm-leninizmit pranë Partisë së Punës së Shqipërisë. Krejt kjo e mbështjellur me melmesa populiste.

Që në fjalinë e parë shfaqet fytyra e vërtetë ideologjike e Vetëvendosjes : populizmi. Aty premtohet se vendimmarrja politike do të bëhet përmes mobilizimit të popullit. Çfarë ideje gjeniale: populli duhet të dalë në rrugë dhe prej andej të diktoj vendimet politike ; problemet të zgjidhen në rrugë, e jo në institucione  sepse institucionet janë çerdhe të korrupsionit, prandaj siç thoshte Mao Ce Duni duhet t’i ndërsejmë njerëzit kundër institucioneve, apo siç thotë Badiou, filozofi maoist, aq shumë i dashur për studentët e majtë, se demokracisë përfaqësuese nuk mund t’i besojmë, prandaj ngrihuni burra t’i vëmë kazmën.

Demokracia e rrugës është e ligjshme në situatat kur lypset të rrëzohet një diktaturë e ngurtë dhe e egër, por ta përdorësh atë për të rrëzuar një demokraci të ligjshme përfaqësuese kjo është krim kundër vetë thelbit të demokracisë.

Në tekstin programatik të Vetëvendosjes është rezervuar një vend i nderit për fjalën më të shenjtë të radikalizmit të majtë : revolucionin. Aty i premtohet Kosovës ndryshimi rrënjësor i shoqërisë dhe kjo në emër të barazisë dhe drejtësisë sociale. Ky premtim është saktësisht premtimi i vjetër komunist : përmbysja me dhunë e shtetit në emër të barazisë sociale. Definitivisht një lajm i gëzuar për të gjithë nostalgjikët e ditëve të arta të komunizmit, një lajm botëror: komunizmi nuk ka vdekur me 1989. Jo! Kosova e shkretë dëshmon të kundërten. Këtu, proletarët e bashkuar rreth Vetëvendosjes, do të dëshmojnë se kauza e revolucionit është ende gjallë. Enver Hoxha vdiq duke gënjyer vetën dhe 4 milionë shqiptarë të mbytur në mjerim se Shqipëria kishte mbetur shteti i vetëm që i ka qendruar besnik kauzës së revolucionit. Sot, do të ishte mire, sikur të mundeshim atë nekromantikun e LDK-së që fliste me Rugovën e vdekur, ta angazhojmë që të shkoj të varri i Enver Hoxhës dhe t’i thotë : vërtetë bustet t’i kanë shembur, por prehu i qetë në përjetësinë e botës tjetër, se shqiptarët në krye me Vetëvendosjen po vazhdojnë misionin për ta mbajtur gjallë ëndrrën e madhe për revolucionin.

Në politikën modern, barazia sociale përmes revolucionit, u ka kushtuar jetën miliona njerëzve të pafajshëm. Komunizmi ishte një ëndërr e madhe që përfundoi si një krim i madh, dhe sot, tridhjetë vite pas rënies së tij, t’i mashtrosh të rinjët e Kosovës që kërkojnë shanse jetësore, duke i manipuluar me skemat ideologjike të tij është më shumë se mashtrim. Është krim.

Apologjia ideologjike e Veton Surroit

Së fundi, Veton Surroi i mllefosur deri në delir me Hashim Thaçin pas prishjes së miqësisë me të, i ka dalë në mbrojtje ideologjike Vetëvendosjes duke na e paraqitur si një parti social demokratike evropiane. Pa dashur, në asnjë mënyrë, të paragjykoj leximet e Vetonit, një gjë duhet ta qartësojmë : kushdo që njeh sadopak historinë e mendimit socialist e kupton se socialdemokracia është saktësisht e kundërta e asaj çfarë bën Vetëvendosja.

Socialdemokracia lindi në atë moment kur socialistët vendosën të braktisin rrugën, si metodë politike, në favor të rrugëve institucionale ; kur vendosën të braktisin dhunën në favor të mjeteve parlamentare.

Socialdemokraci do të thotë të besosh të parlamentarizmi, e jo ta dhunosh atë ; do të thotë të besosh të debati dhe kompromisi parlamentar e jo të gjuash gaz lotsjellës e helme kimike në parlament.

Socialdemokracia është ideologji e kompromisit, e jo e imponimit të dhunshëm të bindjeve të caktuara politike.

Socialdemokraci do të thotë t’u premtosh të rinjëve kapitalizëm me fytyrë njerëzore e jo barazi pas larjes me gjak të rrugëve.

Te shkojmë tek margaritarët ekonomikë që na ofrohen në tekstin e nenit të parë të ideologjisë së Vetëvendosjes. Aty Kosovës sonë i premtohet se, nën pushtetin e Vetëvendosjes, “populli do të organizoj jetën e tij ekonomike”. A thua vallë si do të ndodhë kjo? Në teoritë bashkëkohore ekonomike vështirë të gjesh përgjegje. Përgjegjet në këtë pyetje mund të gjenden vetëm në kooperativat e Enver Hoxhës dhe në modelin jugosllav të vetëqeverisjes socialiste të punës së bashkuar. Më e pakta kjo frazë nënkupton populizëm banal ekonomik, e populizmi ekonomik është tregues i qartë se ose nuk merr vesh asgjë nga ekonomia ose e injoron atë.

Manipulimi me Bashkimin Kombëtar

Tani të ndalemi te margaritarët nacionalistë të nenit famoz.

Aty na premtohet Bashkimi me Shqipërinë, por vetëm kaq. Nuk tregohet se si do të ndodhë kjo punë. Asgjë për mundësitë, vështirësitë, rreziqet brenda projektit dhe reagimet e të tjerëve. Përse vallë? Përgjegjet e mundshme janë dy : ose Vetëvendosja Bashkimin me Shqipërinë e ka vetëm parullë populiste për të mbledhur vota nga ëndërrimtarët e shumtë të këtij bashkimi, ose injoron vështirësitë e mëdha gjeopolitike të këtij bashkimi duke u nisur nga parimi i voluntarizmit leninist që thotë se vullneti politik nuk çanë kokën për realitetin objektiv. Revolucionarët vërtetë janë të tillë : për ta ëndërra është forca supreme. Ata janë si Zoti abrahamik : E tha, U bë. Me gjasë e vërteta qëndron në unitetin dialektik të këtyre dy përgjegjeve. Ah, uniteti dialektik, kjo fjalë e shenjtë e markzimit, në kohërat e arta kur e gjithë bota merrej me ekzegjezën e atyre që kishe thënë e shkruar filozofi idhnak gjerman.

Margaritari tjetër është për ushtrinë. Vetëvendosja i premton Kosovës “një forcë ushtarake të pavarur”. Pra, do ta kemi një ushtri të pavarur?  Të Pavrur nga kush? I bie që nga NATO-ja. Gjithë dynjaja bëjnë turr të bëhen ushtri të varura nga NATO, e Vetëvendosja e vetme kërkon të kundërten. Ah me falni, jo e vetme! Edhe në Serbi ekziston një mendim shumë i përhapur se Serbia duhet të mos futet në NATO, por të vazhdoj si një shtet me ushtri të vetën të pavarur.

Monopoli mbi nacionalizmin shqiptar

Dikush nga studentët ka shkruar se Vetëvendosja është forca e vetme që artikulon qartë nacionalizmin shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni.
Raymond Aron, në polemikat e tij të zjarrta me marksistët francezë, thoshte se partitë duhet t’i gjykojmë, jo nga ajo që predikojnë, por nga ajo që bëjnë.

E çfarë ka bërë deri me tani Vetëvendosja për nacionalizmin shqiptar, përveç përdorimit elektoral të temave të tij? Natyrisht asgjë. Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me të tjerët, e ka themeluar Kadri Veseli e jo Albin Kurti ; Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e ka lexuar Hashim Thaçi, derisa shoku Visar përpiqej të grumbullonte turmat për ta penguar procesin ; Shteti i Kosovës është produkt i një lëvizje të gjatë kombëtare, në historinë e të cilës kokat gjeniale të Vetëvendosjes nuk figurojnë të kenë bërë ndonjë gjë për të thënë. Jo, Vetëvendosje, jo që nuk mund të pretendoj të ketë monopolin mbi nacionalizmin  shqiptar, por ajo do të gjykohet nga historia për tentativat e saj të dhunshme që të pengoj proceset historike të gjeneruara prej tij, që nga Rambujeja e deri në ditët e rrethimit të Kuvendit të Kosovës me turma të armatosura.

Mbi çështjen e parimeve

Një tjetët student ka shtruar idenë se Vetëvendosja është i vetmi subjekt politik, sot në Kosovë, që parimet politike nuk i sakrifikon për interesa të ngushta partiake. Sa mirë, po të ishte e vërtetë kjo. Parimet e lartësojnë betejen politike gjithmonë, duke e ngritur nga balta makiaveliste për ta afruar me horizontin e pastër platonik, por fatkeqësisht Vetëvendosja nuk është figurë e këtij lartësimi. Për dy vite rresht nuk lanë gjë mbi faqe të tokës pa i bërë Isa Mustafës. Zgjodhën etiketat më të rënda për personalitetin e tij, por jo vetëm kaq. Ja sulmuan familjen këtu në Prishtinë dhe në fshatin e babës e në fund tentuan t’i bëjnë edhe antentat duke i vënë hekura poshtë rrotave të veturës së kryministrit.

Si u bë, që që brenda natës, tradhtari dhe i pabesi Isë, u bë i denjë për të qenë bashkëudhëtar i Vetëvendosjes në pushtetin e saj?

Kjo nuk është moral politik e as parimësi ideologjike. Kjo është saktësisht pragmatizëm i ndyrë për kolltuqe pushteti.

Rezultati i 11 qershorit

Një tjetër student ka komentuar gjatë atë që e quan “revolucion elektoral i 11 qershorit i Vetëvendosjes”.  Rritja e madhe e votave të Vetëvendosjes i ka dy dimensionet. Së pari, kjo rritje na lë me shpresë se Vetëvendosja i ka shpëtuar devijimit në kursin terrorist të veprimit politik.

Pse e them këtë? Nëse jo të tjerët, sëpaku studentët e filozofisë dhe shkencave politike e dijnë se lëvizjet revolucionare, që dështojnë të marrin mbështetje popullore dhe nuk heqin dorë nga përmbysja radikale, përfundojnë në organizata terroriste. Përmes terrorizmit ato e kompensojnë mungesën e përkrahjes popullore. Këtë e kemi parë edhe tek Vetëvendosja : sa më pak njerëz që u dilnin në rrugë aq më agresiv bëheshin dhe në fund kur presioni i masave nuk ndodhi u gjet shpëtimi tek bombat e gazit në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Rezultati i 11 qershorit ndoshta mund të ndikoj në domestifikimin e tyre. Vendosja e kravatave, këtij simboli borgjez, dhe vrapimi pas fotografive me ambasadorë të huaj janë një shenjë optimiste në këtë drejtim.

Së dyti, rezultati i Vetëvendosjes me 11 qershor nuk është fryt i aleancës me qytetarët. Jo! Aleati i Vetëvendosjes në këto zgjedhje ka qenë një grup i vogël individësh brenda Partisë Demokratike të Kosovës që me abuzimet e tyre në qeverisje  e kanë dëmtuar besimin e madh te qytetarëve tek kjo parti.

PDK nuk ka alternativë : ajo duhet të pastroj hesapet me këta individë, sepse ajo është forca më serioze politike në vend dhe ka obligim jo vetëm ndaj vendit, por edhe ndaj atyre mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të përkushtuar që gjithë këto vite e kanë mbështetur këtë parti, në borë dhe në shi dhe pa u lodhur asnjëherë.

Së fundi, një çështje personale, për të mos u mbetur borxh kureshtarëve që më kanë shkruar. Në shumë nga letrat e dërguara prej tyre pyetem  se pse jam me Kadri Veselin. Përgjegja e vetme dhe krejt e hapur është kjo : në 13 vite të prezencës sime në politikë nuk kam pasur rast të takoj njeri më të ndershëm dhe më të fjalës së Kadri Veselin. Duke qenë në krye të një mekanizmi, që nuk ja mundësonte përballjen me publikun, ai është dashur të përballoj propagandën më të ndyrë të ushqyer nga Serbia, i cila me 1999 u detyrua të largojë ushtrinë dhe policinë nga Kosova, por la pas strukturat e saj të inteligjencës dhe këtë propagandë e shfrytëzuan me mjeshtri matrapazët e të gjitha llojeve dhe ngjyrave për të fshehur gjurmët e poshtërsive të tyre duke bërë me gisht nga Kadri Veseli.

E vërteta vonon, por një ditë, i gjen shtigjet dhe del në dritë. Filozofia duhet të ndihmoj në hapjen e këtyre shtigjeve, e jo të dorëzohet para kërkesave makiaveliste të propagandës.

Mirupafshim në tetor.

Prekaz
31.08.2017

Exit mobile version