Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, ka komentuar ngjarjet e sotshme në parlamentin e Kosovës.
Latifi mendon se këto ngjarjet e sotshme, “nuk janë protesta të veteranëve, por aksion politik i opozitës.”
“Një veteran që proteston jashtë Kuvendit për pagën minimale ( të cilën duhet ta ketë patjetër), nuk do të lejonte që zëri i tij të përfaqësohej brenda në Kuvend nga profiterët milionerë të luftës e pasluftës”, shkroi Latifi në postimin e tij.
Më tutje ai pohoi se ky është një ofendim i dyfishtë i veteranëve, fillimisht nga pushteti që i largoi nga lista e pagës minimale, së dyti nga opozita që i vendos në përdorim për lojëra politike.
Më poshtë mund të shihni postimin e plotë:
Fatkeqësisht kjo nuk është protestë e veteranëve, por aksion politik i opozitës, i zhvilluar sipas metodave të dikurshme të Kurtit: protesto jashtë Kuvendit dhe blloko punën e Kuvendit nga brenda!
Një veteran që proteston jashtë Kuvendit për pagën minimale ( të cilën duhet ta ketë patjetër), nuk do të lejonte që zëri i tij të përfaqësohej brenda në Kuvend nga profiterët milionerë të luftës e pasluftës.
Sot ne po shohim faktikisht një ofendim të dyfishtë të veteranëve: nga pushteti që i ka sjellë në këtë situatë me protestu për një pagë minimale, e cila realisht është edhe më keq se minimalja e ekzistencës, dhe nga opozita, e cila hapur po bën lojën e përdorimit të veteranëve për qëllimin e saj të ardhjes në pushtet.