Nazim Bllaca doli në sheshin e Prishtinës duke pretenduar se është agjent i SHIK-ut dhe ka marrë pjesë në shumë vrasje. Fillimisht shumëkush i besoi. Por 10 vite pas, u zbulua se ai ishte agjent i BIA-s i rekrutuar para viteve 2000. Nofka e tij në shërbimin sekret serb ishte “Takozvani Veza” apo në shqip lidhja. https://www.youtube.com/watch?v=fRBhvTSz2OU
Në vitin 2009, Lëvizja Vetëvendosje e kishte lëshuar një komunikatë ku akuzonte Kryeministrin Thaçi për agjentin Nazim Bllaca. Ja komunikata e plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE! 2009 Bishti i Krimit
Ka më pak se një javë që kur opinioni gjithëshqiptar është elektrizuar skajshmërisht nga një mori ngjarjesh që në qendër e kanë krimin e organizuar të pasluftës në Kosovës. Filloi në Kuvend dhe po vazhdon me personazhe të shumëpërfolura, që po akuzohen mes vete për vrasje, tortura, shantazhe e haraçe. Janë çuar i madh e i vogël të bëhen pjesë e këtij spektakli. Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, doli e tha se rasti Bllaca e ka kërcënuar “sigurinë nacionale”! Kaq të rrezikshme ai asnjëherë nuk i ka konsideruar strukturat paralele të Serbisë, të cilat ditë e natë punojnë kundër sigurisë sonë nacionale dhe pavarësisë së Kosovës. Kurrë më parë Hashim Thaçi nuk është shërbyer me një fjalor kaq dramatik të rrezikshmërisë, madje as kur Kosovës iu kallën kufijtë më 19 shkurt 2008, dy ditë pas shpalljes së pavarësisë. Por tash që ka filluar dalja në skenë e krimeve të Shërbimit të tij Personal të Inteligjencës që prej vitit 1999, dhe vetëm tash kur personat të cilët e rrethojnë atë, kanë filluar të ndjehen të pasigurt për shkak të bëmave të tyre pas luftës, Kryeministri ka filluar të shqetësohet. Rrezikimin e Kosovës ai nuk e sheh kaq të shqetësues sa mundësinë e rrezikimit të pushtetit personal.
Personat për të cilët po flitet janë ata që e kanë lënë Kosovën pa ushtri, sepse u mjaftojnë bandat e tyre klanore. Ata e kanë lënë Kosovën pa Shërbim Inteligjent, sepse kanë shërbimet e tyre partiake. PDK, LDK, AAK, LDD etj – që të gjitha i kanë shërbimet e tyre partiake, në krahasim me të cilët ky i shtetit të Kosovës është veçse një lojë fëmijësh. Këto shërbime informative partiake nuk merren me interesat e sigurisë së shtetit të Kosovës, por me mbrojtjen e interesave grupore e partiake të biznesit e krimit të organizuar, duke mos zgjedhur mjetet. Prania ndërkombëtare (EULEX-i tash ashtu sikurse UNMIK-u dikur) gjithnjë e ka ditur këtë gjë, por ka zgjedhur të bashkëjetojë me këto shërbime kriminale.
Prej të gjitha këtyre shërbimeve informative, ai i PDK-së (SHIK-u) ka vepruar krejtësisht publikisht. Shefi i këtij shërbimi pat deklaruar se SHIK-u është shpërbërë publikisht, por populli përditë po e përjeton sesi ai vetëm ka ndërruar formë: tash e disa vite SHIK-u ka kolonizuar pothuajse të gjitha ndërmarrjet e rëndësishme publike e shoqërore – Postë-Telekomin e Kosovës, Aeroportin Publik Ndërkombëtar të Prishtinës, Trepçën, KEK-un, pra të gjitha këto ndërmarrje të rëndësishme të cilat do t’i privatizojë kreu i privatizimit të pasurive të Kosovës, ministri Ahmet Shala.
Drejtësia në Kosovë foli e veproi vetëm pasi foli e veproi krimineli i vetëshpallur. Kjo do të thotë që drejtësia në Kosovë mbetet nën mëshirën dhe ndërgjegjen e kriminelëve. Për drejtësinë në Kosovë, mbi të cilën është EULEX-i, një krim nuk ka ndodhur nëse për të nuk e dinë qytetarët. Vetëm kur problemi u bë edhe pjesë e vetëdijes së qytetarëve dhe opinionit të gjerë, drejtësia u gjend përpara një akti të kryer. Me siguri që po të mos dilte krimineli i vetëdeklaruar, populli nuk do të dinte gjë se çka po zihet. Tash shtrohet pyetja e rëndësishme: sa kriminelë të tjerë për të cilët di EULEX-i ende nuk kanë dalur të flasin publikisht?
Të gjitha këto gjëra kaq të paimagjinueshme që i kanë ndodhur Kosovës: strukturat paralele, decentralizimi etnik, loja me flamurin dhe identitetin tonë kombëtar etj, pastaj varfëria, papunësia, privatizimi kaq mizor i çdo gjëje publike – nuk do të mund të kishin ndodhur kurrsesi pa njerëz të krimit të organizuar në krye të pushtetit, bëmat dhe pisllëqet e të cilëve i dinë fort mirë institucionet ndërkombëtare, disa prej të cilave vetë janë bashkëpjesëmarrëse të kësaj gjendje. Gjendja jonë e mjerueshme shpjegohet edhe me korrupsionin e tyre, shantazhin, dëgjueshmërinë në shkëmbim të amnistisë dhe servilitetin në shkëmbim të pushtetit politik personal dhe klanor.
Bllaca po i akuzon shumë të tjerë (ndër ta edhe figura të larta politike) se kanë qenë urdhërdhënësit e tij gjatë ekzekutimeve, fillimisht të kolaboracionistëve, e pastaj edhe të kundërshtarëve politikë të PDK-së (kryesisht figura të LDK-së). Kurse të akuzuarit po e akuzojnë atë se është njeri i haraçeve dhe i Serbisë. Në krejt këtë mishmash akuzash të ndërsjella, po përmenden shuma marramendëse parash, shitje tokash miliona euro, në kohën kur populli i Kosovës dita-ditës po zhytet thellë e më thellë në mjerim shoqëror, varfëri e papunësi. Të dyja palët po e akuzojnë njëra-tjetrën, por po e harrojnë një gjë: po sikur të kenë të drejtë të dyja? E vërteta është tërësore, apo jo?