Vizita e parë e ish-presidentit të Kosovës dhe ish-kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe të intelektualëve të tjerë nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur prej 4 deri më 29 prill 1990.
Koordinator i atij grupi ishte Jusuf Buxhovi, i cili, në Rubikon në Klan Kosova, dha detaje të tjera rreth kësaj vizite, teksa përmendi edhe fjalimin e Rugovës në Kongresin Amerikan.
Rugova, gjatë fjalimit të tij, pati thënë se “shqiptarët insistojnë që krahas demokracisë ta kenë edhe autonominë dhe pavarësinë e vet në Federatën Jugosllave”.
Por, fjalën “autonomi” në këtë fjalim të Rugovës, Buxhovi e konsideron si lapsus.
Ai tha se në atë kohë janë pritur edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku e kanë paraqitur fjalimin e tyre të shkruar, në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë lajthitje apo lapsus.
“Ajo fjalë është përgatitur nga grupi i përgjithshëm, konceptin në Kosovë e ka përgatitur profesor Gazmend Zajmi. Në SHBA është ditur se do të shkohet me deponim tonin, sepse ka qenë edhe [Dobrica] Qosiq aty, ku edhe ai ka dhënë dëshmi”.
“Pastaj ka qenë një bisedë e ndarë aty në katër sy ndërmjet Qosiqit dhe Rugovës dhe në atë fjalën që ia kemi dhënë State Depratmentit thuhet në mënyrë decidive, është edhe në program të LDK-së, që kërkohet avancimi i pozitës së Kushtetutës së Kosovës në Federatë”.
“Fjala ‘autonomi’ është hequr edhe në program të LDK-së edhe në të tjerat. Pra, këtë kur e ka thënë Rugova ka qenë lapsus, është korrigjuar pastaj në State Department, por si duket më shumë ka qenë inercion që të përmendet autonomia”.
“Ka përfunduar ajo koha e kërkesës së autonomisë dhe vetë amerikanët, të cilët kanë qenë sponsorë të organizimit të LDK-së dhe kanë mbikëqyrur të gjithë pjesën programore, ku ata kanë pasur ndikim të madh”, është shprehur Buxhovi në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Buxhovi thotë se fjalën “autonomi” e ka korrigjuar te Robert Dole, duke e përmendur Kosovën si subjekt të barabartë në Federatën Jugosllave.
Buxhovi tha se në këtë vizitë në SHBA janë etabluar të gjitha kërkesat politike dhe aty është bërë biseda mes Ibrahim Rugovës dhe Dobrica Qosiqit, e cila, sipas Buxhovit, ka qenë konfidenciale.
“Është bërë një bisedë konfidenciale, që e ka bërë Robert Dole me kërkesën e tij dhe kanë qenë dy me dy.”
“Dole e ka pyetur Qosiqin menjëherë se çfarë mendimi keni ju për demokracinë? Ai i ka thënë që e përkrahin demokracinë. Tutje, ai e ka pyetur si do t’ia bëni kur shqiptarët do të jenë parti shumë e rëndësishme në Federatën Jugosllave? Ai i tha se populli serb nuk e pranon një demokraci, ku shqiptarët do ta luajnë vallen, sepse shqiptarët mund të jenë partia kryesore dhe mund të bëjnë koalicion me boshnjakë dhe ne nuk do ta pranojmë këtë sepse populli serb i ka fituar luftërat, por ka humbur në paqe”, është shprehur Buxhovi, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai dha detaje nga ky takim, ku tha se vetë Robert Dole, pas këtyre fjalëve të Dobrica Qosiqit, iu drejtua atij se nëse shqiptarët nuk do të trajtohen njëjtë, atëherë Jugosllavia do të shkatërrohet.
“Ai i tha në mënyrë decidive se nëse ju mendoni se demokracinë nuk do ta përfillni dhe nuk do t’i trajtoni njëjtë shqiptarët, atëherë do të shkatërrohet Jugosllavia”.
“Ai iu drejtua Rugovës ‘e ju zotëri Rugova?’ Ai e ka pasur buzëqeshjen pak cinike, ku i tha se ‘ne do të pranojmë gjithçka që jep demokracia, po presim që kjo do të realizohet’”.
“Dole e pyeti Rugovën se ‘ju nuk kërkoni që të shkatërrohet Jugosllaiva?’ Rugova iu përgjigj ‘jo, ne vetëm kërkojmë të jemi të barabartë. Kërkojmë që pozita kushtetuese e Kosovës të avancohet edhe më tutje në federatë’”.
Ndërsa, pas kësaj, sipas Buxhovit, Dole iu drejtua Rugovës se “nëse ju vazhdoni kështu, do të jeni fitues.”
“Dole tha se ‘ju nëse vazhdoni kështu do të jeni fitues’. Këtu përfundoi biseda dhe kjo u korrigjua prej aty, ku Rugova në fjalimin e tij kërkoi autonomi”, është shprehur Buxhovi, njofton Klankosova.tv.